Google ADS

Zejnullahu: Universiteti do të jetë më afër arritjeve dhe aspiratave madhore

10:02 | 15 Shkurt 2016
Arbresh.info

Ndonëse Universiteti i Prishtinës nuk ka paraparë ndonjë manifestim për nder të përvjetorit të 46-të të Universitetit të Prishtinës, rektori Ramadan Zejnullahu ka bërë një urim.

Përmes një komunikatë për media Zejnullahu shkruan pak për historikun e Universitetit, për kuadrot që ka nxjerrë ky universitet dhe për të ardhmen e tij.

Lexojeni të plotë urimin e Rektorit Ramadan Zejnullahu

Universiteti i Prishtinës ka qenë sinonim i progresit dhe aspiratave të popullit tonë. Në të kaluarën më të largët, ky institucion i ka kontribuar popullit tonë me kuadrot e para që janë vënë në ballë të zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë. Ka shërbyer edhe si shkollë, edhe si vatër qëndrese e edhe si simbol rezistencës të një populli të shtypur, por që nuk dorëzohej. Jemi krenarë me studentët dhe profesorët që janë meritorë për këto të arritura.

Në kohën e tanishme, kur jetojmë të lirë dhe kur aspiratat kombëtare janë realizuar ose janë në rrugë të mirë për t’u realiz uar, Universiteti duhet t’i përgjigjet aspiratës sonë të re – transformimit të Kosovës në Shoqëri të Dijes. Jo vetëm që duhet të jemi shoqëri që krijon dije dhe e shfrytëzon atë për të mirën e qytetarëve, por duhet të jemi shoqëri konkurrente e dijes që është në gjendje të ofrojë perspektivë për qytetarët e vet. Për fat të keq, në vitet e fundit, as si Universitet e as si shoqëri nuk kemi dëshmuar se jemi në këtë rrugë. Përkundrazi, jemi identifikuar më shumë me ngecje e më pak me arritje, më shumë me probleme, e më pak me aspirata.

Universiteti do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen, me të gjitha ngecjet, problemet, arritjet dhe aspiratat e veta. Së voni, e patëm mundësinë të votojmë për stafin udhëheqës nëpër fakultete dhe për anëtarët e Senatit, ndërsa, së shpejti, pritet edhe përfundimi i procesit zgjedhor. Koha do të tregojë a e kemi bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme dhe a d o të jetë Universiteti më afër ngecjeve dhe problemeve, apo do të jetë më afër arritjeve dhe aspiratave madhore.

Sidoqoftë, gjithnjë duhet ta kemi parasysh se ky universitet është publik dhe, ne, stafi akademik e administrativ jemi këtu për t’i shërbyer interesit publik, dhe, nënkuptohet studentëve, por jo vetëm atyre gjeneratave që janë duke u shkolluar aktualisht, por edhe atyre që do të vijnë të shkollohen pas shumë vitesh. Prandaj, kemi obligim institucional që të jemi stabil dhe t’i respektojmë kriteret, t’i kryejmë me përgjegjësi detyrat tona të punës, me një fjalë, e kemi obligim të jemi shembull i korrektësisë dhe i profesionalizmit, sepse ne jemi ata që edukojmë gjenerata të reja të ekspertëve që do ta bartin barrën e zhvillimit të kësaj shoqërie.

Urime përvjetori i UP-së!

Prof. Dr. RamadanZejnullahu

Rektor i UP-së

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme