Google ADS

Prindërit apelojnë që shkollat mos të shndërrohen në arena të dhunës

16:15 | 16 Mars 2016
M. A.

Këshilli i Prindërve të Arsimit të Kosovës ka reaguar lidhur me përdorimin e dhunës fizike dhe psikologjike në shkollat e Kosovës.

Duke iu referuar rastit të mësimdhënësit nga Rahoveci, i cili para dy ditësh kishte rrahur një nxënës të klasës së tetë, prindërit kanë apeluar që shkollat e Kosovës mos të shndërrohen në arena të dhunës.

“Prindërit e Kosovës ndjehen tejet të shqetësuar me aktet e dhunës fizike të cilat po ushtrohen nëpër shkolla të ndryshme anekënd Republikës së Kosovës. Rasti I fundit i cili ndodhi ditë më parë në një shkollë të Rahovecit, ku shihet një mësimdhënës duke përdorë dhunë fizike ndaj nxënësit të tij është tejet shqetësuese dhe e pa tolerueshme. Raste të ngjashme ka pasur edhe më herët edhe nga mësimdhënësit por edhe nga vetë nxënësit duke shkaktuar dhunë, jo tolerance dhe pasiguri në shkolla”, thuhet në reagim.

Përmes kësaj komunikate, Këshilli i Prindërve kërkojnë marrjen e masave urgjente për parandalimin e konflikteve fizike nga kushdo qoftë që kryhen ato, dhe mos të lejohet që shkollat të shndërrohen në arena të dhunës.

“Përkundër që MASHT-i ka hartuar një udhëzim administrativ që parandalon përdorimin e dhunës dhe sjelljen deviante të personelit arsimor, fatkeqësisht këto gjëra po përsëriten, andaj me këtë rast, kërkojmë sensibilizimin e të gjithë aktorëve duke përfshirë MASHT, DKA, prindërit, Policinë e Kosovës, nxënësit dhe shoqërinë civile që të angazhohen për përmirësimin e ambientit më të sigurtë dhe largimin e dhunës nga shkolla”, thuhet tutje në reagim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme