Google ADS

Hajde o te dada oooo, hajde o te dada oooo!

09:52 | 21 Prill 2016
Arbresh.info

Nga: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Së voni doli një propozim që ish-udhëheqësi jugosllav dhe vrasësi i atdhetarëve shqiptarë, që nga ata që ishin kundër komunizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, që ishte në dijeni për masakrën e Tivarit, aksionit për mbledhjen e armëve, shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve në Turqi, atdhetarëve dhe luftëtarëve të Shaban Polluzhës, të atyre të pasluftës, vrasjes, arrestimit dhe diferencimit të atyre që organizuan dhe morën pjesë në demonstrata, që nga viti 1968 e deri në vitin 1981, të cilët madje i quajti “plehra të Kosovës” duke u treguar se bira e miut vlen 300 groshë, Fadil Hoxha të dekorohet me titullin Nderi i Kombit nga presidenti i Shqipërisë. Propozimin e nënshkruan tetë akademikë të Klubit të Pensionistëve të Papunë, e quajtur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, sikur edhe valltarja e Moamer Gadafit që është kryetare e një komune në Kosovë. Këta akademikë janë bijë të Fadil Hoxhës dhe ish-sistemit komunist jugosllav, ndërsa njëri prej tyre u bë akademik duke u bë jetëshkrues, glorifikues, maskues dhe fshehës i krimeve të komunizmit dhe Fadil Hoxhës prandaj, në kohën e demokracisë së brishtë në Kosovë, ku antivlerat janë shndërruar në vlera, antikombëtarët në patriotë, hajdutët në ruajtës të thesarit, xhelatët në viktima, të pamoralshmit në ligjërues të moralit, mbytësit e lirisë në çlirimtarë, as ky propozim nuk duhet të na habisë aspak. Madje është përmbushje e një detyrimi moral të akademikëve të Fadilit dhe Sorajës së Gadafit ndaj atij që ishte pjesë e të gjitha proceseve politike, që nga koha e grupeve anarkiste të Shkodrës, krimeve serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kuvendit të Prizrenit, ku shqiptarët “me vullnetin” e tyre hoqën dorë nga bashkimi kombëtar dhe me Shqipërinë për t’u bashkuar me sllavët dhe Jugosllavinë (Serbinë e Madhe) e derisa e rrëzuan nga pushteti vejushat dhe gratë serbe të kohës së Millosheviqit dhe Azem Vllasit. Akademikët nga ish-Jugosllavia, e që përfitojnë pameritueshëm sot nga Kosova, duke u shpërblyer që i kanë shërbyer një regjimi shtypës, është dashur të tregojnë se pas Konferencës së Bujanit, pikërisht i propozuari i tyre u distancua nga këto vendime duke i dërguar një letër shokëve komunistë serbë të komitetit me të cilën distancohej nga “vendimet e ngutshme” që janë marrë në këtë konferencë. Gjithashtu, është dashur të tregojnë se si ishte përgjigjur kandidati i propozuar për Nderin e Kombit atyre që ishin ankuar për krimet monstruoze të komunistëve serbë, malazias dhe “shqiptarët” e Shefqet Peqit ndaj etnonacionalistëve të Shaban Polluzhës që luftonin për liri dhe bashkim kombëtarë për t’i mos lënë eshtrat në Tivar, Srem apo Triestë.

Vrasjet ishin aq të shumta në numër sa që, në pamundësi t’i varrosnin në varreza masive si në kohën e Sllobodan Millosheviqit, vetëm i mbulonin me një shtresë të hollë dheu duke iu mbetur këmbët me opinga mbi dhe duke u shqyer nga qentë endacakë. Fadil Hoxha atëherë ishte përgjigjur se do të kujdesen që të vrarët dhe të masakruarit të mbulohen mirë me dhe që t’u mos u duken gjymtyrët. Nuk u kishte thënë se do të angazhohej për ndërprerjen e krimeve sepse vet ishte pjesë e krimit. Kur Fahri Hoxha, i vëllai luhatej në trekëmbësh, ku ishte i varur, Fadili i akademikëve të ish-Jugosllavisë, thyente këmbët për t’u mos u vonuar në takimin e shokëve komunistë serbë të komitetit në Shtërpcë dhe të mos hidhërohen ata. Fadil Hoxha, kur Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës e filloi luftën për çlirimin e Kosovës paska deklaruar se “po ta kishte një moshë tjetër do t’i mbathte çizmet sikur në Luftën e Dytë Botërore dhe do t’u bashkëngjitej djemve dhe vajzave të UÇK-së”. E dinte shumë mirë se çizmet që i kishte mbathur në Luftën e Dytë Botërore duke u radhitur në anën e komunistëve serbë dhe jugosllavë nuk do t’i binin tamam në luftën e fundit mirëpo kjo ndikoi që ai të varrosej me nderime “ushtarake” të TMK-së, shumicën e të cilëve i pati quajtur plehra pas demonstratave të vitit 1981. Nuk la asgjë të shkruar pas vete, sepse nuk mund ta përjashtonte rolin e tij në këto masakra prandaj krimet që i bëri, nuk i luftoi, nuk i tregoi i mori me vete. Mirëpo la pas vete ata që vet i bëri për ta mbrojtur nga diçka nga e cila nuk mund të mbrohet dhe të cilët, për shkak të rolit të tyre në të kaluarën, nuk mund të sillen ndryshe. Prandaj, me përpjekjet e tyre “intelektuale” dhe “akademike” për këtë propozim të neveritshëm vetëm sa e dëshmojnë se kostumi i tyre “kombëtar” vetëm sa e lakuriqon përmbajtjen e tyre të mjerë nga e kaluara ose, të jem më i qartë, kostumi i tyre ua mbulon përmbajtjen sikur shtresa e hollë e dheut që ua mbulonte gjymtyrët të etnonacionalistëve të ekzekutuar të Shaban Poluzhës nga baballarët e atyre që u shërbyen akademikët e Fadilit. Ua kam borxh lexuesve të nderuar t’ua jap një sqarim për Sorajën, sepse gjeneratat e reja mund të mos kenë dëgjuar për të. Soraja ishte një valltare e bukur dhe ekzotike që pastaj, duke u martuar me Shahun e Iranit, Reza Pahlavi, nga valltarja u bë mbretëresha e Iranit. Në Shqipëri janë krejtësisht të painformuar dhe skajshmërisht të korruptuar kur ndahen dekoratat për qytetarët e Kosovës, që nga Qytetar Nderi, Katundar Nderi e deri te Nderi i Kombit. Edhe spiunët më të mëdhenj të UDB-së dhe Shërbimit Kundërzbulues të Ushtrisë së Jugosllavisë i kanë nderuar me Nderi i Kombit dhe dekorata të tjera duke e prostituuar deri në kurvëri këtë mundësi që ua jep Kushtetuta e Shqipërisë.

Biznesi ekonomik dhe biznesi politik:
Ekonomia e Kosovës mund të zhvillohet vetëm nëse zhvillohet ekonomia e vogël dhe ekonomia familjare. Realisht ka pasur përparime në këtë drejtim sepse janë formuar pika të grumbullimit të prodhuesve të qumështit, drithërave, manaferrave, pemëve dhe perimeve që prodhohen në Kosovë dhe prodhimeve të tjera. Edhe në fushën e politikës ka përparime të ndjeshme sepse merremi me politikë të vogël dhe fjalë të mëdha. Kështu, si shtet që e mbrojmë integritetin dhe sovranitetin e shtetit deri në makiaton dhe espreson e fundit, nuk lejuam organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë por lejuam pikat e grumbullimit të votave për zgjedhjet serbe në Kosovë të organizuara nga OSBE. Me ne nuk bëhet hajgare përveç se ne bëjmë hajgare me veten tonë.

Një dritë për karrierën time politike, në fund të tunelit:
Jam deklaruar më parë se nuk marr përgjegjësi për shkrimet andaj, vet deklarimi im publik më mbron nga çdo pasojë ligjore. Realisht jam shumë i pavendosur në marrjen e vendimeve të mëdha dhe dallohem për shkurtpamësi politike ndryshe do të isha në mesin e politikanëve të pozitës dhe opozitës, të pushtetit apo atyre që duan të bëhen pushtet. Në shkurtpamësinë time politike mendoja se po të shkoja te PDK do të duhej ta palosja bishtin para Hashimit ndëras me bisht të paluar nuk do të isha ky që jam. Pastaj, Hashimi si provokator, cinik dhe indikator siç është mund të më refuzojë me pretekst se nuk jam si Batoni sepse nuk i ngjaj atij, si nga e kaluara e tij patriotike e sidomos nga mençuria, se mund t’i pengojë Ademit, Xhavitit, Hajrës apo se Kamishit mund t’ia prish tymin e duhanit etj., kurse as ndaj Hashimit nuk kam qenë i mëshirshëm. Prandaj, Hashimi si historian që është, as nuk e harron të kaluarën e as nuk të falë.

Këta të LDK-së nuk më duan sepse thonë se nuk po ua pranojë presidentin historik Himë Govën sikur se edhe Skendën e pata bërë lesh në lojën e guxhave kur ishim fëmijë në Llap. Edhe Ismeti është kundër meje sepse po thotë se ta kemi dhënë robin e nuk po na dëgjon. Gjuhën serbe e flas sikur shqipen prandaj iu ofrova Lista Srpska duke u thirrur në fëmijërinë e përbashkët me Rada Trajkoviqin në Besianë. Më refuzuan me një argument bindës duke më akuzuar se jam për Velika Albanija dhe se thanë se, sa a kenë PDK-në dhe LDK-në për mua dyert janë të mbyllura.

Me LVV i kemi ndarë rrugët në çastin kur ata hynë në rrugën qorre, ndërsa aktivistët dhe patriotët e vërtetë i hodhën në Udhë të Madhe. Nëse LB i bënë nëntë veta bashkë, unë do të jem i dhjeti.

Nisma për Kosovën ishte dhe mbeti embrion politik dhe Bilalli nuk më lenë as të nuhas e lëre më të futem brenda.

AAK ishte partia ku kanë shkuar disa ish miq të afërt dhe që kanë mbetur në margjina apo janë shndërruar në dordolecë. E kisha një simpati për këtë parti sepse aty ishte Blerimi, mirëpo i kam dy arsye pse nuk bëhem anëtar; e para se nga aty ka ikur Donika dhe e dyta se për shkak të kërcënimit publik të Ramushit, një vit kam qenë në terapi të qetësuesve dhe kur kam dalë nga shtëpia nuk e kam bërë këtë pa u siguruar se Ramushi nuk është afër. Madje, edhe kur më thërriste në telefon Ramush Tahiri nga frika e hidhja telefonin duke menduar se po lajmërohet Ramushi nga “Interaktivi “! T’ua them të vërtetën se kurrë nuk kam qenë në siklet më të madh se kur më ka thirr Ramushi (Tahiri) dhe më ka thënë se është në “Rron”. Së paku tri orë nuk e kam lëshuar shtëpinë pa u siguruar se në “Rron” nuk është asnjë person me emrin Ramush. Fatmir-ësisht gjërat kanë ndryshuar për të mirë dhe Ramushi ka ndryshuar shumë, as nuk po kërcënon e as nuk po insiston të bëhet kryeministër. Tash e ka nënshkruar një kontratë të përbashkët me Nismën për zgjedhjet e parakohshme që ka gjasë të mbahen në vitin 2018. E kanë lansuar një ofertë publike për subjektet tjera politike, shoqërinë civile dhe individët se mund të bashkohen me ta. Kjo nënkupton se nuk keni nevojë të kërkoni mëshirë për t’u bërë anëtar i partisë e as të përuleni. Këtu e shoh shansin tim, të angazhohem në politikë dhe ta ruaj dinjitetin. Erdha!

Duhet t’i ndalet turri këtij Petrit burri:
Petrit Selimi ka vendosur me na marrë në qafë. Me na lanë pa serbë të Serbisë dhe në këtë mënyrë, përveç se po na lënë pa plazma keksa, po e rrezikon deri në shkordhim projektin fenomenal ndërkombëtar të Mati Ahtisarit, për Kosovën multietnike. I lus me përulje Nexhin dhe Lilën t’ia ndalin turrin këtij etnonacionalisti sa nuk është bërë vonë. Largojeni nga ky post vendimmarrës që po e rrezikon miqësinë e përjetshme me Serbinë dhe vendoseni në një vend tjetër, p.sh. në kabinetin e presidentit Thaçi. Ju lutem shumë ia bëni këtë të mirë Kosovës dhe të gjithë atyre që e duan vëllazërim-bashkimin e të cilët nuk janë pak. Ndryshe mbaruam krejt.

Pak fjalë për titullin:
Ditën kur u zgjedhë Hashim Thaçi president i Kosovës isha në sallën e Kuvendit. Po atë ditë në një shkrim i pata cekur 13 pika pse Hashimi do të zgjidhet president dhe ashtu ndodhi. Të gjithë presidentët janë zgjedhur me marrëveshje politike, që nga president i Malshidezekut, i cili ishte president pa shtet të njohur, Fatmirit, Behgjetit, Atifetja Dell dhe së fundi Hashimi. U paralajmërua një inaugurim bombastik që ishte në s’përputhje me rrethanat në vend dhe logjikën e shëndoshë. Prandaj nuk isha në këtë inaugurim ndonëse kisha ftesën. Realisht, në këto rrethana edhe po të çohej nga varri baba Shaban që më ka bërë duar dhe këmbë dhe pa mend, nuk do të isha pjesë e inaugurimit. Më bëri përshtypje që në këtë inaugurim merrnin pjesë edhe të tillë që kanë folur dhe shkruar për Thaçin zi e terr. Të pafytyrët mbesin të pafytyrë, në të gjitha rrethanat. Gabova që nuk e shita ftesën e rregullt ndonjë biznesmeni apo cigareshitësi. Pa mend jam, e pranoj. Më bëri përshtypje që Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, Zotëri Hashim Thaçi, i thuri lavde presidentit të Malshidezekut dhe presidentes në ikje ndërkaq asnjëherë nuk e përmendi Heroin e Gjallë të Kosovës dhe Nderin e Kombit, Bacën Adem Demaçi, që këta të luftës, si njeriu i parë, i bëri nga balta dhe i përkrahu në çastet më të vështira për ta, kur e kanë merituar dhe kur nuk e kanë merituar. Adem Demaçi i sëmurë dhe pa gojë nuk iu duhet më apo më mirë të them se pikërisht se si i tillë iu duhet. Madhështia e një politikani nuk qëndron në faktin se i lavdëron, për përfitime politike antivlerat ndërsa i injoron vlerat e mirëfillta. Sa më shumë që të bëhet përpjekje për injorimin e tyre, sikur ishte rasti me Bacën e Madh, Adem Demaçi, mjerimi i këtyre politikanëve do të jetë më i madh dhe turpi vetëm sa do të rritet. Të mbahesh për degë duke injoruar rrënjët është rruga më e sigurt drejt mbytjes. Hashim Thaçi dhe shumë të tjerë pavarësisht posteve që i kanë dhe do t’i kenë, gjithmonë do të mbeten nën hijen e dy krijuesve më të mëdhenj dhe të përjetshëm të veprave kombëtare, Adem Demaçit dhe Adem Jasharit. Këtë duhet ta kenë të qartë. Pas inaugurimit dhe pas largimit të disa mijëra policëve, në një kafene, një politikane për të cilën është shpikur posti sepse, duke mashtruar dhe gënjyer opinionin, i mbulon mashtrimet dhe gënjeshtrat më të mëdha, iu drejtua njërit nga rrethi i ngushtë i familjes së presidentit me fjalët: “Çka po rri more aty, hajde o te dada oooo”. Ky është mjerimi ynë kur dadat u vardisen dadave dhe bacave vetëm për ruajtjen e një posti të mjerë, ndërsa të ftuarit, edhe më të mjerë turrvrapojnë të bëhen pjesë e një tavoline intelektuale dhe ministrore. Të mjerë jemi, definitivisht. Ia kanë frikën me të drejtë Hashimit ndonëse, pavarësisht mospajtimit me te, mendoj se do të jetë më i mirë se krejt presidentët para tij. Historia nëpërmjet shembujve na mëson se mund ta pësoni keq nëse nuk jeni në dashuri me presidentin, Idi Amini, president i Ugandës i ka rrahur ministrat e Qeverisë dhe anëtarët e kabinetit deri në alivanosje. Ka raste kur edhe e ka ngrënë mishin e tyre, si kanibal! Hashimi i ka hëngër këta moti dhe tash mund t’i rikthejë vetëm si material riprodhues që edhe e meritojnë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme