Google ADS

Marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Mitrovicës dhe Universitetit të Çanakalasë

15:29 | 14 Korrik 2016
Arbresh.info

Studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” tash e tutje do të kenë në dispozicion për avancimin e tyre profesional edhe kapacitetet e Universitetit të Çanakalasë nga Turqia.

Kjo është bërë e mundur pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve nga rektori Alush Musaj dhe homologu i tij nga Universiteti i Çanakalasë, Yucel Acer.

Në takimin që u zhvillua të enjten në rektoratin e Universitetit të Mitrovicës, rektori Musaj njoftoi homologun e tij me historikun e Universitetit, sfidat dhe të arriturat e tij.

Duke folur për bashkëpunimin ndëruniversitar, Musaj theksoi se universiteti i Mitrovicës ka një përvojë të shkëlqyer bashkëpunimi me universitetet nga Turqia.

Ndërsa, rektori Acer, u shpreh i kënaqur me marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila do të hap një mundësi të mirë për shkëmbime universitare.

“Jemi të përkushtuar që bashkëpunimin e nisur ta thellojmë dhe ta bëjmë sa më të frytshëm për studentët dhe mësimdhënësit tanë”, ka thënë Acer.

Ndër të tjera, në marrëveshjen e bashkëpunimit parashihet përgatitja e projekteve të përbashkëta në fushën e shkencës. Për këtë pikë u fol më tepër edhe në takim, ku u vu në spikamë mundësia e përfitimit të granteve nga bashkësia evropiane nëpërmjet projekteve të përbashkëta nga të dy universitetet.

Gjithashtu parashihet shkëmbimi i studentëve dhe mësimdhënësve, pastaj organizimi i konferencave shkencore, seminareve dhe të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme