Google ADS

AKP, hap ankand për shitjen e materialit të MM “Goleshit” pa përfunduar rasti ne gjykatë

10:14 | 24 Prill 2015
Arbresh.info

Menaxhmenti i Agjencionit Kosovarë të Privatizimit (AKP), ka hap ankand publik për shitjen e Zhavorrit me Granulacion të 2 mijë tonëve, material ky i ndërmarrjes së re MM”Goleshi”.

Pronari i kontestuar nga AKP-ja i kësaj miniere, Hysni Zogaj , veprimin e menaxhmentit të AKP-së e quan veprim të kundërligjshëm. Sipas tij vlera e zhavorrit të cilën AKP e ka nxjerrë për shitje është 35 mijë euro. Zogaj thotë se vendimi i AKP-së për këtë shitje është bërë pa pasur një vendim të gjykatës, pasi rasti i minierës së “Goleshit” është në dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme, shkruan KP.

“Kjo bëhet krejt privatisht pa gjykatë pa asgjë, hajni e pastër AKP-së. Si duket kjo është arsyeja që më është ndërprerë puna, një ditë para se me e hap Minierën. Vlera e materialit është 35 mijë euro. Zhavori është i minuar, i përpunuar dhe i gatshëm për asfalt, për punimin e asfaltit. Ketë e kemi bërë ne dhe tani po na shesin pa ardhur vendimi i Gjykatës”, thotë Zogaj përmes telefonit.

Ndërsa Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së, i ka thënë përmes telefonit se vendimi është marrë nga menaxhmenti i AKP-së.

“Për shitjen e kësaj sasie të zhavorrit është marrë vendimi nga menaxhmenti i ndërmarrjes që është zgjedhur nga AKP-ja dhe nga menaxhmenti i Agjencisë. Meqë bëhet fjalë për 2 mijë ton, sasia dhe vlera e kësaj sasie mund të mos kaloj shumën mbi 10 mijë euro, atëherë është parë e arsyeshme që të nxjerrët në shitje”, ka thënë Kaloshi.

Ai po ashtu ka thënë se të hyrat do të shfrytëzohen për pagesa të punëtorëve e të kësaj ndërmarrje që është nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë.

“Nuk bëhet fjalë për shitje të aseteve të kësaj ndërmarrje , pasi që kjo ndërmarrje aktualisht është nën administrim të drejtpërdrejt të Agjencisë, ndërsa me formimin e bordit të drejtorëve do të shqyrtohet mundësia e tenderimit të ndërmarrjes në fazat e ardhshme. Ndërsa zhavorri është nxjerrë në shitje për të krijuar të hyra të nevojshme për operimin ditor të ndërmarrjes”, ka thënë Kaloshi.

Ndërsa kur është pyetur se në bazë të çfarë oferte vlerësohet çmimi i 2 mijë tonëve zhavorr me 10 mijë euro, pasi pronari ka thënë se vlera e saj është 35 mijë euro, është tërhequr duke thënë se:

“Nuk e di se çfarë vlerësime kanë dhënë të tjerët, por zhavorri është nxjerrë në ankand, do të thotë dhe për çmimin apo vlerën e saj do të vendos oferta , do të vendos konkurrenca, ndërsa vlera e saktë e kësaj sasie do të dihet vetëm pasi të pranohen ofertat dhe të dihet cila është oferta më e lartë”, tha Kaloshi.

Sipas njoftimit publik të AKP-së, ofertat duhet të dorëzohen më së largu deri më 6 maj të muajit të ardhshëm. Po ashtu ofertat do të hapen po atë ditë në orën 14:00.

Ndryshe, në fundin e vitit 2007, Hysni Zogaj, pronar i kompanisë “Iming” kishte blerë nga ish- Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) tani AKP, Minierën e magnezit në Golesh për 16 milionë euro. Përkundër afatit te venë nga AKP-ja, për realizimin e kushteve deri në shtator të këtij viti, AKP-ja ka ndërhyrë në nëntor të vitit të kaluar , dy ditë para se z. Zogaj të fillon punën në Minierë duke e vendosë përsëri nën menaxhimin e AKP-së. Rasti është në Gjykatën Supreme të Kosovës. Ndaj këtij rasti ka reaguar Komuna e Lipjanit, Aleanca Kosovare e Biznesit, biznesmen dhe ish-anëtar të bordit të AKP-së, duke e vlerësuar si shumë të dëmshëm dhe dëmtim të bizneseve si dhe një shembull shumë të keq për investitorët e huaj.

miniera2

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme