Google ADS

Pse vetëm kosovarët duhet të bëhen më katolikë se papa?

09:33 | 7 Qershor 2016
Arbresh.info

Nga: Behxhet Sh. Shala-Bajgora

Myslimanët “problematikë” të Kosovës:
Gjatë mandatit tim janë arrestuar qindra qytetarë të Kosovës të dyshuar se kanë qenë përkrahës të ISIS-it dhe se kanë luftuar në anën e krijesave vrastare siç, pa dyshim, janë Al Nusra dhe ISIS, në mesin e të cilëve ka imamë që kanë predikuar “islamin radikal”. Kështu, kohë më parë ka deklaruar ish-presidentja Jahjaga që në politikë ka marrë vesh sa edhe Lekë Dukagjini në programin “Windous”. Mirëpo, kjo nuk i ka penguar të shëtisë nëpër tërë botën, sidomos në shtetet që ia kanë njohur Kosovës primatin për luftimin e ekstremizmit fetar në Ballkan dhe Evropë, ndërkohë që askush nuk ka informata se kush e ka formuar Al Nusran dhe ISIS-in dhe kujt i shërbejnë këto krijesa kriminale, që në emër të fesë i vrasin besimtarët e të njëjtit besim sikur edhe qytetarë të pafajshëm nëpër shtete të ndryshme të botës. Pavarësisht përpjekjeve që Kosova të paraqitet si vatër e ekstremizmit fetar dhe qendër për rekrutimin e ushtarëve për këto dy organizata të cilave nuk iu dihet as atësia e as misioni, Kosova është larg e të qenit potencial destabilizues dhe regjenerues për “radikalizëm islamik”. Pas përfundimit të luftës Kosova ishte bërë fidanishte për të gjitha dukuritë negative dhe për këtë flamurin e mbanin ndërkombëtarët, ata të Perëndimit sikur edhe ata të Lindjes apo shteteve islamike. Perëndimorët nuk kishin fare interesim ta hulumtojnë veprimtarinë e “radikalëve islamikë” sepse qëllimi i tyre ishte që ata të mos shkojnë në shtetet perëndimore, kurse në Kosovë mund të bënin ç’të donin. Ishte kjo lajthitje strategjike, sepse Kosova nuk ishte fare atraktive apo me interes për këta radikalë islamikë, por pikërisht ishin shtetet perëndimore cak i interesit të tyre. Në Kosovë lulëzuan edhe ekstremistët fetarë ortodoks, katolikë dhe sekte të panumërta të “besimeve” të tjera që kishin fonde të fuqishme dhe vepronin, pa iu nënshtruar asnjë kontrolli. Edhe diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë kontribuuan për t’i mbuluar problemet reale siç ishin: korrupsioni shkatërrues, papunësia dhe varfëria e madhe, projektet jashtëzakonisht të dëmshme politike për Kosovën që e krijuan pastaj një shtet krejtësisht të hendikepuar, iu kthyen problemeve të fesë, thuaja ekskluzivisht asaj të besimit islam. Ndërkombëtarët e as disa sharlatanë vendorë nuk merreshin fare me parandalimin e dukurive negative, por të gjitha dështimet dhe të gjitha problemet i mbulonin me tapetin e “radikalizmit islam”. Objekti i papërfunduar i kishës ortodokse politike serbe të Millosheviqit në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, në vend se me një procedurë të shpejtë të rrënohej apo t’i ndërrohej përdorimi (ishte ndërtuar me vendim politik me ligje diskriminuese të regjimit të Millosheviqit), u mor në mbrojtje dhe mos të habiteni fare nëse nesër bëhet “objekt kulturor i një rëndësie të veçantë e mbrojtur nga UNESCO-s”. Tash nuk po shtrohet fare çështja e rrënimit, por brenga është pse nuk kanë aplikuar për procesin e legalizimit. Kur Patrikana e Pejës uzurpoi pronë publike dhe e ndërtoi murin rrethues duke ia ndryshuar rrjedhën lumit, një tarak ambasadore botërisht pati deklaruar se kjo është e papërfillshme nëse kemi parasysh faktin se në Kosovë ka me dhjetëra e mijëra ndërtime pa leje. Ndërkombëtarët patën filluar ndërtimin e rrugës anësore (dytësore) për ata që udhëtonin në relacionin Prishtinë – Gjilan sepse kështu kërkonin popët e Graçanicës. Madje, në disa raste ishte mbyllur kjo rrugë. Së fundi, Gjykata Kushtetuese Ndërkombëtare “e Kosovës” ia fali Manastirit të Deçanit 27 hektarë tokë, pronë publike, kurse disa politikanë neoçetnikë (çetnikë të rinj) nuk janë të kënaqur dhe kërkojnë më shumë tokë për Kishën Ortodokse Serbe, mundësisht tërë Dukagjinin që ata e quajnë Metohija apo pronë e kishës. Sa për fillim presidentja e Enka Behtellit and ambasador Dell nuk u deklarua fare për këtë sepse angazhohej për arrestimin e “radikalëve islamikë”. Ndërkombëtarëve e as vendorëve nuk iu pengonte fashisti me kamillaf, Amfillohije Radoviq, shovinisti Otac Sava apo Teodosije që kishin bekuar paramilitarët serbë për krime monstruoze ndaj shqiptarëve dhe që i kishin strehuar këta paramilitarë në kisha dhe manastire ku torturoheshin shqiptarët, por merreshin me Shefqet Krasniqa, hoxhë Irfana e Qazima që merrnin vesh në politikë sa edhe presidentja e Dellit e që tash dëshiron të bëhet kampione në luftimin e ekstremizmit fetar (lexo atij mysliman) kur nuk është në gjendje t’i shkruajë dy fjali të vetme kundër ekstremizmit tjetër. Kjo është mënyra më e pandershme për të vjelë fonde duke sajuar rreziqe dhe duke bërë përpjekje të mbijetojë në skenën politike vendore dhe ndërkombëtare. Është dashur dhe duhet të luftohen të gjithë ekstremizmat, pa përjashtim dhe jo në mënyrë selektive siç po e bën shoqja e Dellit dhe pasuesi i saj. Madje, po shkohet aq larg në injorancë saqë po flitet për formimin e një qendre në Kosovë për luftimin e terrorizmit, natyrisht me fondin 20 milionësh, thuaja se 1. 800 000 qytetarë të Kosovës qenkan terroristë. E pandershme dhe e paturpshme, skajshmërisht.
Plagjiatura e lejuar:
Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi I, majtas e djathtas po shpërndan lëvdata se sekretari Xhon Kerri paska deklaruar se Kosova qenka kampione e rajonit në luftimin e ekstremizmit në rajon. Këtë meritë po ia adreson vetes së tij dhe po mburret me këto arritje! Ka të drejtë të mburret me këtë, por do të kishte të drejtë, që e ka edhe detyrim, të deklarojë se Kosova është kampione e rajonit në luftimin e korrupsionit, zbutjes së varfërisë, uljes së papunësisë, mbrojtjes së integritetit territorial dhe shtrirjes së sovranitetit në tërë vendin e që nuk është as për së afërmi kështu. Presidenti i Kosovës gjithashtu, me mburrje, dhe këtu e përkrah 100 %, ka deklaruar se i ka prirë Marshit të Nderit të komunitetit LGBT gjë që nuk e kanë bërë as Daçiqi, Vuçiqi, Gjukanoviqi dhe Ivanovi. Më duket se as Nishani nuk e ka bërë këtë dhe këtu Thaçi vërtet është kampion. Terrorizmi dhe radikalizmi fetar, i cili tash po identifikohet me radikalizëm islamik, janë e keqe dhe rrezik global dhe duket se Kosovës i ka rënë hise të bëhet kampione për luftën kundër tyre të udhëhequr nga një ish-presidente dhe presidenti aktual i Kosovës. Nëse Kosova ka rol kryesor në këtë luftë atëherë roli dytësor iu takon SHBA-së, Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe shteteve të tjera të cilat, të jemi të sinqertë, nuk kanë as kapacitet profesional, vullnet politik e as gatishmëri për sakrificë që e ka Kosova për ta udhëhequr këtë luftë. Konferenca e fundit në hotelin e Bacit, ku u ndanë dy mirënjohje për tolerancë fetare, Vinçenco Palas nga Shën Exhidio që angazhohej për autonomi kulturore të Kosovës dhe i njohur për Marrëveshjen për Arsim si dhe kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Kan (i cili, po t’i mos fitonte zgjedhjet në Londër, askush nuk do të dinte se ekziston diku) ishte një huqje qëllimi, por mundësi përfitimi për OJQ-në që e organizoi këtë farsë. Për të mos dështuar krejtësisht kontribuuan dy prijës fetarë dhe biznesmenë të suksesshëm që janë bërë të pandashëm sikur Gjara dhe Gjura apo Boro dhe Ramizi, Naim Tërnava dhe Lush Gjergji. Mungonte Otac Sava që ishte i zënë me nguljen e hunjve, në tokë të huaj.
Naim Trrnava, kur duhej të deklarohej kundër disa ekstremistëve që nuk kishin të bënin asgjë me besimin islam, heshti sikur varri. Tash kur duhet të deklarohet në mbrojtje të besimtarëve të besimit islam, përsëri është mbuluar me heshtje varri. I ka munguar guximi të deklarohet kundër një të keqeje të mëparshme (një besim i imponuar dhunshëm), kurse tash i mungon guximi të mbrojë ata që e meritojnë të mbrohen, besimtarët e vërtetë të cilët vetëm duan t’i kryejnë detyrimet ndaj Zotit e jo që fenë ta përdorin për qëllime karrieriste, politike apo si fushë për përfitime materiale. Përgjegjësia kryesore për gjendjen në BIK dhe mohimit të të drejtave fetare, si të drejta njerëzore i takon Myftiut të Kosovës me Kushtetutë personale dhe të bindurve (kundër çdo parimi njerëzor dhe fetar) të atyre që e rrethojnë.
Dom Lush Gjergji asnjëherë nuk ka kundërshtuar ndërtimin e Katedrales katolike mbi themelet e një shkolle me renome të cilën e kanë zhvendosur në një lokacion që, përveç atyre (nxënësve dhe arsimtarëve) që detyrimisht shkojnë atje, askush nuk e di ku është ajo shkollë. Ky gojëtar fetar si mbulesë për Katedralen dhe të tjera e ka Gonxhe Boajxhiun, Nëna Terezën, e cila, jam i sigurt se e ka fituar Çmim Nobel në mënyrën më të ndershme të mundur duke u kujdesur për të varfrit dhe të sëmurët nga lepra. Katedralja e Prishtinës është ndërtuar me urdhër dhe vendim politik të Himë Govës që padrejtësisht dhe arbitrarisht ia ndau lokacionin më të vlefshëm dhe më strategjik në Prishtinë. Natyrisht, të gjithë jemi dëshmitarë se pas kësaj Vatikani e njohu shtetin e Kosovës përmes Papa Benediktit të XVI që deklaroi se Kosova është djep i Serbisë. Departamenti për konvertim brenda Kishës katolike, ku Lushi është alfa dhe omega keqpërdori Meshën e Krishtlindjeve duke bërë konvertim grupor gjatë meshës dhe në prani të medieve dhe disa injorantëve politikë të Kosovës. A nuk ju ngjanë kjo sikur kalimi i disa anëtarëve të partisë, nga një parti në tjetrën që po ndodhë kohëve të fundit.
Feja dhe biznesi:
Feja në Kosovë ka ndikuar në procesin e privatizimit shkaku se Kosovën, me pëlqimin e ndërkombëtarëve që tani po kërkojnë nga Kosova ta luftojë ekstremizmin fetar, në fakt Kosovën e ka shndërruar në koloni ekonomike të Turqisë duke rrëmbyer me para të imta asetet më të vlefshme ekonomike. Pse kemi kthyer prapanicën dhe e kemi shitur te Orienti, është meritë e madhe e Shkëlqesisë që po shkëlqen sot në Kosovë. Kisha ortodokse po zhvillon ekonomi dhe tregti të mbyllur me Serbinë, Greqinë dhe Rusinë. Me përjashtim të Prizrenit ku po kontribuon në jetën e natës nëpërmjet kafeneve që i ka lëshuar me qira. Kisha katolike e Kosovës , rreth Katedrales është duke ndërtuar qendër tregtare ku do të marrin qira të majme. Duket se as me këtë nuk janë të kënaqur dhe po kërkojnë zgjerimin e biznesit! Nuk jam i sigurt nëse apetitet e saj do të përmbushen nëse e fitojnë Albi Mallin dhe Grand Storen, për fillim. Tash e kemi komunitetin hebraik në Kosovë të cilit i është ndarë toka për ndërtimin e Sinagogës hebraike. Plotësisht kanë të drejtë sepse ka shumë hebrenj në Kosovë në mesin e të cilëve janë dy kryehebrenj, ish-bashkëvuajtësi im në llogoret e Jugosllavisë, Ruzhdi Shkodra dhe Shkëlqesia aktuale të cilët, çdo herë kur i kam takuar ishin duke lexuar Talmudin dhe Toran. Ruzhdiu është i përkryer për rabin lokal, kurse Shkëlqesia e Tij, për rabin ndërkombëtar. Hierarkia është vëllaçko në pyetje. Nëse Jerusalemi e ka Murin e Vajtimit apo të Lotëve, Kosova ka me kilometra dhe qindra kilometra Mure të Vajtimit apo të Lotëve prandaj jemi më çifut se vet çifutët! Falë këtyre dy kryeçifutëve, Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Marrëdhëniet tregtare kanë filluar moti.
Radikalizmi fetar dhe liberalizimi i vizave:
Besimi është çështje krejt personale dhe shpirtërore, Askujt nuk duhet t’i interesojë se kush çfarë besimi ka apo t’ia imponojë një besim që është në kundërshtim me përcaktimin personal. Zoti na ka krijuar si njerëz, së pari pastaj jemi ndarë në baza kombëtare kurse besimi është shkalla e tretë e kësaj ndarjeje. Asnjëherë nuk mund të jeni besimtar i mirë nëse jeni njeri i keq dhe e kundërta! Asnjëherë nuk e pranoj një autoritet shpirtëror që interesin fetar e vë mbi interesin kombëtar dhe shtetëror. Këtu nuk ka kompromis. Së fundi, feja po përdoret, nga ndërkombëtarët si pretekst për shtyrjen e liberalizimit të vizave. Arsyetimi është qesharak dhe i pamoralshëm. Po të ishte kështu, si ndodhi që Bosnja përfitoi liberalizimin e vizave në kohën kur aty kishte baza të xhihadistëve që kishin luftuar në anën e Bosnjës dhe pas përfundimit të luftës nuk ishin kthyer në vendet e tyre. Apo, rasti edhe më i rendë; si ndodhi që Serbia të përparojë aq larg dhe me aq shpejtësi në proceset e integrimeve evropiane përkundër faktit që Kisha Ortodokse Serbe ishte frymëzuese, mbështetëse dhe zbatuese e një politike gjenocidale ndaj popujve të tjerë në Ballkan kurse ndaj shqiptarëve dhe Kosovës e mbanë edhe sot të njëjtin qëndrim. Sipas kësaj logjike edhe Anglia do të duhej të përjashtohej nga BE sepse xhihadisti Xhon ishte nga ky shtet. E mos të flasim për Belgjikën, Francën, Gjermaninë apo shtetet tjera që kanë shumë qytetarë që i shërbejnë ISIS-it dhe Al Nusras. Tash, po u dashka të verifikohet sa xhami qenkan ndërtuar në Kosovë pas përfundimit të luftës dhe kush i paska ndërtuar ato. Askush, me këtë rast nuk pyet se sa xhami janë shkatërruar gjatë luftës në Kosovë.
Pavarësisht respektit të madh që e kam për Shkëlqesinë e Tij e sidomos pas guximit që t’i prijë Marshit të Nderit të komunitetit LGBT, si aktivist shumëvjeçar për të drejtat e njeriut që jam, megjithatë duhet ta refuzoj ftesën e tij se “duhet të bëhemi më katolikë se Papa në rrugën drejt Evropës…”. Duke respektuar çdo besim dhe duke i përmbajtur parimit jetësor se njerëzit çmohen për shkak të sjelljeve, karakterit dhe kontributit në dobi të njerëzimit, edhe unë e respektoj besimin tim prandaj nuk mund të bëhem as katolik e as Papë e lëre më, më katolik se Papa. Nëse ky është kusht për liberalizimi të vizave, po pshurri në viza sepse kam menduar se kusht për liberalizimi të vizave janë shteti i së drejtës, funksionimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, drejtësi sociale, tolerancë etnike dhe edhe tolerancë fetare! Pikërisht në këto fusha na mungojnë kampionët prandaj Shkëlqesi, krijo mundësi të hyjmë në këto gara, së pari vetëm si lojtarë, ju si udhëheqës e pastaj, në bazë të rezultateve mund të bëhemi kampion ose të largohemi nga liga fare. Ta ndajmë fenë nga shteti dhe ta ndajmë politikën nga feja. Çka është e Cezarit t’ia japim Cezarit, çka është e jona, ta marrim ne.
Gjithë besimtarëve të besimit islam ua uroj Muajin e Shenjtë të Ramazanit! Agjërim të lehtë dhe shëndet të mirë!

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme