Masa Barisiç dhe Jurica Markoviç, dy artistët pas ekspozitës “Zoti dhe populli i tij kroat”, e cila aktualisht po shfaqet në galerinë Greta në Zagreb, thanë se ata duan të ngacmojnë të menduarit kritik rreth nacionalizmit në shoqërinë bashkëkohore.
Ekspozita përbëhet nga fotografi të mëdha, të cilat tregojnë një histori mbi Zotin që zemërohet me popullin kroat dhe i ndëshkon ata me një stuhi që shkakton një Epokë të re të Akullnajave, duke bërë që ata të dëbohen nga Toka.
Kroatët më pas vendosen në Hënë, ku ata ngrenë një vend të shenjtë turistik, dhe në Mars, ku ata ngenë një monument për presidentin e parë kroat të zgjedhur në mënyrë demokratike në vitet 1990, Franjo Tudjman, dhe e riemërojnë planetin pas tij.
“Kjo është një lloj lëvizje si ajo e Monty Python ose South Park. Ne e kemi çuar atë në prag të absurditetit absolut në mënyrë që të bëhet qesharake,” tha Barisiç për BIRN.
Titulli është një referencë ndaj sloganit “Zoti dhe kroatët”, shpikur nga politikani kroat i shekullit të 19-të dhe themeluesi i Partisë së të Drejtave, Ante Starceviç, i cili është i njohur si “Babai i atdheut”. Slogani përdoret ende nga partitë dhe grupet e krahut të djathtë edhe sot.
“Ne mund të themi se kjo është një lloj kritike ndaj shoqërisë për momentin. Kultura në vendin tonë po vuan. Buxheti i shtetit për kulturën është prerë, gjë që nuk është kurrë diçka e mirë,” tha Barisiç.
“Ata po emërtojnë çdo rrugë dhe shesh pas dr. Franjo Tudjman. Mendoj se diku duhet të ketë një vend për presidentin e parë të Kroacisë, por jo kudo ama,” shtoi ajo.
Kroatët ngenë një monument për Franjo Tudjman në Mars. Foto kortezi e Masa Barisiç dhe Jurica Markoviç. |
Gjatë viteve të fundit, një sërë hapësirash dhe monumentesh publike i janë dedikuar Tudjmanit dhe aeroporti i Zagrebit u riemërtua sipas ish-presidentit.
Për të theksuar këtë glorifikim të dyshuar të Tudjmanit, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut me bazë në Zagreb, në janar hapi një tender publik për një monument alternativ, duke u fokusuar në abuzimet me të drejtat e njeriut nën udhëheqjen e tij dhe rolin e Kroacisë në konfliktin me Bosnjën dhe Hercegovinën.
Kur në faqen e internetit Dnevno.hr u publikua një artikull në lidhje me ekspozitën, ai tërhoqi komente që akuzonin artistët se po ofendonin kroatët dhe katolikët dhe bëhej thirrje që financimi i tyre publik të ndërpritej.
Por Barisiç këmbënguli se ajo nuk dëshiron që ekspozita të shihet si një sulm, por si një kritikë konstruktive, sepse të dy artistët janë “vërtet të shqetësuar për situatën në shoqërinë ku jetojmë”.
“Kjo mund të merret si një provokim, por kryesisht ky është opinioni ynë për ngjarjet që po zhvillohen në Kroaci. Qëllimi ynë nuk ishte të ofendonim ndonjë personalisht, por të zgjojmë njerëzit dhe t’i bëjmë ata të mendojnë,” tha ajo.
Ekspozita “Zoti dhe populli i tij kroat” do të shfaqet në galerinë Greta në Zagreb deri të premten.
Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për po...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, KEK shpreson në sanimin e shpejtë...
Kryetari i Zubin Potokut: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ka d...
Shpërthimet në veri, Haradinaj: Organet e sigurisë të bashkë...
Përplasja e Xuxit me Kevinin shkaktoi momente të tensionuara...
Xuxi pyet Edin: “A i ke ra pishman që ke dal?” –Edi: “Pishma...