Nga: Ben Andoni
Shprehja e cila thotë se: Kosovës i duhet një histori e re, duket disi provokative nëse hiqet nga konteksti kryesor. Realisht, megjithë botimet shumë interesante që kanë bërë vetë kosovarët shqiptarë, studiuesit shqiptarë, historianët e huaj dhe akademia serbe, ka një konfuzion në vetë Kosovën republikane për koncepte të reja.
Konfuzioni shtrihet që nga antikiteti (mungesa e vazhdimësisë së dokumenteve dhe gjurmëve), zbresin në Mesjetë, përçohen në kohët e reja dhe sidomos paradoksalisht mbeten në shekullin e fundit (janë ende gjallë dëshmitarët), kur Kosova ka pasur zhvillimet më interesante sa i përket formimit të identitetit të saj.
Për hir të së vërtetës, Kosova ka një tharm etnik të fortë që e ka bërë kompakte në shfaqjen e vet, por edhe në të gjithë përballjen me zhvillimet e kohës, që nga ana tjetër e pengon në vështrimet e thella dhe të ftohta të historisë së vet.
Duhet thënë se ndarja e kahershme me trungun amë, paçka bashkimeve arbitrare, që nuk kanë zgjatur dhe realiteteve të ndryshme shtetërore, ka sjellë deridiku zhvillime të ndryshme me Shqipërinë, që më së shumti janë ndikuar nga problematika të përballjes me konjuktura të ndryshme gjeostrategjike. Për aq pak kohë sa kanë funksionuar Shqipëria dhe Kosova janë munduar të japin e të marrin, por njësoj si sot, nuk kanë mundur të krijojnë gjëra të përbashkëta, që do të thotë një treg ekonomik funksional, një gjuhë të unifikuar, kulturë me periodizime të përbashkëta, si edhe histori të përbashkët. Ende sot Kosova shikohet veçmas Shqipërisë dhe anasjelltas, kur vjen puna të referohen tema thelbësore, si përpjekjet identitare të së shkuarës dhe lëvizjet patriotike.
Argumenti i bërjes së një historie ka nevojë për shumë diskutime sot, sepse me këtë humbasin kohë analistë të ndryshëm, patjetër akademikë, historianë, shumë amatorë të ngazëllyer dhe jo pak OJQ-të. Për fat të keq, të dy akademitë tona mbeten në nivele diskutimesh patetike dhe nivele mediokre e që për fat të keq, nuk e kanë kaluar dot nivelin e kohës së formimit të tyre, që do të thotë se ende s’kanë gjetur çelësa për zbërthimin e shumë elementëve të identitetit tonë.
Kosova, shteti më i ri i Evropës, është duke kërkuar një identitet të ri, që megjithëse duket se është shekullar de jure, de facto po duket shumë i miksuar me një identitet religjioni, shtuar me veçori të tjera. Argumenti mbi religjionin tashmë është kaq i fortë sa ngrihet disa herë edhe mbi simbolikën e re moderne të shtetit të Kosovës. Provë për këtë është një nga anketimet ku kosovarët vinin si primare idenë fetare. Por, ndërsa kjo e fundit po përfiton terren nga varfëria e madhe ekonomike dhe mbi të gjitha humbja e shpresës (dy elementë që e bashkojnë kryekëput me Shqipërinë), identiteti i kombit të ri ka nevojë shumë të axhustohet për të mos thënë të punohet bajagi.
Dhe, një nga elementët, pa asnjë dyshim, është rishikimi në thelb i historisë, duke mos pronësuar gjithçka që mundin, duke e kthyer historinë e shkuar në një tabula rasa, që ka filluar vetëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pak më parë vetëm me zhvillimet patriotike.
Është koha që përpjekjet e para për konceptimin e identitetit në Kosovë të bëhen pikërisht në elementët historikë dhe antropologjikë për të treguar realisht vazhdimësinë dhe stadet ku ka kaluar jetesa e popullit duke shmangur argumentet qesharakë absolute të popullit të zgjedhur dhe më të vjetër.
Mbase është detyrë e vështirë, por nga retorika a politikës kosovare nga fyerjet e shkëmbyera dhe arroganca e shumë anëtarëve të shoqërisë civile kupton se historia nuk i ka mësuar shumë kosovarëve. Ndaj ka ndoshta kaq veteranë, kaq epope dhe trima, por edhe kaq bjerraditës llafazanë. Është koha që Kosova të fillojë e të shikojë realisht historinë e vet në sy dhe të mësojë prej saj, edhe pse nga historia popujt po mësojnë rrallë e më rrallë. Tani, sa nuk kanë kaluar shumë kohë, kur aksionet e vogla historike të mos vazhdojnë të kthehen në epopera dhe bëma, që nuk i beson askush e ca më shumë vetë kosovarët. Historia kjo mësuese e ashpër e jetës e lyp këtë. Sidomos për Kosovën dhe sfidat e vështira të mbijetesës.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...