Edukimi Medial do të jetë lëndë e re për të gjithë nxënësit që ndjekin mësimet në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Kjo lëndë, në bazë të kurrikulës së re të vitit 2016-2017 për arsimin parauniversitar në Kosovë, pritet të hyjë si lëndë zgjedhore.
Nga njohës të fushës së gazetarisë kjo lëndë po vlerësohet si e nevojshme për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, kjo pasi që Edukimi Medial, sipas tyre, do t’i rris kompetencat e fëmijëve në raport me mediat dhe në mënyrën e përdorimin të internetit dhe komunikimit në rrjetet sociale.
Profesori i lëndës bazë “Hyrje në Gazetari” në departamentin e Gazetarisë, Milazim Krasniqi tha se kjo lëndë duhet të jetë pjesë e kurrikulave të arsimit në Kosovë. Me këtë lëndë, sipas Krasniqit nxënësit vetëm sa marrin anë pozitive në raport me komunikimin medial dhe atë social.
“Nga analizat dhe hulumtimet që ne bëjmë në këtë departament kemi konstatuar se problematika e raportit të fëmijëve me internetin po bëhet gjithmonë e më shumë problematike, sepse po ka shumë pasoja për vet edukimin dhe psikiken e tyre, prandaj ne kemi propozuar që të futet një lëndë në shkolla si “Edukim Medial”. Kjo do të rriste kompetencat e fëmijëve në mënyrën e përdorimin të internetit dhe komunikimit në rrjetet sociale. Unë jam i bindur që do rriste edhe efikasitetin e tyre në mësim nxënie. Nga do që ta shikosh kjo është diçka shumë pozitive dhe mendoj që shoqëria jonë nuk duhet të ngec në këtë aspekt por duhet që sa më shpejt ministria të akomodoj politika e të reja, që çështja e edukimit të fëmijëve në raport me mediat të futet në programet e rregullta shkollore. Më së paku ka tre vjet që në i kemi propozua këtë projekt. Jemi të gatshëm ta modelojmë, jemi të gatshëm ta ndërtojmë tërësisht përmbajtjen dhe tua japim falas nëse ka nevojë Ministrisë së Arsimit por sinqerisht po them që ende nuk ka mbërritur qartësisht të dëgjohet në veshin e Ministrisë së Arsimit”, tha Krasniqi
Lënda Edukim Medial do t’u ndihmojë nxënësve që të mësojnë më shumë për punën dhe rolin e mediave duke marrë njohuri të cilat parandalojnë manipulimet dhe propagandat të cilat shpërndahen përmes medieve tradicionale dhe atyre sociale. Kështu tha profesoresha e lëndës Edukim Medial e cila aktualisht ligjërohet në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
“Si risi kjo lëndë nuk kuptohet lehtë, por nëse shpjegohet besoj që është e qartë për publikun se është shumë me rëndësi për të menduar që fëmijët në moshë të hershme duhet të përgatiten për mënyrën se si i pranojnë mesazhet e mjeteve të komunikimit masiv. Të gjithë prindërit por edhe mësimdhënësit janë të vetëdij shëm se fëmijët kalojnë më shumë kohë para kompjuterit dhe mjeteve të tjera të komunikimit masiv se sa në shkollë dhe familje. Dhe kjo situatë e bënë të nevojshme për një aftësim të të rinjve për të qenë të vetëdijshëm për konstruktin e mesazheve të cilat u dërgohen atyre, në mënyrë që ata të mos bien pre e manipulimit apo propagandës sepse propaganda nuk është vetëm term komunist por është një veprim i pashmangshëm i mesazheve të çfarë do lloji. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm të mbrohen prej tyre sepse sot nuk është problem të marrim informacion por të seleksionojmë informacionin”, tha ajo.
Udhëheqësi i divizionit për Planë Programe dhe Tekste Shkollore në ministrinë e Arsimit, Rexhep Kastrati tha për KosovaPress se kjo lëndë do të futet në shkolla si lëndë zgjedhore me planë program të vitit 2016-2017. Edhe pse e një rëndësie të veçantë, Kastrati tha se kjo do të varet nga shkollat a do ta përzgjedhin apo jo.
“Edukimi për media është i domosdoshëm për edukimin e brezave të rinj andaj edukimi për media është i përfshirë në kornizën e kurrikulës së arsimit parauniversitar si lëndë ose çështje ndërkurrikulare por mund të përzgjidhet nga shkolla si lëndë me zgjedhje. Pra këtu mund të përfshihet vetëm si një temë e cila është e domosdoshme për edukimin e brezave të rinj. Ndërsa si lëndë me zgjedhje bëhet në mënyrë të pavarur nga shkolla. Do të thotë kjo varet nxënësit përcaktohen apo nuk përcaktohen për këtë lëndë mësimore. Janë tri forma të përzgjedhjes së kësaj lënde mësimore nga vet shkolla. Një si lëndë e veçantë ku kryesisht dominon ajo pjesa teorike krahasuar me atë praktike, forma tjetër është si modul ku dominon pjesa praktike dhe e treta puna me projekte e nxënësve për Edukimin Medial e cila është më komplekse por është punë e pavarur e vetë nxënësve. Unë besoj se do ti ndihmon fëmijët por kjo kryesisht do të përfshihet në kuadër të fushës kurrikulare, gjuhës dhe komunikimi. Do të thotë në këtë fushë duhet të përfshihet dhe të ketë pjesëmarrje më të madhe… Në vitin shkollor 2016-2017 zbatimi i kurrikulës së re ose zbatimi i kurrikulës së arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës, do të filloj në të gjitha shkollat e republikës së Kosovë, për klasën para fillore, klasën e parë, gjashtë dhe të dhjetë. Janë bërë përgatitjet e nevojshme dhe besoj që ky proces do të filloj me sukses”, tha ai.
Studentja e masterit në Fakultetin e Gazetarisë në UP, Rona Sefedini, ligjërimin e kësaj lënde në shkolla e sheh si ndihmesë për nxënësit si dhe mundësi të mirë punësimi për të diplomuarit në këtë fakultet.
“Për mua dhënia e lëndës Edukim Medial nëpër shkolla fillore apo në të mesme, ka dy të mira të rëndësishme. E para është që studiuesit e gazetarisë, pra studentët që kryejnë fakultetin e Gazetarisë në këtë universitet mund të ligjërojnë këtë lëndë. E dyta tjetër shumë më e madhe është se vet nxënësit e shkollave mund të përfitojnë shumë nga kjo lëndë duke marrë parasysh edhe vetë ndikimin e madh që ka media tek ne”, tha ajo.
Lëndë të tilla për përgatitjen e nxënësve lidhur me mediat në rajon dhe në Evropë, kanë hyrë në kurrikulat e arsimit tash e shumë vite më parë. Kjo pasi që shpesh fëmijë dhe nxënës të pa ditur në aspektin medial, kanë pranuar informata të cilat cilësohen si propagandë e keqe dhe jo e drejtë mediale apo e rrjeteve sociale. Hyrja e Edukimit Medial do të ndihmonte që nxënësit që ndjekin shkollimin parauniversitarë të përgatiten edhe në aspektin e komunikimit dhe kontaktit me të tjerët, masën, kjo pasi në shumë vende në botë ndikimi i teknologjive të reja ka bërë që fëmijët/të rinjtë të jenë më të izoluar ndaj realitetit.
Kompanitë gjermane po ulin gjithnjë e më shumë orët e punës ...
13 persona të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në Ugandë
Kurti uron Shqipërinë: 28 Nëntori na bashkon të gjithë shqip...
Parada për 112-vjetorin e Pavarësisë “kthen” në rrënjët e at...
“Emocioni mbetet i njëjtë edhe pas 112 vitesh”, stërnipi i I...
Osmani: Vepra e prof. Repishtit dëshmi e guximit për lirinë ...