Punëtorët e ‘Ramiz Sadiku-t’ kërkojnë pagat e mbetura borxh

15:46 | 23 Shkurt 2016
Arbresh.info

Ish Punëtorët e ndërmarrjes publike “Ramiz Sadiku”, sot protestuan para Gjykatës Supreme në Prishtinë, duke kërkuar 15 paga që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ua ka borxh.

Sipas protestuesve vendimi i vitit 2014 nga Gjykata Supreme parasheh që shuma e të hollave të deponohet nga AKP.

Ali Curri, nga Sindikata e kësaj ndërmarrje tashmë të privatizuar, tha se paratë deri më tani nuk janë paguar ngase AKP-ja nuk ka pasur bord funksional. Ai tha se nga bordi i ri i AKP-së nuk po kërkojnë lëmoshë, por pagat e tyre.

“Prej 2014 na kanë qitë vendimet për 15 rroga me i marr, na kanë borxh 15 rroga… Këta gjithnjë janë nxjerr duke thënë se nuk ka bord s’po mundemi… Tash bordi është që 2 ose 3 muaj, paret janë tonat, aty janë 23 milion, 20% na kanë dhënë, por rrogat që kanë mbet borxh nuk na kanë dhënë. Ne kemi ardhur për arsye të rrogës, me na qitë rrogat. Paret e tona janë aty. Nuk po kërkojmë lëmosh por po lypim djersen tonë që e kemi punuar dhe na kanë mbet borxh, Gjykata na ka dhënë ja ku është edhe vendimi, vendimi prej gjykatës që të na japin paret”, tha ai.

Përndryshe, përfaqësues të protestuesve u takuan me kryetarin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylemani. Ish-punëtorit të ndërmarrjes “Ramiz Sadiku”, Ali Curri tha se Sylejmani në takim propozoi që kërkesat të drejtohen pranë AKP-së.

Ndërsa, ish-punëtorët thanë se do të protestojnë edhe para AKP-së, për të kërkuar të drejtat e tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme