Google ADS

Okteti ‘PEJA’, mrekulloi publikun në teatrin ‘Istref Begolli’

11:04 | 7 Maj 2016
Arbresh.info

Me një koncert live, në sallën e mbushur përplot, Okteti ‘PEJA’ ka shënuar 15 vjetorin e themelimit, një rrugëtim i gjatë me plotë sfida e suksese.
Tetë burrat e këtij Okteti janë ngjitur në skenën e teatrit ‘Istref Begolli’ të Pejës, ku me një program të përgatitur profesionalisht për 2 muaj me rradhë, kanë shfletuar historikun e rrugëtimit të tyre nëpërmjet këngëve dhe repertorit të zgjedhur.
E vogël ka qenë salla e teatrit ‘Istref Begolli’, për të pranuar një numër aq të madh të dashamirëve të këngës së Oktetit ‘Peja’, të cilët me performacën e tyre, për më shumë se 50 minuta kanë ndarë emocion dhe muzikë me publikun pejan.
Nuk kanë munguar të marrin pjesë as përfaqësues të jetës politike, si dhe ata të shoqërive tjera kulturo – artistike të qytetit.
Ali Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetar i Komunës, i pranishëm në këtë eveniment, Oktetin ‘Peja’ e ka quajtur aset të rëndësishëm të Pejës.
Fjalët më të mira dhe kritikat pozitive për Oktetin ‘Peja’ pas koncertit i kanë ndarë edhe Ismet Peja dhe Ramadan Krasniqi – Dani, pjesë e publikut.
Koncertin dhe tërë organizimin në shënim të 15 vjetorit të themelimit, Okteti ‘Peja’ e ka prezantuar në forca vetanake, pa mbështetje, as financiare e as infrastrukturore në tre vitet e fundit, është shprehur udhëheqësi i këtij formacioni, Erzen Berisha.
“Publiku dhe kjo atmosferë e pejanëve neve na shtyen të ecim tutje. Përndryshe, as më të voglën mbështetje institucionale nuk e kemi pasur.”,ka thënë Berisha.
E anëtari tjetër Dr. Nazmi Morina, nuk ka harruar të premtoi se performanca të tilla për publikun pejan e kosovar nuk do të mungojnë, meqë mikpritja e publikut i obligon edhe për më tepër angazhim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme