Google ADS

Mustafa: Prodhuesit kosovarë po rrisin eksportet

11:14 | 16 Mars 2016
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot kompaninë e lëngjeve “Frutex” në Suharekë, njëra prej kompanive të suksesshme e cila eksporton në 16 vende të ndryshme të botës.

Në mënyrë simbolike, kompania sot filloi të eksportojë edhe në tre vende Liberi, Sllovaki dhe Kuvajt, ndërkaq që javën e kaluar ka filluar eksportin në Belgjikë dhe Suedi.

Pas vizitës në fabrikën e prodhimit të pijeve dhe ambientet tjera të kompanisë, kryeministri Isa Mustafa përgëzoi drejtuesit e kompanisë, të cilët arritën që të shtojnë në listën e shteteve ku eksportojnë edhe këto tre vende.

“Unë mendoj se ky është një sukses shumë i madh. Është një rezultat i punës së madhe që është bërë në këtë firmë, por edhe të njerëzve të vyeshëm që kanë sens biznesi, që me punën  e tyre dhe me angazhimin e tyre kanë arritur suksese shumë të mëdha”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Mustafa tha gjithashtu se kompania “Frutex” duhet të merret si shembull edhe nga të tjerat në Kosovë.

“Firmat si këto nuk kanë probleme sepse janë konkurruese, kanë cilësi shumë të mirë dhe kanë edhe ambalazhim shumë të mirë të produkteve, dizajn i cili i përgjigjet edhe kërkesës edhe syrit evropian. Ky është një shembull shumë i mirë që edhe firmat e tjera të veprojnë kështu dhe të jemi më shumë prezentë në tregun botëror dhe në tregun evropian”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa e vlerësoi shumë të rëndësishme edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, për hapjen e mundësive të prodhuesve kosovarë për të arritur në tregun evropian.

“Kosova ka trende pozitive tani në rritjen e eksportit, sidomos të pijeve dhe kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në afirmimin e produkteve tona jashtë, por edhe në zëvendësimin e importeve të cilat nuk janë të nevojshme, meqenëse kemi cilësi shumë më të mira të produkteve të cilat ne i prodhojmë këtu sesa ato që i importojmë. Ne tani duhet të shfrytëzojmë maksimalisht edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje më 1 prill të këtij viti, në mënyrë që të hapim mundësinë që tregjet tona të marrin pjesë në tregun evropian me rreth 500 milionë banorë, që është një shans shumë i mirë”, tha kryeministri Mustafa.

Presidenti i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, falënderoi kryeministrin Mustafa për përkrahjen dhe kërkoi që të vazhdohet edhe më tej me reformat dhe përmirësimin e politikave fiskale.

“Këto politika fiskale në radhë të parë neve si prodhues do të na fuqizonin, sepse mendoj që kompanitë prodhuese do të jenë promotor të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës, krijimit të vendeve të reja të punës dhe natyrisht të përmirësimit të bilancit tregtar, i cili fatkeqësisht është mjaft negativ. Gjithashtu, presim që edhe hyrja në fuqi e MSA-së për prodhuesit, në radhë të parë përmes granteve të cilat janë të paraparë për pesë vitet e ardhshme, në një vlerë mbi 500 milionë, të investohen, të krijohen mundësi për rritje të kapaciteteve dhe kështu të jemi më prezent në tregun vendor, por edhe në tregjet e Bashkësisë Evropiane”, theksoi Palushi.

Sipas tij, kompania “Frutex” në vitin e kaluar ka eksportuar mbi 240 maune në 16 vende të ndryshme të botës, ndërsa parashikimet për këtë vit janë që të ketë rritje prej 20 deri në 30 për qind të eksportit.

Në interesimin e gazetarëve lidhur me çështjen e emërimit të OSHP-së, kryeministri Mustafa u shpreh i bindur se nuk ka asnjë arsye që të rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave, për faktin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

“Nuk ka asnjë arsye që të rrezikohet sepse ne kemi plotësuar të gjitha kriteret. Sa i përket OSHP-së edhe sistemit të prokurimit, unë mund t’ju them se ne vitin e kaluar kemi kompletuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, kemi ndryshuar Ligjin mbi Prokurimin, kemi kaluar nga ky vit në prokurimin elektronik, dje edhe i kemi përcaktuar fazat e zbatimit të prokurimit elektronik gjatë këtij viti në të gjitha agjencionet qendrore, ndërkaq nga viti i ardhshëm e bëjmë edhe në pushtetin lokal. Çështja e zgjedhjes së anëtarëve të OSHP-së është çështje praktike, e cila nëse nuk është kryer dje, kryhet për një javë ditë. Janë çështje të cilat do të ndodhin gjithmonë, sepse gjithmonë do të kemi zgjedhje dhe rizgjedhje. Mirëpo është me rëndësi që ne kemi siguruar që me ligj ky organ të jetë i pavarur, dhe të jetë profesional”, tha kryeministri Mustafa.

Lidhur me kompletimin e kabinetit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa tha se do të ketë një përplotësim si rezultat i shkuarjes së z. Thaçi në pozitën e presidentit të vendit. “Çështjet e tjera të reformatizimit  mbeten çështje vazhduese sepse gjithmonë do të matim performancën e Qeverisë dhe karshi performancës do të bëjmë ndryshime”, u shpreh kryeministri Mustafa.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme