Me miratimin e Ligjit të ri për Maturën Shtetërore këtë vit do të ketë shumë risi. Rreth 34 mijë maturantë që këtë vit do ta përfundojnë shkollimin do të pajisen me diplomë, ndërsa ata të cilët duan ta vazhdojnë shkollimin e lartë do të duhet t’i nënshtrohen Provimit të Maturës dhe do të pajisen me certifikatë.
Ndryshime do të ketë edhe në pragun e kalueshmërisë, nga 50 për qind sa ka qenë më herët, këtë vit pragu i kalueshmërisë ka zbritur në 40 për qind. Ndryshime ka pësuar edhe emri i komisionit që e organizon provimin e maturës. Tash e tutje Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës do të thirret Komisioni Shtetëror i Maturës. Pjesa e parë e maturës këtë vit do të mbahet më 4 qershor, kurse pjesa e dytë më 18 qershor. Rezultatet e Maturës 2016 do të shpallen më 30 qershor, kurse paraqitja e provimit këtë vit do të jetë falas.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës (KSHM), Azem Guri, ka treguar edhe detaje të tjera që kanë ndryshuar në provimin e maturës. Guri ka thënë për “Epokën e re” se ky komision ka filluar përgatitjet dhe se gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Ai ka bërë me dije se deri në fund të marsit do të përfundojnë përgatitjet sa i përket provimit të maturës.
“Komisioni Shtetëror i Maturës është duke i bërë përgatitjet sipas planit të veprimit që e ka paraparë ky komision. Ky ligj ka disa risi. E para, me këtë ligj kandidatët me rastin e përfundimit të klasës së 12 në gjimnaze me sukses pozitiv pajisen me diplomë. Njëkohësisht kjo vlen edhe për shkollat e mesme profesionale, por ata e kanë edhe provimin e brendshëm të cilin e organizon shkolla. Edhe kandidatët pajisen me diploma në raste të tilla por, nëse kandidatët janë të interesuar për t’u regjistruar në universitete, ata janë të obliguar t’i nënshtrohen provimit të maturës. Me këtë rast, ata duhet të arrijnë 40 për qind të pikëve. Pragu i kalueshmërisë është 40 për qind dhe ata pajisen me certifikatë nga KSHM-ja, dmth. pas marrjes së diplomës dhe certifikatës ata kanë të drejtë të aplikojnë në universitet”, ka thënë Guri.
Ai ka thënë se edhe këtë vit forma e administrimit do të jetë e njëjtë. Sipas tij, këtë vit do të fokusohen edhe në ndryshim të formatit të pyetjeve.
“Në vitet paraprake kemi pasur 120 pyetje nga lëndët e përgjithshme dhe kanë vlejtur edhe në shkollat profesionale. Risia është se do të kemi 100 pyetje dhe pjesa e dytë në lëndët e përafërta me profesion do të kemi 100 pyetje. Sërish testi do t’i ketë 200 pyetje, por jo me atë përbërje”, ka theksuar ai.
Guri ka shtuar se janë duke e përgatitur edhe fletëpalosjen në të cilën mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe aktorët e tjerë do të informohen për të gjitha detajet rreth Maturës 2016.
“Ne para se të ndërtojmë infrastrukturën e Maturës 2016 kemi qenë në terren dhe komunikuar me të gjithë aktorët, me fokus të veçantë rreth përpilimit të pyetjeve. Sa i përket formatit të pyetjeje, do të jenë më të avancuara se në vitet e tjera. Administrimi do të jetë përafërsisht i njëjtë”, ka thënë Guri, duke bërë me dije se janë edhe në përfundim të dizajnit të diplomës dhe të certifikatës.
Kompanitë gjermane po ulin gjithnjë e më shumë orët e punës ...
13 persona të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në Ugandë
Kurti uron Shqipërinë: 28 Nëntori na bashkon të gjithë shqip...
Parada për 112-vjetorin e Pavarësisë “kthen” në rrënjët e at...
“Emocioni mbetet i njëjtë edhe pas 112 vitesh”, stërnipi i I...
Osmani: Vepra e prof. Repishtit dëshmi e guximit për lirinë ...