Bajrami: PISA, një test i rëndësishëm për Kosovën

17:09 | 15 Prill 2015
M. A.

Filloi sot në 225 shkolla të Kosovës, me përfshirjen e 5.300 nxënësve, testi i vlerësimit ndërkombëtar PISA, me të cilin Kosova iu bashkua 72 shteteve ku po bëhet vlerësimi ndërkombëtar i arritshmërisë së nxënësve.

Vlerësim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është se kjo paraqet një ngjarje me rëndësi për sistemin e arsimit në Kosovë. Ata presin që Kosova të renditet në radhën e vendeve të rajonit, mirëpo ata vlerësojnë se ky test ka rëndësi të madhe për arsye se nëpërmjet tij do të mund të shihet se ku janë, që në të ardhmen të mund ta rrisin cilësinë e arsimit parauniversitar.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami vizitoi me këtë rast Shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, ku para gazetarëve deklaroi se PISA është një test i rëndësishëm, jo vetëm për nxënësit dhe kuadrin arsimor, por edhe për gjithë Kosovën.

“Kosova po i bashkohet vlerësimit  global PISA, po iu bashkohet 72 shteteve ku po bëhet vlerësimi ndërkombëtar i arritshmërisë së nxënësve. Është ky një sukses i madh se ne jemi pranuar si anëtarë me të drejta të plota në Organizatën Botërore për Zhvillim Ekonomik. Ky është vlerësimi më i besueshëm në botë sa i përket arritshmerisë dhe inteligjencës së nxënësve dhe 5.300 nxënës 15-vjeç sot hynë në këtë test ndërkombëtar”, tha Bajrami.

Ministri i Arsimit shtoi se ky test është me stres kombëtar, mirëpo këtë stres e kanë pasur edhe vendet tjera, si Gjermania, ku shteti nuk ka qenë i kënaqur me arritjet në matematikë nga nxënësit e vet. Mirëpo, ai tha se çfarëdo që të jenë rezultatet, ato do të mirëpriten, ngase kjo është mënyra më e mirë për të parë gjendjen tonë dhe për të punuar për një arsim më cilësor.

“Nëpërmjet këtij testi  do të shohim se a është faji tek mësuesit, apo tek librat,  apo tek metodat e shpjegimit, a është faji tek ngarkesa e nxënësve me teori dhe mosaftësimi për shkathtësi praktike dhe këto rezultate do të na ndihmojnë që të krijojmë një aftësim me standardet evropiane”, tha Bajrami.

Koordinatori i shkollës që u vizitua gjatë testimit, Haki Krasniqi, tha se procesi i testimit po zhvillohet sipas rregullave të parapara nga ndërkombëtarët

“Procesi i testit deri më tani është duke ecur shumë mirë, ka filluar me kohë në ora 10:30. Gjithçka është në rregull, përgatitjet janë bërë si nga ana e shkollës ashtu edhe nga ana e Ministrisë. Rezultatet e testit nuk do të dalin edhe një vit dhe ato dalin në nivel të përgjithshëm, e jo në nivel individual”, deklaroi Krasniqi.

Nxënësit të cilët iu nënshtruan testit thanë se ai nuk ishte aspak i vështirë, pyetjet kanë qenë shumë logjike dhe ato i kanë mësuar viteve paraprake. Ata janë të bindur se do t’ia dalin me sukses dhe u shprehën të kënaqur me punën që kanë bërë.

“Nuk ishte aq i vështirë sa e kemi menduar në fillim, por as i lehtë jo megjithatë ne e përfunduam aty ishin dikund 100 pyetje nga Gjuha Shqipe, Matematika, Biologji, Fizikë, Kimi”, tha Donika Selmani.

Njomza Zhugolli pajtohet me shoqen e saj Donikën për atë se testi nuk ishte i vështirë.

‘’Testi s’ishte shumë i vështirë. Normal pak stres kemi pasur, por mendojmë se do ta kalojmë me sukses. Kemi pasur kohë mjaftueshëm – diku 2 orë e gjysmë”, tha Njomza.

Testi nuk i ishte dukur i rëndë as nxënësit Sahit Mjeku.

“Testi nuk ishte edhe aq i vështirë. Mirë kemi kaluar, pyetjet ishin më shumë logjike, të jetës së përditshme”, deklaroi Sahiti.

Rezultatet e testit priten, i cili do të zgjasë 3 ditë, të dalin vitin e ardhshëm dhe MASHT-ti shpreson se Kosova do të renditet me vendet e rajonit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme