Google ADS

Edukimi parashkollor i obligueshëm, sapo të krijohen kushte

10:14 | 1 Qershor 2016
Arbresh.info

Në qershor fillon regjistrimi i fëmijëve në nivele të arsimit. Regjistrimi do të bëhet edhe për fëmijët që shkojnë në klasë të parë, por edhe të atyre në nivelin parashkollor. Tash për tash,  përfshirja e fëmijëve në nivel parashkollor nuk është e obligueshme, megjithatë rreth 80 % e fëmijëve e kryejnë këtë nivel.

Ministria e arsimit synon që me strategjinë e re të përfshijë të gjithë fëmijët (100%) në parashkollor dhe këtë ta bëjë të obligueshme me ligj. Laberi Luzha, udhëheqëse e Divizionit për Arsim Parashkollor në këtë ministri, thotë se paraprakisht duhet të bëhet një analizë e shkollave për mundësitë që kanë.

“Jemi duke i bërë analizat, ende nuk kemi rezultate. Në bashkëpunim me Institutin Pedagogjik, jemi duke e nxjerrë një analizë për të gjitha elementet për klasët parafillorë dhe do të dalim me rezultat. Sapo ta kemi  klasën parafillore obligative, ne do të sigurojmë edhe librat edhe material didaktik që të punojnë fëmijët”, thotë Luzha.

Sipas zonjës Luzha, numri jo i rregullt dhe jo i saktë i fëmijëve në nivelin parashkollor, ka bërë që ministria e arsimit të mos planifikojë buxhet të veçantë për ngritjen dhe kompletimin e klasëve të nivelit parashkollor, me gjithë pajisjet e nevojshme për fëmijë.

Por, sa kanë nevojë shkollat në Kosovë që të pajisen me klasë të parashkollorëve të një standardi të pranueshëm?!

Nga një vizitë në disa shkolla duket se ka ende shumë nevojë të plotësohet, apo edhe të ndërrohet inventari dhe materiali didaktik me të cilin punohet me fëmijë në këtë nivel.

Ndërkohë, ministria e arsimit ka bërë një marrëveshje me CARITAS-in zvicërran për mobilimin e 150 klasave parafillorë me inventar dhe material didaktik, si dhe të bëjë trajnimin e edukatorëve që punojnë në ato klasë, thotë Luzha. Ajo veçon një plan-dokument, i marrë si model nga Zvicërra, i cili i është ofruar ministrisë të hartojë një dokument pune për fëmijët e nivelit parafillor.

“CARITAS-i na ka ndihmuar konkretisht që të hartojmë një udhëzues praktik për edukatore. Dhe pastaj në marrëveshjen e bashkëpunimit për inventarizim, në klasat të parafillorëve, të cilat vërtetë kanë një urgjencë të mobilimit. Gjithashtu po trajnojnë edukatorët për këtë projekt”.

Udhëheqësi i projektit “Edukimi Parashkollor”, në misionin e CARITAS-it në Kosovë, Albert Bakalli, thotë se deri tani janë përfshirë mbi 1 mijë e 600 fëmijë në 12 komuna, në Kosovë. Aktualisht po punojnë me shkolla në komunën e Klinës dhe të Rahovecit.

Z. Bakalli shpjegon formën e ndihmës që ofron CARITAS-i.

“Pajisja komplete e një klase, që nënkupton prej tepihit sepse fëmijët luajnë edhe në dysheme. Pastaj janë tavolinat, karriget, që nënkupton me një standard, siç janë ato të edukimit të fëmijëve në fëmijëri të hershme ose standardi për moshat e fëmijëve prej 3 deri në 6 vjeç. Pastaj kemi pakon e lodrave prej drurit që janë multifunskionale. Kjo ndihmë është mirëpritur dhe iu ka lehtësuar edhe punën e edukatorëve me fëmijë. Gjithashtu kjo ka ndihmuar që fëmijët shumë më mirë të zhvillohen dhe të përgatiten për klasë të parë”, thotë Bakalli.

Aktualisht, edukatorët punojnë me kurrikulën për moshën 3-6 vjeç, e cila lë hapësirë që edukatorët të planifikojnë vetë punën e tyre vjetore me fëmijë.

Ne vizituam disa grupe të fëmijëve në dy shkolla të qytetit të Prizrenit për të parë formën e edukimit parashkollor. Kur i takuam, ata ishin mbledhur në grupe dhe po luanin me material kryesisht prej druri.

Fitore Gashi edukatore, ka 9 vjet që punon me fëmijë. Ajo thotë se ende kanë nevojë për më shumë hapësirë, sepse ka në grup 28 fëmijë. Ajo veçon trajnimin që ka ndjekur nga CARITAS-i dhe thotë se tashmë është në gjendje të zhvillojë shumë aktivitete me fëmijë.

“Zakonisht përmes vizatimeve, aktiviteteve fizike, mësimit të poezive, këngëve. I ndajmë ditët, kemi shumë aktivitete dhe këta fëmijë janë të përgatitur për klasë të parë”, thotë Gashi.

Në këtë klasë kishte edhe fëmijë të komunitetit rom, boshnjak, ku është e angazhuar edhe edukatorja Behare Korllari e komunitetit rom.

Beharja thotë se fëmijët integrohen lehtë, në qoftë se mësueset e tyre nuk reflektojnë ndasi.

“Nëse edukatorja nuk vërehet, ajo i kyç ata në mënyrë pozitive, sigurisht se edhe fëmijët kanë do të arrijnë atë qëllim. Të komunitetit rom në këtë klasë janë gjashtë, janë larguar edhe tre të tjerë. Këta janë të barabartë. Sigurisht që mësojnë prej njëri-tjetrit më shumë se sa prej edukatorëve”, thotë Beharja.

Ndërkohë fëmijët luanin me lodra të shumta, kryesisht prej druri, përmes të cilave ata zbërthenin imagjinatën e tyre.

Këta janë fëmijë në nivelin parashkollor të Shkollës Fillore “Mati Logoreci”, në Prizren. Në një klasë tjetër fëmijët po punonin edhe me material riciklues, me ndihmën e mësues së tyre.

Mësuesja Nehale Sehari thotë se fëmijët arrijnë të zhvillohen më shumë përmes kreativitetit me punë dore, ku kryesisht përdorin material riciklues.

“Çdo ditë bëjmë punë kreative, punë dore. Por edhe fëmijët janë aq të angazhuar. Ne më shumë punojmë me material riciklues. I kërkojmë edhe prej fëmijëve që të sjellin nga shtëpia material riciklues, atë që është higjienik, për shembull, ambalazha të ndryshme, por ne bëjmë gjëra të mira me to këtu me fëmijë”, thotë mësuese Sahari.

Vizituam edhe shkollën fillore “Mustafa Bakia”, ku gjithashtu misioni i CARITAS-it të Zvicrrës ka investuar për pajisjen e klasave për parashkollorët. Udhëheqësi i projektit “Edukimi Parashkollor”, Albert Bakalli, thotë se ka disa shkolla në të cilat nuk mirëmbahet investimi dhe lodrat e fëmijëve.

“Te ato shkolla që kemi investuar, i kemi përcjellë 1 vit dhe pastaj kemi vazhduar me shkolla në komuna tjera. Kur jemi kthyer këtë vit në Rahovec, pashë në një shkollë që kemi investuar gjendja ishte jo e mirë. Diku me garancion materiali duhet të qëndrojë të paktën 10 vjet. Materiali prej druri prodhohet në Kosovë, nga një zdrukthtari në Drenas, vetëm modelin e inventarit kemi marrë nga Zvicra”, thotë Bakalli.

Ndërsa fëmijët që takuam në nivelin parashkollor në shkollën fillore “Mustafa Bakia” ishin afër 6 vjeç dhe të gatshëm tashmë për klasë të parë. Mësuese Marigona thotë se kanë kushte më të mira tani për punë me fëmijë.

“Na ka ndihmuar CARITAS-i shumë, janë karrige shumë të mira tash. I kemi pasur më herët shumë të papërshtatshme dhe kanë mund të na rrezikohen fëmijët”, thotë Marigona.

Udhëheqësi i projektit “Edukimi Parashkollor”, në misionin e CARITAS-it në Kosovë, Albert Bakalli, e thekson shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me drejtoritë e arsimit në komuna, në mënyrë që të identifikohen shkollat që kanë më shumë nevojë për ndihmë.

CARITAS-i ka investuar afër 800 mijë euro për realizimin e këtij projekti trevjeçar. Në përmbyllje të tij, në fund të vitit të ardhshëm, do të shqyrtohen mundësitë e vazhdimit të kësaj ndihme, thonë përfaqësues të këtij misioni në Kosovë./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme