Google ADS

I është dhënë lamtumira e fundit aktorit Met Bega

17:24 | 22 Prill 2015
M. A.

I është dhënë lamtumira e fundit aktorit të mirënjohur të humorit shqiptar Met Bega. Humoristi që me rolet e tij ka bërë për të qeshur qindra shqiptarë, u nda nga jeta të martën, pas një sëmundjeje e rëndë.

Lajmi për  ndarjen nga jeta e Met Begës u dha nga vajza  Matilda, e cila shpesh herë në media kishte bërë apel për ta kuruar të atin jashtë vendit, pasi gjendja e tij ekonomike, ashtu si e shumë artistëve të tjerë, nuk ishte e mirë.

Aktori ndërroi jetë në moshën 69 vjeçare, dhe la pas një karrierë të gjatë, që do ta mbajë të paharruar kujtimin e tij.

Sot në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvilluan homazhet për nder të tij, ku të pranishëm ishin familjarët dhe miqtë e ngushtë, aktorë. Ndërkaq, u vu re një prezencë e paktë e përfaqësuesve të politikës.

Mungesën e vëmendjes së shtetit ndaj artistëve, e vuri në dukje edhe humoristi shqiptar Agron Llakaj, ndërsa shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta e Met Begës.

“Ndaj dhimbjen e dyfishtë, në planin njerëzor, si një spektator që humbëm një aktor të nivelit të lartë të humorit shqiptar, dhe në aspektin profesional si artist, ndaj një dhimbje tjetër, një njeri i cili vuajti, por i ka dhuruar kaq buzëqeshje, kaq të qeshura publikut, dhe nga shteti çfarëdolloj krahu që të ketë qenë ai nuk pati përkrahjen më minimale për t’iu përgjigjur dhe për ta mbështetur. Kjo është ndoshta vdekja më e madhe që pësoi Met Bega, jo thjesht nga sëmundja. Më vjen keq që humbën një artist të tillë në një moshë kur të tjerët ndoshta arrijnë dhe kulmin. Megjithatë, ai mbetet tek ne një koleg, një njeri i mrekullueshëm, por dhe te të gjithë telespektatorët shqiptarë, njeriu që dhuronte një humor të veçantë, specifik si veç Meti dinte ta bënte. Ndoshta ky është fati i artistëve – të vdesin, por të lënë një vepër mbrapa”, tha aktori Llakaj.

Kandidati  i PD-së për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, mori pjesë në homazhet që u zhvilluan në nder të aktorit të ndjerë, ndërsa theksoi se Met Bega do të mbetet i paharruar me rolet dhe humorin e tij të veçantë.

“Ne patëm rastin që t’i shprehim ngushëllimet tona familjarëve, të afërmve por njëkohësisht miqve, kolegëve, artistëve të mbarë vendit, sepse sot ata kanë humbur njeriun më të dashur; kanë humbur kolegun; kanë humbur talentin; që do na mungojë të gjithëve këtej e tutje, por që ka lënë një emër dhe një vepër e cila, sa herë të shihet, do të na kthejë humorin dhe sido që ta kemi situatën përreth”, tha Halim Kosova, në homazhet që u zhvilluan për nder të aktorit të madh të ekranit shqiptar.

Met Bega lindi më 7 gusht 1946 në Tiranë. Ai iu kushtua për 40 vite artit dhe skenës shqiptare. Ai e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Estradën e Tiranës. Ai bëri debutimin e tij të parë në skenën amatore të shkollës dhe artit në Teatrin e Tiranës. Në ekranin e madh ka debutuar në vitin 1986, me një rol të vogël në filmin “Dy herë mat”. Ndër filmat më të njohur që ka luajtur aktori Bega, kujtohen “Edhe ashtu edhe kështu” në vitin 1989, “Stolat në park” në vitin 1988 dhe “Tela për violinë” në vitin 1987. Më pas aktori Met Bega u bë pjesë e një formati humoristik në televizionin “Tirana Tv”. Aktori i mirënjohur Bega ka marrë disa çmime, mes tyre urdhrin “Naim Frashëri i Artë” në vitin 2010.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme