Google ADS

Ardita Statovci e merr me vete publikun në udhëtimin pianistik

10:52 | 25 Prill 2015
Arbresh.info

Sikur salla ku do të interpretonte Ardita Statovci të kishte 500 ulëse, asnjëra nuk do të mbetej bosh. Këtë e dëshmon hapësira ku ajo performoi të premten në Prishtinë, shkruan Koha Ditore.

Shumë kohë para se pianistja kosovare që jeton në Austri, të shfaqej para publikut, karriget e sallës ishin të zëna. Një pjesë e madhe e publikut është detyruar ta përcjellë koncertin në këmbë.

Madje ka pasur nga ata që koncertin vetëm e kanë dëgjuar, pasi janë detyruar të qëndrojnë jashtë sallës së një hoteli luksoz, ku është mbajtur koncerti i nëntë i festivalit “Chopin Piano Fest”.

Në kohën e paralajmëruar, Statovci është paraqitur para të pranishmëve. E veshur me fustan të bardhë me kombinim të së kuqes, sapo ka hedhur hapin e parë në sallë, kanë shpërthyer duartrokitjet e publikut.

Të forta kanë qenë pas përfundimit të secilës vepër që ka interpretuar. Statovci, e cila ka shkelur në skena të njohura botërore, ka vendosur që së pari t’ua thotë disa fjalë të pranishmëve e pastaj të zë vend pranë instrumentit që është duke ia kushtuar gjithë karrierën.

Ka treguar se ishte tejet e kujdesshme kur vendosi se me çfarë programi do të prezantohej.

Mbrëmjen koncertale e ka nisur me “Sonatën për piano op. 57” të kompozitores kroate Dora Pejaçeviq. Në momentin kur Statovci – e cila në vitin 2008 ka magjistruar në Austri, është ulur pranë pianos – në sallë gjithçka ka qenë e qetë.

Me ngjyrat muzikore që ka sjellë, ka treguar se nuk është se e ka detyrë t’i luajë porse i do me të vërtetë veprat. Këtë e ka dëshmuar me lëvizjet dhe mimikën gjatë performancës. Edhe publikun e ka bërë ta ndjejë çdo tingull sa herë që prek notat në piano. Pothuajse çdo njëri që ka shijuar lojën e saj, lëviz duke udhëtuar në botën e tingujve pianistikë. Statovci ka shpjeguar për të pranishmit edhe arsyen se përse ka zgjedhur të luante një nga veprat e kompozitores Pejaçeviq.

Pos që ka thënë se bëhet fjalë për një kompozitore të shkëlqyer të kohës së Austro-Hungarisë, Statovci ka treguar se ka dashur që niveli i koncertit në Prishtinë të jetë i njëjtë sikurse me koncertet që luhen gjithandej Evropës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme