Google ADS

Sot nis festivali “Hasi Jehon”

09:31 | 2 Maj 2016
Arbresh.info

Edicioni i 27 i Festivalit folklorik “Hasi Jehon” nis sonte, në Kodrën e Pajtimit në fshatin Gjonaj, siç është tradita me paraqitjen e Shoqërisë Kulturore Artistikemikpritëse “Malësori”.

Festivali mbahet për tri netë me radhë me 2, 3 e 4 maj në Kodrën e Pajtimit, ku do të marrin pjesë shoqëri kulturore artistike që e kultivojnë folklorin burimor nga e gjithë gjeografia shqiptare.

“Numri më i madh i pjesëmarrësve vjen nga Kosova, ndërsa edhe këtë vit me programet e tyre do të prezantohen edhe grupe nga Maqedonia, nga pjesa shqiptare e Malit të zi dhe nga Shqipëria, thuhet në një komunikatë për media.

Sipas organizatorëve, sivjet përveç ekspozimit të prodhimit të bukës si zeje tradicionale e Hasit dhe ekspozitës së veshjes hasjane, pranë skenës së festivalit do ta organizohet edhe demonstrimi i gatimit por edhe i punimit me mjetet e duhura deri te finalizimi i veshjes hasjane.

Drejtori i këtij festivali, Haziz Hodaj, tha se këtë vit vështirësia tradicionale në organizimin e festivalit janë mjetet financiare.

“Edhe pse festivali është në agjendë n e Drejtorisë së Kulturës të KK të Prizrenit dhe Ministrisë së Kulturës të Qeverisë së Kosovës, mbështetja nuk mjafton për ta organizuar dhe realizuar gjithë projektin, kështu që përveç falënderimit për institucionet falënderoj edhe donatorët që janë dashamirë të këtij organizimi sepse të mos ishin këta vështirë do të realizohej i gjithë ky projekt” – tha Hodaj.

Në komunikatë më tej thuhet se juria profesionale do të vlerësojë programet më të kompletuara.
“Krahas tri shoqërive që vlerësohen me çmimet tradicionale: Malësori, Malësorja, Lahuta janë edhe çmimet individuale që i marrin këngëtarët, valltarët e ritet”, thuhet në fund të komunikatës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme