Rektori premton përkrahje për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare

13:03 | 9 Prill 2016
Arbresh.info

Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema ka premtuar se do të vazhdojë përkrahja për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Këtë premtim Dema e ka dhënë pas takimit që ka pasur me dekanen e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova dhe drejtorin e Seminarit, Rrahman Paçarizin.

“Nga ana e tij, rektori Demaj premtoi mbështetjen e nevojshme nga rektorati i Universitetit të Prishtinës, për mbarëvajtjen e Seminarit. Ai gjithashtu ka kërkuar nga dekanja Rugova dhe drejtori Paçarizi që ta ruajnë traditën e Seminarit dhe të bëjnë edhe më shumë përpjekje për organizimin dhe menaxhimin e mirë të këtij aktiviteti vjetor me shumë rëndësi, jo vetëm për Universitetin e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Rektoratit të UP’së.

Sipas njoftimit, mysafirët e njoftuan rektorin për përgatitjet lidhur me organizimin e edicionit të 35-të Seminarit që janë në kulmin e tyre dhe kërkuan vazhdimin e mbështetjes nga rektorati për këtë ngjarje, që ata e cilësuan si organizimin më të madh dhe më me traditë të shkencave albanologjike në botë.

Ndryshe, në njoftimin e lëshuar nga Rektorati, është shkruar gabim mbiemri i udhëheqësit të UP’së. Mbiemrit të rektorit i është shtuar edhe një germë më shumë nga Dema në “Demaj”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme