Google ADS

Mujë Rugova në pension merr pagë 1400 € nga UP-ja (E plotësuar)

11:11 | 22 Prill 2015
Arbresh.info

Janë tre profesorë në Universitetin e Prishtinës, të cilët e mbajnë titullin “Profesor Emeritus”. Zejnel Kelmendi, Faik Brestovci dhe Mujë Rugova janë ata që e mbajnë këtë titull – dy prej tyre ishin rektor të UP-së. Ata marrin pagë në njëjtë me profesorin e rregullt në UP – mbi 1429 euro. Por, disa vite më pas, UP-ja del me konstatimin se ata nuk e përmbushin kriterin elementar për ta marrë atë titull. Madje, thotë se as dosjet e tyre për këta tituj nuk gjinden në Rektorat.

Zejnel Kelmendi, i cili ka qenë rektor i Universitetit të Prishtinës nga viti 1998 deri në vitin 2004, mban titullin “Profesor Emeritus”.

Propozimi për këtë titull erdhi nga Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë dhe u miratua nga Senati i Universitetit më 28 dhjetor të vitit 2006.

Vendimi u nënshkrua nga ish-rektori Enver Hasani, pas gati tri javësh, më 16 janar të vitit 2007.

Kjo procedurë e dhënies ishte konform statutit të atëhershëm të Universitetit të Prishtinës.

Por arsyetimi që ishte dhënë në vendimin për këtë titull binte ndesh me statutin.

Statuti precizonte se kandidati për këtë titull duhet të dallohet për nga arritjet e veçanta akademike dhe shkencore.

Pavarësisht kësaj, në arsyetimin e vendimit askund nuk përmendet se ai veçohet për të arriturat e veçanta akademike dhe shkencore.

“Titulli i sipërshënuar prof. dr. Zejnel Kelmendit, i jepet për kontribut të çmuar në konsolidimin dhe organizimin e mësimit në Universitetin e Prishtinës menjëherë pas përfundimit të luftës, promovimit dhe internacionalizimit të Universitetit tonë, me qëllim të ngritjes së reputacionit të Universitetit në botën akademike si dhe për angazhimin e tij për shtyrjen e proceseve pozitive dhe reformimin e Universitetit gjatë dy mandateve sa ishte rektor i Universitetit të Prishtinës”, thuhet në arsyetimin e vendimit për titull.

Tetë vite më vonë pas marrjes së këtij titulli është menaxhmenti i ri i UP-së që vlerëson se nuk ishin plotësuar kushtet që Zejnel Kelmendi të shpallej “Profesor Emeritus”.

“Për këtë angazhim individi mund të dekorohet, por jo t’i jepet një titull nderi për të cilin Statuti qartazi përcakton të arriturat e veçanta akademike si kriter”, tha Zejnullahu.

Dhënia e këtij titulli i solli Kelmendit edhe të ardhurat që arrinin pagën e profesorit të rregullt në UP.

“Profesorit Emeritus” do t’i jepet paga në larësi prej 501 euro, përkatësisht paga e profesorit të rregullt të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në paragrafin IV të vendimit të Senatit, të cilin e ka siguruar gazeta.

Ndonëse lartësia e pagës për këtë çmim ishte përcaktuar në bazë të pagës së profesorit të rregullt sa ishte atëherë, kjo ishte rritur krahas rritjes së pagës së profesorit të rregullt, e cila tash është mbi 1429 euro pagë bazë.

Por, profesor Zejnel Kelmendi, nuk flet shumë për këtë çështje. Gazeta e ka pyetur për detajet se si e mori këtë titull, por ai sugjeroi ta pyesim Rektoratin.

“Në Rektorat dhe Dekanat e dinë se si vijnë ata tituj. Pyetni atje”, tha Kelmendi përmes telefonit.

I pyetur për shpërputhjen mes Statutit dhe arsyetimit të vendimit për dhënien e titullit “Profesor Emeritus”, ai tha se kjo ishte punë e Rektoratit dhe Senatit.

Vlen të theksohet se edhe Statuti aktual i UP-së, pika 2 e nenit 181 kërkon që për titullin “Profesor Emeritus” kandidati duhet të ketë të arritura të veçanta akademike dhe shkencore.

Zejnel Kelmendi tashmë i ka 77 vjet. Neni 67 i Ligjit të Punës në Kosovë thotë se “Ndërprerja e kontratës së punës sipas fuqisë ligjore ndërpritet kur i punësuari mbush moshën e pensionimit, prej gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeç.

Por profesorët e pensionuar me tituj “Emeritus”, kanë të drejtën e angazhimit në UP deri në moshën 70 vjeçare, në bazë të Statutit aktual të UP-së.

Kelmendi tashmë ka kaluar shtatë vjet mbi këtë kohë. Por ai vazhdon ta marrë pagën mbi 1429 euro. Angazhimi i profesorit të pensionuar parashihej edhe me Statutin e vjetër, por për periudhë afatmesme. Statuti në atë kohë thoshte se “… Kualifikimet e tij konsiderohen të pa zëvendësueshme për një periudhë afatmesme nga ana e njësisë akademike…”.

Derisa Statuti i atëhershëm i UP-së më 2007 nuk përcaktonte decidivisht me vite kohën e kompensimit, është Statuti aktual që thotë se universiteti duhet ta paguajë titullin “Profesor Emeritus” deri në moshën 70 vjeçare.

Ramadan Zejnullahu, rektori aktual i UP-së, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se pret që senati i universitetit, konform Statutit, të mos ia vazhdojë më kompensimin tre profesorëve që e kanë titullin “Emeritus”.

Mujë Rugova mori titullin “Profesor Emeritus” në kohën sa ishte rektor

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës nga 2009 deri më 2012, Mujë Rugova, i bashkëngjitet vargut të profesorëve që mbajnë titullin “Profesor Emeritus”.

Rugova i cili tashmë ka mbushur 70 vjet, ishte propozuar për këtë titull prej tri katedrave – Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FShMN) – aty ku ishte edhe profesor, Fakulteti i Edukimit dhe asokohe Fakulteti i Shkencave Sportive (FShS).

Senati i UP-së, në mbledhjen e mbajtur më 21 maj 2012 mori vendim që Mujë Rugovës t’i jepej titulli në fjalë.

Për dallim nga Zejnel Kelmendi, në arsyetimin e vendimit për titullin e Rugovës thuhet se “Emeritus”-i i caktohet mbi bazën e arritjeve të veçanta akademike dhe shkencore, ashtu siç e kërkonte Statuti i UP-së.

Por nuk u respektua kaq preciz Statuti sa i përket kohëzgjatjes së pagesës për këtë titull. Në pikën IV të vendimit të Senatit thuhet se të ardhurat mujore Mujë Rugovës do t’i takojnë gjatë gjithë jetës.

“Të ardhurat mujore si në pikën IV të këtij vendimi, të përmendurit do t’i takojnë gjatë gjithë jetës së tij”, thuhet në vendim, të cilin e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

Vendimi përcaktonte që të ardhurat mujore për Mujën të jenë sa pagesa e profesorit të rregullt.

Por vendimin për Mujën e kishte nënshkruar Enver Kutllovci, vartësi i tij në atë kohë që mbante pozitën e prorektorit.

Kutllovci nuk i ka kthyer përgjigje Gazetës Jeta në Kosovë në pyetjen se pse e kishte nënshkruar një vendim që i kryente punë shefit të tij të asaj kohe.

Titullin që e morri Rugova po kontestohet nga Ramadan Zejnullahu, rektori i tashëm i UP-së.

“Vendimi i fundit në bazë të të cilit ish-rektorit i është dhënë ky titull në instancë të fundit paraqet konflikt interesi, sepse i është dhënë rektorit për aq kohë sa ka qenë në detyrë”, thotë rektori Zejnullahu.

Vendimi, shton ai, përmban mungesa juridike si arsyetimin e plotë dhe nuk është nënshkruar nga rektori edhe pse vendimet e Senatit, sipas tij, hyjnë në fuqi vetëm pasi të nënshkruhen nga ai.

“Një kompetencë ekskluzive e cila nuk mund të delegohet. Ky vendim është i vetmi i cili shprehimisht përcakton se të ardhurat mujore “do t’i takojnë gjatë gjithë jetës”, një pikë e cila qartazi bie ndesh me Statutin e UP-së”, thotë rektori.

Përfituesi i këtij çmimi, Mujë Rugova, nuk deshi të sqarojë asgjë rreth “Emeritus”-it.

“Hiç nuk jam i interesuar, kjo është çështje ligjore. Në qoftë se është diçka jashtë ligjore për “Emeritus”, këtë e rregullon ligji, e rregullon gjykata. Në qoftë se është në rregull – është në rregull dhe u kry kjo punë. S’kemi çka diskutojmë. Tash i ka ba Mujë Rugova 70 vjet që dy javë – e tash duhet me e çel këtë punë. Për këtë s’jam i interesuar, le të bëjnë çka  të donë”, tha Rugova.

Faik Brestovci, këshilltar i përjetshëm i Fakultetit Juridik

Edhe Faik Brestovci, i cili ka mbushur 73 vjet, pati fatin ta merrte po ashtu titullin “Profesor Emeritus” sikurse kolegët e tij, Kelmendi e Rugova.

Mbledhja e 3 korrikut 2007 i solli Brestovcit titullin “Profesor Emeritus”. Kjo erdhi si propozim i Fakultetit Juridik. Këtë epitet ai e mori “… mbi bazën e arritjeve të veçanta akademike, shkencore dhe të përvojës shumëvjeçare gjatë periudhës së tij si profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës”.

Paga e profesorit të rregullt i ishte përcaktuar edhe Brestovcit me marrjen e titullit që aktualisht kap shifrën e mbi 1429 eurosh pagë bazë..

Në Statut atëbotë thuhej se ky titull jepet për arsye se kualifikimet e profesorit të caktuar konsiderohen të pazëvendësueshme për një periudhë afatmesme – pra në bazë të nevojës që ka një njësi akademike për kualifikimet e atij profesori.

Por në pikën 2 të kontratës së nënshkruar mes ish-rektorit Enver Hasani dhe Faik Brestovcit, të cilën e posedon gazeta, thuhet se “në rast të pamundësisë së mbajtjes së mësimit, kompensimi vazhdon t’i paguhet si në lartësinë e paraparë në alinenë një të këtij neni” – (paga e profesorit të rregullt).

Përveç titullit “Profesor Emeritus”, Brestovcit, në po të njëjtën kontratë, ai ishte caktuar edhe në rolin e këshilltarit të Universitetit dhe të Fakultetit Juridik.

Rektori Zejnullahu këtë e sheh si papërgjegjësi institucionale.

“Përmasat e papërgjegjësisë institucionale me këtë rast më së miri vërehen kur lexoni njërën nga kontratat, në të cilën gjatë përshkrimit të angazhimeve, ndër të tjera shkruan: “Profesori ka edhe rol këshilltari i Universitetit dhe i Fakultetit Juridik”, thotë rektori Zejnullahu. “ Kjo i bie se përderisa ky profesor jeton, UP dhe Fakulteti Juridik kanë këshilltar të mbivendosur?!”, shton Zejnullahu.

Kontaktuam me Faik Brestovcin për këtë çështje. Në zyrën e tij në katin e tretë të Fakultetit Juridik, të cilën e ndanë bashkë me një profesor tjetër, gazeta ka biseduar rreth 30 minuta, por ai, pas gjithë bisedës, nuk pranoi të citohej për asnjë fjali me arsyetimin se flasin vetë dokumentet.

Kur gazeta e pyeti Brestovcin në zyrën e tij se a e ushtron ende rolin e këshilltarit, ai nuk sqaroi shumë përveç se e cilësonte atë si punë sekondare.

Ligji i Punës përcakton kohën e pensionimit në moshën 65 vjeç. Në kohën kur Brestovci e mori titullin“Emeritus”, periudha e angazhimit të profesorit të pensionuar me këtë titull përcaktohej si “periudhë afatmesme”.

Megjithatë, Brestovci tha se kjo periudhë nuk është e përcaktuar se sa vite i përfshinë.

Por eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi i tha gazetës se periudhë afatmesme llogaritet periudha 5-vjeçare. Po ashtu, si shembull për periudhë afatmesme gjetëm disa dokumente strategjike të Qeverisë, ku asnjëra prej tyre si periudhë afatmesme nuk kalonte periudhën 5-vjeçare.

Por derisa Statuti i vitit 2007 nuk e përcaktonte decidivisht me vite kohëzgjatjen e kompensimit, është Statuti aktual që e përcakton se një “Profesor Emeritus” duhet të paguhet deri në moshën 70 vjeçare.

Rektori: Çdo angazhim i tyre nga njësitë akademike është ilegal

Tre profesorët Zejnel Kelmendi, Faik Brestovci dhe Mujë Rugova, titullin “Profesor Emeritus” e morën në bazë të nenit 189 në Statutit që asokohe ishte në fuqi. Pika 2 e këtij neni përcaktonte periudhën afatmesme të kompensimit për këtë titull. Periudha kur profesori pensionohet është 65 vjeçare. Periudhë afatmesme llogaritet 5 vjet, që rrjedhimisht këta profesorë do të mund të angazhoheshin deri në moshën 70 vjeçare, të cilën e lejonte edhe Statuti i vjetër, por edhe ky që tash është në fuqi.

Pika 3 e nenit 181 e Statutit aktual të UP-së tashmë e përcakton qartë moshën për këtë titull.

“Profesori Emeritus” do të ketë të drejtën të japë mësim dhe të merret me punë shkencore në pajtim me kualifikimet e tij dhe të kërkesave të njësisë së veçantë akademike deri në moshën 70 vjeçare”, përcaktohet në Statutin e UP-së.

Marrë për bazë Statutin aktual, Zejnel Kelmendi (77) i bie se është kompensuar shtatë vjet më shumë sesa periudha e përcaktuar me Statut; Faik Brestovci (74) i bie të jetë kompensuar për katër vjet më shumë sesa që duhet; përderisa Mujë Rugova, siç thotë ai, i ka mbushur 70 vjet para dy javësh.

Megjithatë, rektori Ramadan Zejnullahu thotë se UP-ja me këta tre profesorë nuk ka kontratë. Madje, ai vlerëson se çdo angazhim i tyre nga njësitë akademike pas moshës 70 vjeçare, është ilegal.

“Me asnjërin nga këta ish-profesorë të UP-së nuk kemi nënshkruar kontratë për angazhimin e tyre. Kjo edhe për një arsye se një kontratë e tillë pas moshës 70 vjeçare do të ishte në kundërshtim me dispozitat e statutit të UP-së. Si rrjedhojë, çdo angazhim i tyre në procesin akademik nga ana e njësive akademike është ilegal”, thotë rektori Zejnullahu.

Ai thotë se këtë çështje e ka diskutuar në Këshillin Drejtues të UP-së, por ende nuk është marrë vendim.

“Deri tani dy herë e kam shtruar këtë çështje në Këshillin Drejtues, por vendim nuk është marrë. Është vendosur që në njërën nga mbledhjet e ardhshme të KD-së të përcaktohet lartësia e pagesës, kurse vendimi për vazhdimin ose jo të pagesës edhe pas moshës 70 vjeçare do të merret së shpejti dhe do të jetë në përputhje me Statutin e UP-së dhe praktikën në të kaluarën”, është shprehur rektori Zejnullahu.

Zejnullahu, gjithashtu ka pohuar se paga e tyre, e cila në mënyrë arbitrare është e barasvlerësuar  me atë të profesorit ordinar-profesorit të rregullt, që kapë vlerën prej mbi 1.470 euro në muaj, po jepet në kundërshtim me Statutin.

Zhduken dosjen e Kelmendit, Brestovcit e Mujës për  titujt “Emeritus”

Për ta vlerësuar më për së afërmi mënyrën se si këta profesorë janë shpallur “Emeritus”, Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga Rektorati dhe njësitë akademike qasje në dosjet e titujve për këta tre profesorë.

Por përgjigjja që e kthen rektori Zejnullahu nuk është e zakontë. Ai thotë se dosjet ose janë zhdukur ose nuk kanë ekzistuar kurrë.

“Dosjet me arsyetimet e kompletuara nga ana e njësive akademike tash janë zhdukur ose nuk kanë ekzistuar fare. Në arkivin e UP-së gjenden vetëm vendimet e Senatit dhe kontratat e asgjë më tepër”, thotë rektori Zejnullahu. “Është vështirë të bindet ndokush në UP, por edhe jashtë se kriteret akademike ishin bazë mbi të cilën këta profesorë u shpallën “Profesor Emeritus.”, shtoi ai.

Fakulteti i Mjekësisë, këshilli i të cilit e pati propozuar Zejnel Kelmendin për titullin “Profesor Emeritus”, udhëzoi që dosja të kërkohet në Rektorat.

“Dosjen e Prof. Dr. Zejnel Kelmendit, mund të kërkoni pranë zyreve të Rektoratit të UP-së, lidhur me titullin e marrë “Profesor Emeritus”, thotë Sekretari i Fakultetit të Mjekësisë, Visar Muqaj.

Kurse njësitë tjera akademike, të cilat po ashtu patën propozuar Brestovcin e Mujën për “Emeritus”, nuk kanë kthyer përgjigje.

Edhe Enver Hasani që nënshkroi vendimin për t’i dhënë Brestovcit e Kelmendit titullin “Emeritus” ende nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me marrjen e pagave nga ta edhe pas moshës 70 vjeçare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme