Nga: Dorina Hoxha
Komunikimi racional është mjeti që na veçon nga krijesat e tjera tokësore dhe na afron gjithashtu me ato kur ky komunikim mungon. Racionalizmi si një mjet identitar gjeneratash, ndryshon nga një njeri te tjetri për nga aspekti perceptues dhe zhvillimor. Problemet shoqërore, në tërësinë e tyre, kanë si shkak zhvillimin e pamjaftueshëm racional. Kur përmend “zhvillimin e pamjaftueshëm racional” nuk e kam fjalën për ndonjë anomali në kuptimin fizik, por paaftësinë racionale për të zhvilluar nivelet e saj morale, pa rënë në kurthin e impulsivitetit.
Ka situata të përditshme që sjelljet tona prej racionali i lë në kufijtë e impulsives dhe shqisave, aq sa racionaliteti nuk arrin zhvillimin e procesit argumentues, analizues dhe kritikues. Por mjafton shprehjet: “ Moj ku***, ku mendon se do mbytesh”? ; “Do të shqep në dru”, “Unë të vras”; “Unë të mbys”, “Ku mendon se do shkosh” etj, për ta kuptuar këtë.
Studime të mirëfillta kanë arritur konkluzionet se, për të arritur kufijtë e dëshirueshëm racionalë nevojitet arsimimi. Edukimi pasqyron zhvillimin racional të një gjenerate apo vendi, shërben si njësia matëse e fenomeneve sociale, politike dhe kulturore. Mediat shqiptare çdo ditë raportojnë për raste dhune e sidomos në familje, për ato raste ku komunikimi racional mbetet në nivelet embrionale të saj dhe impulset gjenerojnë në fyerje, sharje, goditje e deri në vrasje.
Rasti më i fundit i dhunës në familje, regjistrohet në qytetin e Vlorës. Ishte rasti tipik i dhunës, burri dhunon gruan dhe fëmijët në publik. Në mënyrë të shpejtë, një pjesë e shoqërisë aktive në rrjetet sociale u sensibilizuan, duke gjykuar në një mënyrë ose tjetër këtë skenë dhune. Ngjarja në fjalë na risolli në vëmendje atë pjesë të shoqërisë që mbetën viktima të këtij fenomeni, por edhe atë pjesë të shoqërisë që nën rrogoz vuajnë nën heshtje dhunën, duke mos e denoncuar atë. Kur shikon atë video dhune, në figurën e asaj grua-nënë rimëshirohen mijëra sy të frikësuar që nuk u përballën dot me të vërtetën, që u goditën pamëshirshëm me shkelm, me grushte, me thikë, u mbytën me litarë e së fundmi me armë.
Në figurën e asaj, grua-nënë të dhunuar, mëshirohen njëkohësisht edhe ato sy që ende gjallojnë fizikisht, por të vdekura shpirtërisht nga dhuna sistematike fizike dhe psikike që ushtrohet mbi to, e të pafuqishme për njëmijë arsye nën heshtje denoncojnë fatin e tyre, e me lot shpresojnë mos të jenë viktima e radhës që mbush kronikat e ditës. Dhuna në familje e evidentuar në Vlorë dëshmon për mungesë funksionimi të “urdhrave të mbrojtjes” që lëshohen për raste kur dhuna denoncohet. A është efikas de fakto urdhri i mbrojtjes? Apo është një shkak më tepër de jure për të përshkallëzuar dhunën?!
Pamjet e videos ishin edhe më të rënda kur nëna me dy fëmijë në krah dhunohej, dhe e qara e fëmijëve të mitur shërbeu si lajtmotivi i këtij vaji social që prek tërë shoqërinë, prek tërë femrat shqiptare që në një formë ose tjetër përballen çdo ditë me një shoqëri maskiliste, kudo në rrugë, lokale, në urban, në market, në shkollë. Për të përparuar një shoqëri duhet që njëkohësisht të përparojë edhe aspekti racional i saj, i përkthyer në sjellje dhe edukatë personale. Gratë dhunohen dhe arsyet tashmë janë të stërthëna kudo; ajo që është shqetësuese është se duke u marrë me dhunën që përshkallëzohet në vrasje, anashkalojmë të analizojmë edhe aspektin moral të këtij fenomeni dhune. Të dëmtohesh fizikisht është më pak e dhimbshme, sesa të dëmtohesh shpirtërisht. Ajo grua që u dhunua publikisht në Vlorë me mungesën e reagimit të saj shprehte një shpirt të vrarë mijëra herë; më shumë se ai shkelm që mori në kurriz, nënshtrimi i saj ndaj dhunës reflektonte një dinjitet të dhunuar mbi të gjitha, u nëpërkëmb autoriteti i saj si grua e mbi të gjitha si nënë. Të krijonte përshtypjen që, pavarësisht se mbante në krahë fëmijët, në të vërtete ishin fëmijët që mbanin në këmbë dinjitetin e saj të përdhosur.
Pamjet të krijonin përshtypjen se fëmijët ishin më të fortë se nëna e tyre, se e qara e tyre ishte edhe jehona e tërë fëmijëve të mbetur jetimë si pasojë e dhunës në familje. Ajo që e bënte nga ana morale edhe më çnjerëzore këtë dramë sociale ishte figura e babait-dhunues. Një baba që nuk njeh dashurinë për fëmijët e tij, që nën forcën e dhunës u shkakton atyre frikë dhe terror. Fëmijët e atij babai dhunues, duke përjetuar një traumë të tillë familjare mund të jenë nesër kontingjent krimi, dhe realiteti ka demonstruar se shtresat vulnerabël të kësaj kategorie sociale për arsye ekonomike, edukative por edhe traumatike mund të jenë viktima të radhës ose kontigjentë të krimit. Një filozof i famshëm gjerman, Friedrich Nietzsche, tek vepra e tij “Përtej së mirës dhe së keqes”, theksonte: “Mjaft shpesh krimineli nuk është në lartësinë e veprimit të tij: e zvogëlon atë dhe e shpif”.
Fatkeqësisht, duhet pranuar se në shoqërinë shqiptare niveli i dhunës në familje, si akt, është në nivel embrional dhe banal. Të vritesh për një karikues telefoni, për një mesazh, për një fustan, për enët e palara janë edhe shkaqet më paradokse, duke vijuar me ato të tradhtisë apo dyshimeve për tradhti bashkëshortore.
Dhuna në familje, kanceri i shoqërisë shqiptare që vjen çdo vit në rritje të frikshme, me metastazat e saj po infekton gjeneratat në vazhdim. Shërimi nga ky diagnostikim social kërkon impenjimin e tërë shoqërisë, ndërgjegjësimin se komunikimi më i mirë i dy qenieve racionale është gjetja e një gjuhe të përbashkët. Ky shërim kërkon impenjimin edhe të instancave lokale për t’i paraprirë përshkallëzimit të këtij “kanceri” deri në vdekje. Mos u mjaftoni “me urdhrat e mbrojtjes” de jure, por mjaftohuni me guximin për të mos e parë vetveten si ‘viktimë’, por si një individ, vlera e jetës e të cilit vlen shumë.
Paqja e zemrës është mbi çdo vlerë materiale, mbi çdo dashuri. I pasur është ai që e ruan fort brenda vetes rendin e mendimeve, epsheve, impulsive dhe djallëzisë. Dashuria nuk është një ‘natë paqe’ në familje por mijëra net pa sharje, pa dufe, pa mëri, pa frikë se ndëshkuesi është dashuria dhe se dashuria duhet të jetë e paprekshme. Stop këtij rendi të përmbysur vlerash, është koha të organizojmë kaosin emocional social larg dhunës. Por mes paqes e dashurisë së pakushtëzuar që supozohet ta ofrojë vetëm familja. Sepse babai duhet të jetë heroi i çdo fëmije, dhe jo ai i ‘keqi’ që kërkon t’i vrasë nënën përpara syve të tij.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...