Premiera “Netët Arabe” vjen nesër nga Trupa e Baletit të Kosovës

16:40 | 24 Shkurt 2016
Arbresh.info

Krejt për fund udhëheqësi i këtij institucioni – Ahmet Brahimaj, i ftoi të gjithë që të vijnë të enjten me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës që ta shohin këtë shfaqje të Baletit, pasi sipas tij është një projekt i punuar me shumë përkushtim e seriozitet.

Padyshim që nëse nuk e kemi lexuar atëherë të paktën kemi dëgjuar për “Përrallat e 1001 netëve”, ku flitet për mbretin Shehriar, e për mos ta zbuluar më shumë, këto përralla kësaj radhe në Kosovë nuk do të vijnë si shfaqje teatrore apo si ndonjë film por do të jetë premiera e parë për këtë vit nga Trupa e Baletit të Kosovës, nën koreografinë e koreografit Pullumb Agalliu, me të gjitha elementet e mundshme, që nga koreografia, skenografia e deri tek kostumet.

“Netët Arabe”, do të vijnë nesër mbrëma në Teatrin Kombëtarë të Kosovës. Mesditën e së mërkurës u mbajt konferenca për medie ku vetë Agalliu tregon mbi bashkëpunimin e dytë me Baletin e Kosovës dhe punën me balerinët e kësaj trupe.

“Është vepra e dytë që punoj me këtë trupë dhe mund të them që kjo trupë që nga ajo kohë ka progres të shkëlqyer, kështu që për mua nuk ishte e vështirë të punoja me këtë trupë. Ata kanë një arritje të shkëlqyer artistike dhe mund të them që këta balerinë po i afrohen balerinëve evropianë. Unë e sjell këtë shfaqje sepse ka një lloj temperamenti ku mendoj që spektatori i Prishtinës do ta pëlqejë, dhe ky balet në përgjithësi shkon në 30 skena të botës dhe ka pasur shumë sukses, sukses që mendoj do ta ketë edhe këtu”, tha ndër të tjera Agalliu.

Edhe për balerinët, ishte nderë të punojnë përsëri me këtë profesor. Jeta Musolli njëherësh edhe asistente e koreografit në këtë shfaqje tha se shpresojnë që do të punojnë edhe më tutje me Agalliun.

“Dua ta falënderoj profesorin për punën dhe durimin që ka pasur gjatë kësaj kohë që ka punuar me ne, me të vërtetë është nder që të punohet me të dhe shpresoj që do të kemi prapë bashkëpunime”, u shpreh Musolli.

Krejt për fund udhëheqësi i këtij institucioni – Ahmet Brahimaj, i ftoi të gjithë që të vijnë të enjten me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës që ta shohin këtë shfaqje të Baletit, pasi sipas tij është një projekt i punuar me shumë përkushtim e seriozitet.


“Nesër mbrëma do të shihet e gjithë puna që është bërë gjatë kësaj periudhe të përgatitjes së kësaj shfaqje. Në këtë projekt marrin pjesë 32 balerinë, pra mund ta cilësojmë si një shfaqje shumë të madhe, dhe nuk ka qenë e lehtë për 25 ditë ta realizojmë gjithë këtë shfaqje. Ne jemi të kënaqur shumë me koreografin e tash mbetet nesër të shihet çdo gjë”, tha Brahimaj, duke vazhduar më tej të tregonte se vitin e ardhshëm kjo trupë mbushë gjithsej 45 vite të themelimit, dhe për këtë jubilar ai është në diskutim me koreografin Agalliu për edhe një tjetër bashkëpunim.

“Ne jemi në diskutim e sipër me profesorin Agalliu, ku vitin e ardhshëm e kemi 45 vjetorin e themelimit të trupës së baletit dhe jemi në bisedim e sipër që shtatorin e ardhshëm ta bëjmë një premierë me motive tona shqiptare, kështu që 45 vjetori do të festohet me një koreografi tonën kombëtare”, përfundoi drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës Ahmet Brahimaj./ KultPlus.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme