Mbretëresha e Natës nga Kosova në Oman

14:47 | 19 Prill 2015
Arbresh.info

As vetë s’e mban mend kur ka dëgjuar operë për herë të parë. Kishte kaluar një fëmijëri jo fort të zakonshme. Ishte rritur prapa skenave të njohura, në të cilat ngjitej e ëma e saj.

Marigona Qerkezi (22) është sopranoja që tashmë ka bërë emër në muzikën klasike. Karriera e saj e dyfishtë prej sopranoje e flautisteje, përfshin koncerte recitale, çmime ndërkombëtare e debutim në skena me renome në botë. Të fundit performancë e pati në Operën Mbretërore në Muscat të Omanit (Royal Opera Houese Muscat).

Debutoi me rolin e Mbretëreshës së Natës në “Fyellin magjik” të Wolfgang Amadeus Mozart. Kritika i ka dhënë epitetin “zë i artë”. Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Qerkezi rrëfen sesi frymëzimi i saj për t’iu dedikuar këtij profesioni është ngjizur qysh herët.

E rritur në skenë

“Kam pasur fatin e madh që fëmijëria ime shumë e hershme është rrethuar gjithmonë prej muzikës klasike, operave të ndryshme, shfaqjeve operistike, koncertale etj., në shtëpitë e mëdha operistike në botë, kudo që ka koncertuar nëna ime”, nis rrëfimin Qerkezi, e cila është e bija e mexosopranos së njohur Merita Juniku. E ishte e pashmangshme që kjo eksperiencë të mos ndikonte në zhvillimin e saj. Edhe në dëshirën që të përcaktohej për këtë profesion.
“Për herë të parë kam dalë në skenë kur kam qenë 6-vjeçare me një koncert në Lubjanë. Ka qenë performanca ime e parë dhe më kujtohet që publiku ishte i entuziazmuar për një moshë aq të vogël”, thotë ajo, shkruan KD.
Siç rrëfen Qerkezi, është ndjenjë e veçantë të rritesh në ambiente ku realizohen shfaqje operistike, duke vrojtuar me shumë kureshtje punën e madhe që bëhet prapa kuintave. Kur ajo ishte në moshë të re, e ëma e saj po bënte karrierë në skena operistike në Zagreb e Lubjanë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme