Google ADS

Mbledh kuponët fiskal, fito para

13:37 | 17 Prill 2015
Arbresh.info

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se nga data 1 prill 2015, të gjithë konsumatorët të cilët dëshmojnë marrjen e kuponëve fiskal, do të përfitojnë para.

Sipas ATK-së, bazuar në legjislacionin tatimor, pas çdo shitje konsumatorit duhet t’i jepet dëshmia për mallin apo shërbimin e paguara.

“Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 1/2015, për të gjithë konsumatorët, që grumbullojnë kuponët fiskal dhe si të tillë i dërgojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskal në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kupon dhe me vlerë të përgjithshme nga 250 euro deri në 500 euro, do të rimbursohen në vlerën 10 euro. Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kupon dhe me vlerë të përgjithshme nga 501 euro deri në 800 euro, do të rimbursohen në vlerën 15 euro. Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kupon dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 euro do të rimbursohen në vlerën 20 euro”, njofton ATK-ja.

“Klientët do të dërgojnë kuponët fiskal në Regjionin më të afërt të ATK-së, në pliko të mbyllura me të dhënat personale dhe numrin e xhirollogarisë personale në njërën nga Bankat Komerciale në Kosovë. Pra, dorëzimi i plikove të mbyllura me kuponë fiskal të grumbulluar gjatë muajit Prill, Maj dhe Qershor, do të të dërgohen në ATK, duke filluar nga data 01.07.2015 deri më 31.07.2015.

Në këtë mënyrë, në baza tremujore konsumatorët do të kenë mundësi për të kërkuar rimbursimin edhe për periudhat tjera, pra duke dërguar plikot brenda muajit pasues pas çdo tremujori”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme