Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së në një intervistë për portalin Arbresh.info ka folur rreth zgjedhjes së Hashim Thaçit për President të vendit. Ai tregoi se koalicioni qeverisës nuk ka problem as për mbledhjen e nënshkrimeve e as për kuorumin për mbajtjen e seancës për President pasi që sipas tij këto të dyja i kanë. Ndër të tjera Haliti foli edhe për zgjedhjen e Presidentit nga populli, pastaj për besimin në partnerin e koalicionit, për veprimet e Opozitës, për veprimet e forcave policore në Kuvend e poashtu tregoi se këtë javë sigurt do të zgjedhet Presidenti i vendit.
Arbresh.info:A mendoni se Thaçi është kandidati i duhur për postin e Presidentit?
Xhavit Haliti:Përderisa ne jemi përcaktuar për të, jemi dakorduar që është njeri i duhur, njeriu që i plotëson kriteret, së pari sipas PDK-së, sipas LDK-së dhe sipas koalicionit në përgjithësi, në bazë të marrëveshjes është përcaktuar që të jetë zotëri Thaçi President. Unë besoj që në momentin që do ta marr pozitën e Presidentit ai nuk do të jetë më kryetar i PDK-së dhe do të ndalohen sulmet kundër tij që janë evidente pasi që sulmet ndaj tij vijnë më shumë si kryetar i PDK-së sepse duke qenë kryetar i një partie ti je njeriu i partisë, nuk je njeriu që duhet të thirresh në unitet të popullit, të zbatosh çështjet që kanë të bëjnë me interesat vetëm të zbatueshmërisë së Kushtetutës. Janë zgjedhjet elektorale që ta imponojnë gjuhën tjetër, fushatat e ndryshme, diskutimet në parlament që ta imponojnë nganjëherë edhe gjuhën e hidhur në raport me kundërshtarët politik dhe në raport ndoshta edhe me qytetarët të cilët nuk janë të kënaqur kur dëgjojnë ndonjë fjalë që nuk shkon sipas shijes së tyre.
Arbresh.info:Nëse eventualisht Opozita do të ipte një emër unifikues që nuk akuzohet më shumë sesa zotëri Thaçi, brenda partisë suaj, a do të bënit ndonjë kompromis që posti i Presidentit të jetë dikush tjetër pos Thaçit?
Xhavit Haliti:Tani koha ka ndryshuar nuk është ajo kohë kur është emëruar kryeministri ose është kandiduar Presidentja aktuale që është e Kosovës. Mendoj që grupi parlamentar i PDK-së duhet të zbatoj së pari qëndrimet dhe vendimet e grupit dhe të PDK-së dhe nuk mund të zbatoj ose të joshet nga ofertat që mund t’i bëjë Opozita në këtë rast për ndonjë kandidat tjetër brenda për brenda partisë. Sidoqoftë nuk kam dëgjuar që ka Opozita kandidatë dhe do të dëshiroja të kenë e ta nxjerrin për votim në parlament dhe të votojnë për kandidatin e tyre sepse është më mirë. Por më mirë do të ishte sikur të gjithë të ishin dakord për kandidatin që është për President por, figurë unifikuese nuk ka të tillë sepse në shkencë, në politikë, në letërsi nuk ka njeri që e dojnë të gjithë. Megjithatë çështja e figurës unifikuese është në përputhje me detyrën që e merr Presidenti i Kosovës dhe ai duhet ta zbatojë këtë detyrë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk është detyrë e tij as të vajtoj as ta lus dikën.
Arbresh.info:A i keni mbledhur nënshkrimet dhe a keni kuorum për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e Presidentit?
Xhavit Haliti:Në bazë të informatave ne i kemi të gjitha nënshkrimet e domosdoshme për procedurë. E kemi të garantuar edhe kuorumin në parlament dhe në njëfarë mënyre e kemi të garantuar edhe zgjedhjen e Presidentit. Nuk e besoj që do të ketë firo sa i përket nënshkrimeve dhe kuorumit. Dy herë votohet me 80 vota Presidenti dhe herën e tretë me 61 vota kështu që nuk e besoj që ekziston ndonjë dyshim ose frikë që nuk do të ketë kuorum për votim. Unë nuk kam nënshkruar askund sot por nuk është problem për neve t’i mbledhim nënshkrimet.
Arbresh.info:A i besoni partnerit tuaj të koalicionit se do ta mbështes zgjedhjen e Thaçit për President, pasi që ka zëra brenda partisë të cilës i takoni e që nuk i besojnë edhe aq. A ka gjasa t’iu ‘tradhtoj’ LDK?
Xhavit Haliti:Nuk besoj që LDK-ja mund të na tradhtoj sepse koalicioni po funksionon, nuk ka ndonjë problem mes dy subjekteve të mëdha që janë në koalicion. Nuk besoj që ka ndonjë qëndrim kundër zgjedhjes së Presidentit. Nuk besoj se si subjekt politik ata do të votonin kundër zgjedhjes së zotit Thaçi për President. Por janë disa zëra të LDK-së që kanë kundërshtuar zgjedhjen e Thaçit për President, është e drejt e tyre por nuk e besoj që këta zëra do ta pengojnë ose do të arrijnë që të kenë ndonjë ndikim tek numri i deputetëve që do ta votojnë zotin Thaçi. Po e them këtë sepse në parti ka rregulla, secili grup parlamentar i ka rregullat e veta dhe partitë veprojnë dhe funksionojnë me vendime brenda për brenda partiake, nuk funksionojnë mbi bazën e deklaratave të njëri apo tjetrit. Ata mund të luftojnë për interesat e tyre që të fuqizohen qoftë si individ apo si grup brenda partisë, por neve dhe partitë tjera besoj që vendimmarrjen e kanë në organet e tyre dhe këto organe nuk janë deklaruar kundër zotit Thaçi, por janë deklaruar dy-tre veta, megjithatë nuk e di numrin e saktë sa mund të jenë kundër e sa pro.
Arbresh.info:A mendoni se opsioni më i mirë do të ishin zgjedhjet dhe Presidenti të zgjidhej nga populli në mënyrë që edhe Pozita edhe Opozita të gjenin konsensusin e përbashkët për të gjitha gjërat që nuk janë pajtuar deri më tani?
Xhavit Haliti:Mendoj që në secilin variant do të kishte polarizime gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit. Kosova është Republikë parlamentare e jo presidenciale dhe Kushtetua e Kosovës është e tillë dhe thotë qartë. Për mua do të ishte më mirë që për Presidenti të kishte konsensus të madh jo të të gjithëve sepse të gjithë asnjëherë nuk bien dakord për figurën por, do të duhej që të ishin të paktën 90 deputetë që të votonin për Presidentin. Njëkohësisht që Kushtetuta dhe Ligji do të duhej t’i obligonin deputetët që të qëndrojnë në sallë dhe për ata që nuk qëndrojnë në sallë dhe nuk votojnë do të duhej që me Kushtetutë të ishte e përcaktuar që në atë moment e humbin mandatin dhe kjo në njëfarë mënyre do t’i detyronte deputetët që të mos largohen nga seanca, të qëndrojnë aty dhe të votojnë për ose kundër. Ka vende që jo vetëm për këtë por edhe për të dalë në zgjedhje janë të obliguar me ligj dhe ky është një mendim që e forcon Presidentin. Tani në vazhdimisht kemi pasur President të LDK-së, si zotëri Rugovën, zotëri Sejdiun, pastaj një kohë të shkurtër zotëri Pacolli dhe pastaj u zgjodh varianti i kandidates së pavarur të paktën kështu u përshkrua dhe, mendoj që e ka kryer në mënyrë të shkëlqyer mandatin Presidentja aktuale. Tani jemi në një proces tjetër dhe ajo që do të duhej të ishte më mirë njëri ose tjetri variant është e gjitha dëshirë sepse procesi i ndryshimit të Kushtetutës do kohë. Mirë çështja si për zgjedhjen e Presidentit nga populli si për kërkesa për referendum e cila është një problem që ka pengesa të mëdha në raportet me bashkësinë ndërkombëtare se ne kemi disa të drejta të rezervuara për çështje të caktuara të cilat janë pengesë për të drejtën e referendumit. Nuk është problem që me referendum do të zgjidhnim shumë çështje mirëpo ato nuk janë në përputhje as me pakon e Ahtisarit , as me Kushtetutën e Rep. së Kosovës dhe, kjo do ta prishte krejt atë imazhin e Kosovës në Evropë që e ka krijuar deri më tani me mënyrën e bashkëpunimit, do të prishte interesat e Kosovës dhe detyrimisht do të pasonte pastaj një veprim i perëndimit për t’i vënë gjërat në vendin e tyre. Në qoftë se me Kushtetutë janë të përcaktuara kompetencat e Presidentit atëherë edhe mund të zgjidhet nga populli por ne e kemi me Kushtetutë që duhet të zgjidhet nga parlamenti dhe neni i Kushtetutës mund të zgjidhet nëse ka vullnet politik dhe në marrëveshje me të gjithë që të jenë të një mendimi, pastaj duhet marrëveshje me perëndimin, me Washingtonin dhe Brukselin si dhe me OKB-në sepse ne me ta kemi ecë dhe duhet të bashkërendisim vendimet dhe veprimet.
Arbresh.info:Nëse Thaçi zgjidhet president a do të prishet koalicioni PDK-LDK?
Xhavit Haliti:Mendoj që do të forcohet koalicioni sepse do të rritet besimi tek njëri dhe tek tjetri subjekt politik dhe PDK do të jetë e fuqizuar me pozicionin që merr zoti Thaçi dhe më së paku i konvenon PDK-së që ta prish koalicionin.
Arbresh.info:A do të ketë sigurt seancë të enjten apo brenda kësaj jave për zgjedhjen e Presidentit të vendit?
Xhavit Haliti:Nuk e di nëse neser do të ketë seancë por një gjë e di se brenda kësaj jave gjithsesi do të zgjedhet Presidenti.
Arbresh.info:Si i komentoni veprimet e Opozitës ku është bërë e ditur tani se do të qëndrojnë ditë dhe natë përballë Kuvendit për të parandaluar zgjedhjen e Thaçit për President?
Xhavit Haliti:Është e drejtë e tyre që të ndërmarrin veprime politike përderisa janë të pa dhunshme është në rregull për mua. Mendoj që edhe institucionet e shtetit, pra forca e sigurisë duhet t’i sigurojë ata dhe të mos i ngacmojë përderisa nuk përdorin dhunë. Pasi që Policia e ka për detyrë që t’i ruaj protestuesit në çdo situatë në çdo vend të botës mirëpo edhe protestuesit duhet që të nxjerrin leje për protesta. Ne mund të nxjerrim leje për dy javë, një muaj për të protestuar por dikush duhet ta marr përgjegjësinë. Policia ka problem gjithmonë vandalizmat e ndryshëm që kanë ndodhë si thyerje xhamash, djegie. Çdo kund përgjegjësinë për protesta e merr individi ose përfaqësuesi i grupit.
Arbresh.info:A mendoni se është përdorur dhunë e tepërt policore në seancën e fundit?
Xhavit Haliti:Mua nuk më vjen mirë që t’i shoh kolegët e mi duke u tërhequr për këmbë dhe duar për t’i nxjerr jashtë. Por ne jemi deputetë, jemi kolegë, janë ministrat, janë institucionet dhe më duket që kjo puna e gazit është bërë bajat dhe ata duhet të mos ia mbyllin gojën vetës. Duhet të folin prej parlamentit ta shfrytëzojnë foltoren e parlamentit sepse mediumet i përcjellin tërë kohën nëse ata janë vërtetë Opozitë dhe duan që të respektojnë Kushtetutën dhe mënyrën e veprimit.
Arbresh.info:Kush do të vije në krye të PDK-së nëse Thaçi zgjidhet President?
Xhavit Haliti:Janë organet që e vendosin këtë, mund të ketë kandidat të ndryshëm që mund të votohet. Kur të zgjidhet zoti Thaçi President, ai do të jap dorëheqje dhe me këtë mblidhet edhe kryesia po edhe këshilli drejtues që të vendosin si dhe kur do të zgjidhet kryetari i partisë sipas statutit. Kuptohet në parti është zëvendëskryetari dhe në mungesë të kryetarit ai i merr detyrat e tij deri në zgjedhjen e tij zyrtare./Arbresh.info
PZAP hedh poshtë ankesën e VV-së për certifikimin e Listës S...
Hamza promovon potencialet e energjisë së rinovueshme, premt...
Arrestohen tre persona për vjedhje të rëndë në Han të Elezit
Aksident mes katër veturave në Shushicë të Istogut, lëndohen...
SHBA-ja i ofron ndihmë të re Ukrainës
“Paret e BBVK duhet me qëndru në Kosovë”, Driloni ia fshin s...