Google ADS

FMN sërish ankohet me shpenzimin e buxhetit për veteranët

17:34 | 20 Qershor 2016
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u bisedua për progresin e Kosovës në ekonomi, për stabilitetin buxhetor dhe financiar, si dhe arritjet e tjera evidente në zhvillimin ekonomik.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për rezultatet e reformave fiskale, stabilitetin financiar dhe për treguesit pozitiv në të gjitha fushat e ekonomisë.

Duke e falënderuar për përkrahjen e deritashme, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin me FMN-në dhe mbarëvajtjen e programit të Kosovës me FMN-në, në funksion të avancimit të progresit ekonomik.

Shefi i Misionit të FMN-së në Kosovë, Jacques Miniane, vlerësoi rezultatet e arritura nga Qeveria në zhvillimin ekomomik, duke iu referuar të gjithë treguesve në këtë drejtim.

Sipas një komunikate të Qeverisë, gjatë takimit, u bisedua edhe për nevojën e adresimit brenda parametrave, të çështjes së pagesave për veteranët, si çështje e rëndësishme për stabilitetin e mëtejshëm buxhetor dhe financiar të vendit, por edhe si kusht i vazhdimit të programit me FMN-në.

Ndryshe, kohë më parë përfaqësues të FMN-së kanë thënë se kostoja vjetore e skemave të beneficioneve të lidhura me luftën vitin e ardhshëm mund të arrijë 100 milionë euro apo edhe më shumë, kundrejt 60 milionë euro që ishin ndarë në buxhetin e vitit 2016.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme