Google ADS

Hotelet në Kosovë nuk po mbushen me turistë

15:54 | 15 Qershor 2016
Arbresh.info

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të mërkurën statistikat e hotelerisë në Kosovë për tremujorin e parë (TM1) të këtij viti, sipas cilave as 15 për qind e kapaciteteve hoteliere nuk mbushen me turistë. Pjesë e anketës së ASK-së kanë qenë 103 hotelet që ushtrojnë veprimtarin e tyre në gjithë territorin e Kosovës.

Pjesa më e madhe e këtyre hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Ferizajt e Pejës, ndërsa sipas anketës, kapaciteti i shfrytëzuar në nivel vendi është 14.58 për qind.

“Në tre mujorin e parë të viti 2016, numri i vizitorëve është 32 641, prej tyre 45.8 për qind janë vizitorë vendorë dhe 54.2 për qind janë vizitorë të jashtëm. Kurse, numri i bujtjeve gjatë kësaj periudhe është 46 496, ku 41.9 për qind e këtyre bujtjeve janë nga vendorët dhe 58.1 për qind janë nga të huajt”, thuhet në raportin e ASK-së.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe netëqëndrimeve në hotele e bujtina e ka rajoni i Prishtinës me 20 730 vizitorë dhe 32 871 netëqëndrime. “Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në rajonin e Prishtinës, Pejës etj. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh është nga Shqipëria, Turqia, Gjermania”, thuhet në raport.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme