Bankat komerciale në vend kanë zbritur normën e interesit për kredi në 9,3 për qind në shkurt të këtij viti nga 11,8 për qind sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Besnik Kada, zëdhënës në Bankën Qendrore të Kosovës, ka bërë të ditur për Arbresh.info se bankat komerciale i kanë zbritur kamatat këtë vit për 2,5 për qind.
“Mesatarja e normës së interesit për kredi në shkurt 2015 qëndron në 9.3%, duke shënuar rënie vjetore prej 2.5 pikë përqindje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (shkurt 2014 mesatarja e normës së interesit ishte 11.8%)”, ka thënë Kada.
Sipas tij, paralelisht me kamatat e kredive, zbritje të normave të interesit kanë pësuar edhe depozitat këtë vit ku nga 2,0 për qind sa ishin vitin e kaluar ato kanë rënë në 0,8 për qind.
“Mesatarja e normës së interesit për depozita në shkurt 2015 qëndron në 0.8%, duke shënuar rënie vjetore prej 1.2 pikë përqindje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (shkurt 2014 mesatarja e normës së interesit ishte 2.0%)”, është shprehur Kada.
Mirëpo, kamata në depozita ka rënë pavarësisht se vlera e tyre është rritur në krahasim me vitin e kaluar.
“Vlera e gjithsej depozitave deri në shkurt 2015 ishte 2.56 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 5.0 % në krahasim me vitin paraprak (në shkurt 2014 vlera e gjithsej depozitave ishte 2.44 miliardë euro)”, ka bërë të ditur zëdhënësi i BQK-së, Kada.
Eksperti i Ekonomisë, Muhamet Mustafa konsideron se kjo ulje e kamatave të kredive në bankat komerciale nuk është e kënaqshme. Sipas tij, normat e interesit të kredive në Kosovë do të duhej të ishin nën 7 për qind.
“Normat e interesit në Kosovë vazhdojnë të jenë të lartë. Ato faktikisht do të duhej të ishin nën 7 për qind në mënyrë që edhe bizneset edhe ekonomitë familjare t’i përballonin më lehtë”, është shprehur Mustafa për Arbresh.info.
Ai thotë se bizneset janë lodhur me normat e larta të interesit dhe si pasojë nuk po hyjnë as në kredi, gjë që sipas tij, ka mundur të ndikojë që të bien këto norma.
Ndërkaq, sa i përket normave të ulëta të interesit në depozita dhe rënies edhe më tutje të tyre ashtu siç thuhet nga BQK-ja, Mustafa thekson se kjo tregon se bankat komerciale nuk kanë edhe aq nevojë për para të qytetarëve të Kosovës.
“Po normat në depozita bien vazhdimisht sepse bankat po duket se nuk kanë nevojë të marrin para prej njerëzve”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë, bizneset dhe qytetarët e Kosovës vazhdojnë të zhyten në kredi, bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore.
Vlera e kredive të lëshuara deri në shkurt 2015 ishte 111.8 milion euro, duke shënuar rritje vjetore prej 7.8 % në krahasim me vitin paraprak ku vlera e kredive ishte 103.7 miliardë euro.
Ndërkohë, tregtia vazhdon të dominojë sektorët në të cilët lëshohen pjesa më e madhe e kredive, e pasuar nga sektori i industrisë dhe shërbimeve. Sektori i bujqësisë është më pak i kredituar.
“Struktura e aktivitetit kreditues dominohet nga sektori i ndërmarrjeve me pjesëmarrje prej 66.7%, pasuar nga sektori i ekonomive familjare me pjesëmarrje prej 32.9% ndërsa pjesa e mbetur përfaqësohet nga kreditë e jo-rezidentëve dhe organizatave jo-qeveritare, në shkurt 2015.
Në kuadër të kredive për ndërmarrje sektori më i kredituar ekonomik është ai i tregtisë me pjesëmarrje prej 53.2% në shkurt 2015; pasuar nga sektori i industrisë me pjesëmarrje prej 23.5% në shkurt 2015. Shkërbimet tjera kanë pjesëmarrje prej 19.4 % ndërsa sektori i bujqësisë ka pjesëmarrje prej 3.9% në shkurt 2015”, thuhet në raportin e BQK-së.
Sa i përket kredive joperformuese, të njohura si “kredi të këqija”, ato kanë pësuar rënie në vëllim si dhe në përqindje të gjithsej kredive në shkurt 2015 krahasuar me vitin paraprak.
“Në shkurt 2015 raporti i kredive jo performuese ndaj gjithsej kredive u zvogëlua në 8.4% nga 8.8% sa qëndronte në shkurt 2014”, thuhet më tej në raport./F.Gashi-Mehmeti/arbresh.info/
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...