Google ADS

Importuesit e vezëve hedhin në treg për konsum vezët industriale

09:43 | 20 Mars 2016
Arbresh.info

Vezët të cilat po importohen në tregun e Kosovës me destinim për përpunim industrial, dyshohet se po shiten për konsumim të qytetarëve. Kjo tregohet në një dokument që e ka siguruar KosovaPress. Për këtë fenomen janë të shqetësuar edhe fermerët, pasi thonë se kjo formë e tregtisë, përveç dëmtimit të tregut po e rrezikon edhe shëndetin e konsumatorëve.

Këto shqetësime i ka shpreh për KosovaPres, kryetari i Shoqatës së Shpendarisë, Agim Sahiti, i cili tha se Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit (AVUK), duhet të jetë më aktive gjatë kontrolleve dhe mos të lejojë që importuesit e vezëve të bëjnë deklarime me dokumentacione të falsifikuara. Sipas tij, çmimi i importit të vezëve me destinim për procesim apo prodhim, ka taksa më të ulëta se sa çmimi i vezëve që janë të destinuara për konsum.

Ndërsa, Bajram Islami, përfaqësues i kompanisë “Lami”, i cili sipas dokumentacionit që redaksia e ka siguruar del të ketë importuar vezë të kategorisë B, që janë të destinuara për procesim e që të njëjtat dyshohet se janë hedhur në treg për konsum. Ai nuk ka pranuar të flasë para kamerave, por prapa kamerave ka treguar dokumentacionet që i posedon, ku në të n jëjtat thuhet se ai ka importuar vezët për konsum. Islami ka thënë se ato dokumentacione të cilat i posedon redaksia e KosovaPress, nuk janë reale.

Zyrtarët e AVUK, institucion i cili është përgjegjës për kontrollin e cilësisë së produkteve dhe për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për përcaktimin e cilësisë së vezëve, nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se a është e lejuar që vezët e destinuara për prodhim të shiten për konsum. Pas shumë përpjekjeve që të marrim përgjigje një gjë e tillë ka qenë e pa mundur.

“Vezët që hynë në Kosovë me dokumentacionin përcjellës kanë shënime ku thuhet që janë për procesim, ndërsa po shiten në tregjet e Kosovës me pakicë. Qëllimi i këtij dokumentacioni përcjellës është për arsyetimin e uljes të çmimit. A është vërtet se këto vezë janë për procesim. Kjo i mbetet AVUK-ut ta argumentoj me anë të analiz ave që duhet t’i bëjnë. Ne i bëjmë thirrje, AVUK që të jetë më aktiv, të bëjë kontrolle, pa marrë parasysh dokumentacionit përcjellës nga shtetet që vijnë. Ky është një dëm i madh …. edhe nëse janë vërtet për procesim, ato duhet të shkojnë në përpunim në fabrikat e ndryshme, por jo të shiten direkt për konsumatorë të Kosovës”, tha Sahiti.

Sasia e vezëve të importuar gjatë dy muajve të këtij viti e kalon sasinë e importit të total vitit 2015. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2015, janë importuar mbi 3 milionë copë vezë apo 135 kilogramë. Ndërsa për dy muaj të këtij viti, importi i vezëve sipas Adriatik Stavilecit, zëdhënës i Doganave të Kosovës është 2.9 milionë copë apo 150 kilogramë. Sipas Stavilecit, mbi 60 për qind të vezëve importohen nga Shqipëria, ndërsa pjesa tjetër nga Maqedonia dhe Italia.

Drejtori i Rrjetit të Organizatave Joqeveritare “Avonet”, Kenan Gashi, tha se është shqetësuese fakti që cilësia e mallrave që importohet te ne nuk është në nivelin e duhur.

“Rrjeti i Organizata jo Qeveritare, që në vitin 2014 ka ngritur këtë shqetësim. Sepse destinacioni i disa produkteve që vijnë nga shtete të ndryshme nuk janë të orientuara në atë që është për qytetarët e Republikës së Kosovës. Vazhdimisht ne e kemi ngritur këtë shqetësim sepse vetë kontrolli qeveritarë nuk është në nivel të duhur… Ne jemi shumë të shqetësuar, sidomos në çështjen që ka të bëjë me ri-destinimin e tyre dhe në të njëjtën kohë ato mund të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.”, tha Gashi.

Deputeti i LDK, njëherit anëtar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Blerim Garinca, hedh dyshime për sasinë e madhe e importit të vezëve.

 

“Nëse në Kosovë kanë hyrë për dy muaj sasi të veve sa konsumohen brenda një viti, kjo do të thotë se kemi grumbullim të stoqeve ose keqpërdorim të veve që janë importuar për qëllim të prodhimit dhe shkojnë për konsum. Prandaj, ideja e gjithë kësaj qëndron te ajo se duhet të rritet vigjilenca në pikat doganore. .. Unë jam njëri nga ata që kamë ngritur shqetësime për keqpërdorime të mundshme në dogana, për paaftësinë e AVUK-ut, për të kontrolluar këtë çështje dhe dobësitë në menaxhim qëka pasur në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Prandaj, janë tri hallkat të sistemit që duhet të funksionojnë për t’u zgjidhur ky problem”, tha Grainca.

Ai tha se në Komisionin për Zhvillim Ekonomik në njërën nga mbledhjet do të ngrejësi shqetësim.

“Do të interesohemi për këtë çë shtje në mënyrë që në njërën nga mbledhjet e ardhshme ta ngrejë si shqetësim. Ju e dini që programi qeverisës i Qeverisë është i bazuar në tregti të lirë të tregut, pa monopole dhe pa çmime dampingu. Prandaj, jemi kundër gjitha gjërave të cilat e cenojnë këtë çështje dhe do të punojmë në zgjidhjen e problemit.”, tha Grainca.

Ndryshe, në nenin 9 të Udhëzimit Administrativ për përcaktimin e cilësisë së vezëve të cilën duhet të zbatojë AVUK thuhet: “Klasifikimi i vezëve duke iu referuar cilësisë së vezëve, vezët kategorizohen në: a) vezë të klasës ”A” ose vezë të freskëta; b) vezë të klasës ”B” të dedikuara për përpunim industrial. Po ashtu, edhe neni 31 i këtij Udhëzimi thuhet: “Traka dhe etiketa për vezë industriale. Nëse vezët e paketuara i janë destinuar përpunimit industrial, trakat dhe etiketat duhet të jenë me ngjyrë të kuqe. Ne trakat dhe etiketat nga paragrafi 1 i këtij neni duhet të jenë të vendosura të dhënat e lexueshme: a) emri dhe adresa e subjektit për të cilin janë destinuar vezët; b) emri dhe adresa e subjektit që i distribuon vezët; c) shenja “Vezë industriale” e shkruar me shkronja të zeza të shtypit të larta 2 cm dhe shenja “të papërshtatshme për ushqim të njerëzve” e shënuar me shkronja të zeza të larta 0.8 cm. 31.3 Traka dhe etiketa nga paragrafi 1 i këtij neni, mund të përdoret vetëm një herë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme