Google ADS

Presidenti i ri i Kosovës nën hijen e refuzimit

09:05 | 29 Shkurt 2016
Arbresh.info

Nga: Vilma Filaj-Ballvora

Nuk është ogur i mirë për një vend, kur zgjedhja e presidentit eklipsohet prej protestës masive: forca policie dhe snajperistë rreth godinës parlamentare, gazlotsjellësi i opozitës në sallën plenare dhe rrugët e mbushura me protestues që duan ta parandalojnë këtë zgjedhje. Këtë imazh ofroi Kosova në ditën që Hashim Thaçi, deri më tani kryetar i partisë më të madhe popullore PDK, ish-kryeministër dhe aktualisht ministër i Jashtëm, u zgjodh për postin më të lartë të shtetit. Ish-udhëheqësi i UҪK i cilësuar si hero popullor dhe kryeministër i pavarësisë për një dekadë ka luajtur fijet e politikës në Kosovë. Bilanci është për fat të keq i zymtë: shpërthime dhune, konflikt serbo-shqiptar ende i pazgjidhur, krime lufte të pazbardhura, korrupsion galopant, varfëri e skajshme, emigracion masiv.

Thaҁit do t’i duhet gjithashtu ta përfaqësojë Kosovën në kohën kur frontet pozitë opozitë janë të ngrira dhe Kosova faktkisht që pas zgjedhjeve parlamentare më 2014 duket se nuk mund të qeveriset. Parlamenti për muaj është paralizuar prej tri partive të opozitës. Partia më e madhe opozitare Vetëvendosja, që kundërshton pavarësinë e kushtëzuar, dialogun me Serbinë dhe të drejtat për më shumë autonomi të serbëve në Kosovë, përdor gazin lotsjellës si mjet për arritjen e qëllimeve të saj. Qysh nga janari përmes protestave masive në rrugë Vetëvendosja, AAK dhe Nisma synojnë të imponojnë zgjedhjet e parakohshme.

Zgjedhjet e reja vërtetë që mund t’i përzienin kartat nga e para, por ato nuk do të mund të sjellin hovin e shpresuar për reformat, që i ka aq të nevojshme vendi: Asnjëra nga partitë popullore (PDK e LDK) në koalicionin qeverisës dhe as patitë në opozitë („Vetëvtevendosja“, „Allianz für die Zukunft Kosovos“ und „Nisma“) deri tani nuk kanë dhënë përgjigjet e duhura për zgjidhjen e problemeve thelbësorë që preokupojnë qytetarin. Ato vazhdojnë të mbeten të mbërthyera në darën e luftës së egër për pushtet. Asnjëra palë nuk ka ofruar deri më tani opcione konstruktive për daljen nga ngërҁi poltik. Kosova dhe elita drejtuese e saj duken tani pa shpresë të përҁara si kurrë më parë.

Por Kosova nuk ka alternativë: vetëm elita politike mundet dhe duhet t’i gjejë zgjidhjet mes vedi. Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim duhet të japë presidenti i sapozgjedhur Thaçi. Por është e dyshimtë nëse ai do t’ia dalë t’i bindë për arsyen forcat politike në vend. Thaçi konsiderohet si autokrat, klientelist, konfliktnxitës në raport me kundërshtarin dhe sipas opozitës ai nuk mund të jetë figurë integruese. Gjithashtu ai përflitet edhe për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar. Emri i tij madje lakohet edhe në raportin e Këshillit të Europës lidhur me tregtinë ilegale të organeve dhe vrasjet me porosi gjatë luftës së Kosovës. Në fakt të gjitha këto akuza nuk janë zbardhur ende nga drejtësia. Tetëmbëdhjetë vjet pas luftës Kosova ende nuk është përballur me të shkuarën e vështirë të saj. Me gjasë vet elita politike në vend nuk ka interes për zbardhjen juridike të krimeve të pandehura të luftës, kjo sepse me gjasë në listat e hetimit të Gjykatës Speciale përfshihen edhe emrat e disa prej figurave drejtuese të pozitës dhe opozitës.

Shumë nga protagonistët në skenën politike sot kanë qenë luftëtarë, që populli i quan heroj të pavarësisë. Por është një dështim i turpshëm që këta “heroj popullorë” nuk janë në gjendje sot të veprojnë bashkarisht në mënyrë racionale për ta përkryer procesin e shtetformimit të Kosovës. Nëse politika e ka seriozisht me pavarësinë, ajo duhet t’u përgjigjet detyrimeve të brendëshme dhe atyre ndërkombëtare të saj. E këtu bëjnë pjesë dialogu në politikën e brendshme, më shumë të drejta minoritetit serb në Kosovë dhe kompromiset e dhimbshme me Serbinë. Nëse Thaçi do ta prezantojë me sukses vendin e tij ai duhet t’i orientojë forcat politike dhe qyetaret e qytetarët e Kosovës drejt diaogut dhe kompromiseve. Nëse ai nuk ia del kësaj, kaosi është i paraprogramuar dhe pavarësia rrezikon të mbetet e papërkryer.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme