Kjo është fotografia fituese e #InstaKosova

19:26 | 20 Shkurt 2016
Arbresh.info

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës për nder të tetë vjetorit të pavarësisë ka përzgjedhur fotografitë fituese të postuara në të gjitha rrjetet sociale, thurjet “#InstaKosova” dhe “#InstaKosovo”.

Kjo garë është organizuar për herë të tretë si pjesë e Diplomacisë Digjitale të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në kuadër të festimit të tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Fituesja e fotografisë më të mirë është përzgjedhur Sara Simnica nga Prishtina me fotografinë “As në tokë as në qiell”, e realizuar me Samsung Galaxy S4. Lëvizja apo mungesa e lëvizjes së lirë janë përzgjedhur temë për trajtim nga juria e garës InstaKosova, pasi që janë cilësuar si ngjarjet sociale dhe politike që e kanë karakterizuar vitin që kemi lënë pas, njofton Klan Kosova.

Duke argumentuar mbi përzgjedhjen e fotografisë fituese, juria ka vlerësuar se “fotografia fituese vë në pah atë që duket të jetë një mjedis tipik rrugor në Kosovë. Me një arkitekturë të çekuilibruar dhe tela të varur mbi qiellin gri, ky imazh pasqyron një pamje të papërsosur të strukturës së jetës së përditshme në Kosovë. Duke u përqendruar në qetësinë e veprimit të zakonshëm të dy të rinjve, fotografia kap bukur mishërimin e ngritjes së ndërprerë nga graviteti. Duke u nisur nga kjo metaforë e gravitetit e deri në kufijtë e territorit të izoluar nga regjimi i vizave, ne kemi një fotografi që mban përbrenda saj thelbin e nevojës për lëvizje të lirë. Loja dhe natyra teknikisht e papërsosur e imazhit e begaton këtë pa përsosmëri, që përfundimisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, e bën atë humanë dhe të afërt”.

Fituesit e dhjetë fotografive më të mira janë: Agon Nimani, Andrra Nurkollari, Arben Llapashtica, Drenusha Lika, Driton Bublaku, Erlinda Shema, Ermal Meta, Granit Spahiu, Kushtrim Krasniqi, Sara Simnica dhe Yllka Bojku. Në garën për fotografitë më të mira kanë garuar rreth 30 mijë fotografi të postuara në rrjetet sociale. Juria që ka bërë përzgjedhjen e fituesve është përbërë nga: Agron Dragaj (fotograf), Arjeta Emra Emra (drejtoreshë e “British Council” në Kosovë), Dafina Zeqiri (këngëtare), Daniel Cosentino (multimedia artist dhe zëvendës dekan në AUK) dhe Mjalinda Hoxha (fotografe konceptuale).

Fotografia më e mirë shpërblehet me 500 euro, kurse 10 fotografitë më të mira me nga 50 euro. Përveç këtyre juria ka përzgjedhur edhe rreth 100 fotografi fituese të cilat do të publikohen në një libër fotografish, që do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore në botë dhe në hapësira të ndryshme të artit e kulturës.

Juria po ashtu ka bërë përzgjedhjen e 100 fotografive të cilat do të publikohen në edicionin e tretë të librit #InstaKosova. Lista e plotë e fotografive fituese të InstaKosovës si dhe një selektim i fotografive mbështetëse gjatë fushatës “Kosovo in UNESCO” do të bëhen publike më 22 shkurt, dhe më pas, do të bëhet edhe hapja ekspozitës me të njëjtat fotografi. InstaKosova është projekt i përbashkët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme