Festivali i filmit Prifest zgjon interesim tek artistët dhe qytetarët

22:40 | 22 Prill 2016
Arbresh.info

Me hapjen e festivalit Prishtina International Film Festival kryeqyteti kosovar, Prishtina, është kthyer në një hapësirë të madhe feste të kinemasë ku do shfaqen mbi 70 filma nga më të rinjtë.

E gjithë java gjatë Festivalit të Prifestit do të jetë e mbushur me programe, workshop-e, seminare dhe takime me ekspertë të filmit. Rëndësia Festivalit po rritet çdo ditë e më tepër, në sheshin “Zahir Pajaziti” ku po zhvillohet festivali organizatorët kanë siguruar një mijë karrige. Sipas organizatorëve, nga interesimi i sontëm shihet se do të ketë frekuentim shumë të madh dhe se ka etje për film në kryeqytet.

Drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha gjatë hapjes tha se ky festival është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për kinematografinë kosovare. Ajo tha se festivali, siç po ndodhë tani e tetë vjet, me të vërtet po arrin që të tërheq shumë kineastë të interesuar edhe nga rajoni dhe nga vendi.

 

“Ky festival është shumë i rëndës ishëm për Kosovën, është shumë i rëndësishëm për kinematografinë tonë. Por tani mendoj se është shumë i rëndësishëm edhe për një pjesë të regjionit tonë, sepse festival siç po ndodhë tani e tetë vjet me të vërtet po arrin që të tërheq shumë të interesuar kineastë edhe nga rajoni – jo vetëm që u shërben kineastëve të Kosovës. Kjo sa i përket pjesës së forumit, pjesës së ekspertëve që sjellim këtu pjesës së workshopeve, debateve dhe gjera të ndryshme që do të ndodhin në ditët në vijim”, tha Berisha.

Ajo tha se festivali do të thotë shumë edhe për qytetin dhe qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës, sepse krijon një festë të filmit te qytetarët. Sipas saj, qytetarët brenda një jave do të kenë mundësi të njihen me atë se çfarë po ndodhë në botë sa i përket kinematografisë duke parë shumë filma. Drejtoresha Berisha tha se në festival janë sjellë diku 70 filma dhe gjatë një jave për çdo ditë do të shfaqen 10 filma në ditë.

 

“Do të jenë 70 filma të cilët do shfaqen në ditët në vijim deri më datën 29 prill. Kanë ardhur diku 100 mysafir sot dhe dje. Nesër fillon forumi produksionit, platforma që ndihmon kineastët që të kenë mundësi të takohen me ekspert të ndryshëm, distributor dhe trajnime të ndryshme që do të mbahen. Do të jetë ne të vërtet një javë dinamike shumë e madhe si në aspektin e filmave ashtu edhe në aktivitetet që do të sjellim”, tha Berisha.

Berisha tha Festivali viteve paraprake është mbështetur nga Ministria e Kulturës, por jo edhe këtë vit. Sipas saj, fondet janë përgjysmuar edhe pse është ironike, sepse sivjet edicioni është më i madh se çdo herë tjetër. Por, sipas Berishës janë gjetur alternativat tjera nga sponsorë të ndryshëm.

Të gjithë filmat do të jenë g ratis për studentët dhe pensionistët, ndërsa për të tjerët në shitje është kartela javore që kushton 10 euro dhe me të mund të shihen të gjithë filmat që do të shfaqen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme