Gjimnazi ‘Frang Bardhi’ në Mitrovicë ka shënuar sot 70 vjetorin e themelimit, ku përveç nxënësve, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, kanë marrë pjesë edhe personalitete të jetës arsimore, shkencore, të kulturës e të politikës.
Në këtë ceremoni solemne ka marrë pjesë edhe ish-nxënësi i këtij gjimnazi që tash është në krye të Kuvendit të Kosovës.
Kadri Veseli me këtë rast tha se Mitrovica ka qenë gjithmonë vatër e arsimit, zhvillimit ekonomik dhe strehë për të gjithë shqiptarët gjithandej trojeve të tyre.
Sipas tij, të gjithë së bashku duhet që edhe më shumë të investojnë në arsim, sepse pa një arsim cilësorë do të jetë i pamundur edhe zhvillimi ekonomik.
“Sot të gjithë ne duhet bashkërisht të investojmë edhe më shumë në fushën e edukimit. Sot zhvillimi ekonomik nuk mund të paramendohet pa një zhvillim cilësor të edukimit. Mitrovica duhet të rikthehet fuqishëm si bazë e zhvillimit ekonomik të ven dit, zhvillimit të kulturës, por edhe të dijes për arsye se i ka të gjitha resurset e veta…Bashkërisht mund të arrijmë edhe më suksesshëm, të ecim përpara drejt qëllimeve tona të cilat janë sublime”, ka thënë Veseli.
Duke folur për historikun e këtij gjimnazi, drejtori Ismet Ferizi, tha se themelimi i gjimnazit ishte kurorëzim i idealeve dhe kërkesave historike të popullit shqiptar për arsim, dije, liri e demokraci.
“Ishte kjo një ngjarje e madhe në historinë e arsimit tonë, sepse me hapjen e këtij gjimnazi, u hap një horizont i ri për shqiptarët e këtij mjedisi dhe më gjerë. Themelimi i gjimnazit ishte themel dhe kurorëzim i idealeve dhe kërkesave historike të popullit shqiptar për arsim, dije dhe liri e demokraci”, ka thënë drejtori Ferizi.
Ndërsa kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se vetëm të bashkuar dhe pa dallime partiake, mund të çohen proceset përpara.
“Mund të them lirisht se Mitrovica dhe ky institucion, siç është gjimnazi, janë më të mirat që ka vendi…Shumë gjëra na lidhin bashkë, por duhet të jemi bashkë, sepse vetëm së bashku mund t’i çojmë proceset përpara”, theksoi Bahtiri.
Me këtë rast Bahtiri e ka lutur Veselin, që me ndikimin e tij të bëjë trysni tek ndërkombëtarët dhe të ndihmojë që qyteti i Mitrovicës të bashkohet.
“Zoti kryetar i Parlamentit, duhet të na ndihmoni ta bashkojmë Mitrovicën. E keni fuqinë dhe guximin tim të pashmangshëm për ta bërë këtë, dhe është koha të bashkohet Mitrovica…Trysni ndaj BE-së që këtë punë ta kryejmë me sukses”, ka thënë Bahtiri.
Në anën tjetër, edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, foli për figurën e Frang Bardhit, duke e quajtur atë si njëri nga atdhetarët më të mëdhenj të kombit.
Sipas tij, nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit ‘Frang Bardhi’ i kanë dhënë dinjitet jo vetëm shkollës, por edhe qytetit të Mitrovicës.
Ai për dallim nga kryetari Bahtiri, u shpreh se Mitrovica sot është e bashkuar dhe jo e ndarë.
“Mitrovica është e bashkuar, me ideale, qëllime, për të qenë një forcë e rëndësishme e zhvillimit të vendit. Mi trovica ka peshën e historisë dhe peshën ekonomike. Ashtu siç bëri luftën do të dij të bëjë edhe paqen, bashkëpunimin, të nxisë prodhime jo vetëm në nivel vendi, por edhe rajonal”, tha Minxhozi.
Gjatë kësaj ceremonie solemne u shfaq një dokumentar për historikun e kësaj shkolle, program kulturo-artistik, ndërsa në oborrin e gjimnazit ‘Frang Bardhi’ u zbulua busti i këtij humanisti dhe atdhetari shqiptar.
Vuçiq pyetet për rrezikun real të një lufte me Kosovën: Më k...
Dabiqaj “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda