Google ADS

“Askushi” fiton çmimin e parë për Dramë Origjinale Shqipe

15:01 | 25 Mars 2016
M. A.

Në bazë të Rregullores nr. 05/2013 (MKRS) për ndarjen e çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, Juria Profesionale për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” e emëruar nga Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ka bërë vlerësimin për dramat më të mira për vitin 2015, ku edhe ka ndarë tri çmimet e para.

Drama “Askushi”, e autorit Bashkim Hoxha ka fituar çmimin e parë, “Një botë më tutje” e autorit Ardian-Christian Kyçyku dhe me çmimin e tretë, juria e ka vlerësuar dramën “Shtrati me gozhda” të autorit Pashtrik Brahaj.

Të tre laureatët shpërblehen financiarisht. Çmimi i parë ka vlerën prej 3600 euro, i dyti 2400 euro dhe çmimi i tretë ka vlerën e 1200 eurove. Në bazë të rregullores, drama që ka fituar çmimin e parë konsiderohet si dramë potenciale për inskenim në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërkaq të tria dramat fitojnë të drejtën e leximit skenik në TKK dhe të botimit.

Juria Profesionale ka qenë në përbërje të Besim Rexhaj, Bislim Muçaj, Agim Selimi, Agon Myftari dhe Zeta Bahtiri, kanë theksuar faktin se produksioni dramatik i ofruar nga aplikantët në konkursin e vitit 2015 ka qenë jashtëzakonisht i pasur, duke qenë se kanë konkurruar 14 drama.

Ndarja e çmimeve për tri dramat më të mira do bëhet përmes një ceremonie të organizuar nga MKRS-ja. Kurse, konkursi për Dramën më të mirë Origjinale Shqipe për këtë vit pritet të shpallet në ditët në vijim e opinioni do të njoftohet me kohë për të dyja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme