Shtatëmbëdhjetë kilometra nga Fieri, më saktësisht në zonën e Cakranit, ngrihen vlerat që pak i njohim, ose më mirë që deri më sot janë lënë krejtësisht mënjanë – vlera që përfaqësojnë elemente të trashëgimisë kulturore e historike, e që sot po dergjen pa asnjë mbështetje, sikur të ishin objekte thjesht të rëndomta.
Ishte viti 1963 kur, pikërisht në vendin kah fushës së futbollit të Cakranit, u prekën gjurmët e para të një vendbanimi, që i përkiste periudhës së Neolitit të mesëm. Gërmimet pasuan në 1969-’70 për t’i dhënë jetë një zbulimi, që deri në vitin 2000 merrej si gjurma e shfaqjes së njeriut më të hershëm në këtë rajon.
“Vendi quhet Thikëz, për shkak të objekteve të thikave e të sëpatave prej guri, që janë gjetur këtu dhe dalin vazhdimisht përgjatë gërmimeve sporadike dhe të karakterit bujqësor”, thotë Ilirjan Gjika.
Asnjë tabelë, qoftë edhe e vogël, për të treguar se çfarë përfaqëson ky vend. Nëse nuk do të kishe me vete një studiues, nuk do të kuptojë kurrë, asgjë. Gjithçka përreth ka ndryshuar shumë, por megjithatë ende ka gjurmë, që flasin me gjuhën e kulturës e historisë së lashtë.
“Sot dita është e përshtatshme, sepse nga reshjet atmosferike gjithmonë njihet kjo në arkeologji, që dalin nga rrjedhat e ujit objekte. Por, në qoftë se do të fokusojmë kamerën pikërisht te ky kanal i vogël, mund të shohim qeramikë. Këtu ndeshim katër lloje qeramikash, sipas ngjyrave: gri, e zezë, kafe dhe e kuqe. Ajo atje është një qeramikë e zezë”, tregon Ilirjan Gjika.
Edhe pse njihet pak, zbulimet në Cakran nuk mbarojnë këtu. Nga Thikëza rruga merr përpjetë për në qytezën e Mashkjezës. Por, më parë duhet përballuar një rrugëtim i lodhshëm në këmbë, mes baltës që duket se ka mbytur gjithçka.
Pas mëse një ore, tej duket zona e Mashjezës. E vështirë për t’u arritur, si çdo vlerë tjetër që sot kalbet nga harresa. Frymëmarrjet në këtë vend, sot kaq të largët, mendohet të kenë nisur që në shekullin e VII para Krishtit, duke vazhduar deri në shekullin e XXIII.
“Gjatë periudhës së Antikitetit, ajo ka qenë pjesë – ashtu siç ekziston edhe hipoteza në historiografinë tonë – pjesë e Koinonit ose e bashkësisë politike të Balaideve, që ishte një bashkësi nën varësinë e bashkësisë më të fuqishme të Bulinëve fqinjë, që shtriheshin përgjatë gjithë Mallakastrës. E, mendohet që edhe gjatë antikitetit ajo duhet të ketë shërbyer si kështjellë e një garnizoni të vogël, që ruante pikërisht arterien e komunikimit. Ndërsa, gjatë Mesjetës janë hedhur hipoteza që ajo mund të shërbente si seli e një feudali vendas”, tregon Ilirjan Gjika.
Vëmendjen e fundit e mori diku në vitet ’80, kur Skënder Muçaj e Neritan Ceka nxorën në dritë mure vendbanimesh, kupa, enë të ndryshme, kocka, tjegulla, tulla antike e mjaft zbulime të tjera.
Të paktën edhe një orë më tej ngrihet një tjetër element me vlerë të jashtëzakonshme. Ai njihet si një qytet ilir, i cili mendohet se lindi që në shekullin e V p.e.s. Interesant është fakti se, emrin me të cilin njihet edhe sot, zyrtarisht e ka marrë nga një arkeolog austriak i quajtur Kamilo Prashniker, i cili mes viteve 1916-1918 e pagëzoi me emrin Gurëzezë, si pasojë e gurëve gëlqerorë të ngopur me bitum. Shumë teori janë hedhur për emrin e vërtetë të tij, por asnjë nuk ka qëndruar në këmbë, sa kohë gërmimet afatgjata kanë munguar. Vendin e tyre duket se e kanë zënë gërmuesit ilegalë, ata që shpesh bëjnë më shumë dëme, sesa pushtuesit që kanë ardhur e ikur nga këto zona.
Qyteti sot hesht, mureve u peshon mbi shpinë erozioni e balta, ndërsa ferrat janë shtrirë sa gjatë-gjerë kudo. Territori i tij është thuajse 23 hektarë dhe rrethohej nga një mur mëse 2100 metra të gjatë.
Ashtu edhe kjo sterë uji antike, që dikur mbante ujin, e sot dheun që e ka mbushur thuajse krejtësisht.
“Në mungesë të burimeve të ujit, përdorej uji i mbledhur nga ullukët e çative, që grumbullohej në stera. Kjo është një nga sterat më të mëdha. Është e periudhës së shekujve IV-I para Krishtit, kur Gurëzeza arriti kulmin e zhvillimit të saj si qendër qytetare”, thotë Ilirjan Gjika.
Në këtë vend, në vitin 1978 është gjetur edhe një thesar i madh me më shumë se 2500 monedha të Apolonisë, Dyrrahut dhe Orikut. Qyteti misterioz, për shkak të emrit ka lundruar në histori përmes shekujve V dhe I p.e.s. Ka një hipotezë, se ai u dogj njëherë gjatë luftrave iliro-romake. Megjithatë, edhe pas tyre ai u ripopullua, duke vijuar jetën e tij nga periudha antike në atë mesjetare.
“Në shekujt III-V duhet të jetë ripopulluar, deri sa gjejmë edhe gjurmët e fundit, që në shekullin e XIII, ashtu si Mashkjeza fqinje është djegur në kuadrin e luftrave bizanto-anzhuine, në vitet 1280-1281. Më vonë, pastaj historia hesht”, rrëfen studiuesi Ilirjan Gjika.
Çdo periudhë ka gjurmët e saj, gjurmë që nuk u fshinë dikur, por po fshihen sot. Që u mbijetuan shekujve, por vështirë të thuhet nëse do t’i mbijetojnë të sotmes.
“Këtu kemi apsidën e një bazilike mesjetare dhe brenda saj, më vonë kur bazilika u shkatërrua, kemi një kullë, të cilën e kanë lokalizuar ose përcaktuar si një kullë të periudhës Anzhuine”, thotë Ilirjan Gjika.
Kudo të rrotullohesh, do të mund të prekësh objekte të reja, elementë të trashëgimisë kulturore, historike e arkeologjike, që po bëhen pasuri për abuzuesit, e jo për historinë. Ashtu si kjo fosile guace, e shkrirë në një shkëmb majë kodrës, që flet më shumë se gjithçka për të shkuarën.
Zona e Cakranit thërret me gjurmët e saj, me nevojën për të qenë aty ku i takon, jo e braktisur dhe e lënë mënjanë, por një destinacion i rëndësishëm, që s’mund e s’duhet të mbetet vetëm në letra. Tej dallohet Vjosa, e në horizont gjiri i Vlorës, ndërsa Gurëzeza duket sikur shkrihet mes tyre. Dikur këtu gjallonte jeta, sot asgjë. Sot gjithçka duket e pushtuar nga indiferenca e heshtja./tch/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...