Nga: Hysen Durmishi
Për Monin e Arbenin
Akademia e Shkencave e Serbisë kishte hartuar dy projekte për Kosovën. I pari tentonte shfarosjen e shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës. Por me gjithë masakrat e spastrimin etnik gjatë luftës në Kosovë ky projekt fatmirësisht nuk u realizua. Duke e parë që projekti i parë dështoi dhe Serbia u detyrua që t’i largojë nga Kosova forcat policore e ushtarake, menjëherë pas lufte filloi me projektin e dytë që kishte të bënte me copëtimin e Kosovës përbrenda. Bazat e këtij projekti i kishte vënë në Rambuje në vitin 1999, ndërsa model tashmë e kishte Republikën Serbe në Bosnje e Hercegovinë që erdhi pas marrëveshje së Dejtonit.
Në emër të mbrojtjes së serbëve në Kosovë, diplomacia e Serbisë kishte filluar lobimin në qarqet e rëndësishme diplomatike, duke prezantuar projekte konkrete për krijimin e komunave me karakter etnik të quajtura komuna me shumicë serbe, ndërsa në vendbanimet me shumicë serbe forconte, strukturonte dhe financonte struktura të armatosura.
Negociatat e Vjenës
Për një periudhë të shkurtër kohore kishte arritur që të krijonte një strukturë shtetërore paralele në çdo vendbanim të banuar me serbë e sidomos në veriun e Kosovës. Projekti i Serbisë ishte i orientuar në tri drejtime: Krijimi i komunave me shumicë serbe, krijimi i zonave të veçanta rreth kishave dhe manastireve ortodokse me status të eksterritorialitetit dhe kthimi i serbëve, jo aty ku kishin jetuar më parë, por në vendbanime ku ata mund të bëheshin shumicë, në mënyrë që të krijoheshin komuna të reja me të njëjtin karakter etnik. Ky projekt pothuaj në tërësi u arrit pas negociatave të Vjenës gjatë 2007-s.
Negociatat filluan me kërkesën e Serbisë për 21 zona të veçanta rreth kishave dhe manastireve ortodokse dhe përfunduan me 45 zona të tilla. Procesi i ashtuquajtur i decentralizimit filloi me planin A të decentralizimit për të vazhduar me planin B e më pas me 3+1, 4+1 dhe në fund përfundoi me planin 5+1.
Plani 5+1 nënkuptonte krijimin e komunave të reja me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Parteshi, Ranillugu, Kllokoti, Graçanica dhe zgjerimi i Artanës me fshatra serbe të Gjilanit e Dardanës). Duke marrë parasysh edhe komunat e mëhershme me shumicë serbe (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Shtërpcë) u krijuan dhjetë komuna me shumicë serbe. Negociatat në Vjenë përfunduan me Pakon e Ahtisaarit që garantonte të drejta të paprecedenta për serbët, me krijimin e dhjetë komunave me shumicë serbe, me të drejtën për lidhje horizontale në mes tyre dhe në lidhje vertikale me Beogradin. Ky për sa që i takon Serbisë ishte edhe fillimi i aplikimit të modelit republika serbe për Kosovën.
Themelimi i Lëvizjes – kundërshtimi i Planit Ahtisaari
Negociatat me Serbinë po e çonin Kosovën drejt bosnjëzimit dhe copëtimit të saj, po e ndanin atë në vija etnike dhe në këtë mënyrë po e humbnin kuptimin e luftës sonë për liri e çlirim. Kjo nuk duhej lejuar të ndodhte dhe populli duhej të organizohej në kundërshtimin e këtyre projekteve. Kjo ishte dhe pikënisja nga lindi Lëvizja “Vetëvendosje” si organizim politik. U organizuam në shumë aksione protestuese, në mijëra tubime e debate brenda e jashtë Kosovës, shumë protesta e demonstrata në kundërshtim të këtyre planeve të Serbisë. U vramë e u plagosëm, u arrestuam e u burgosëm por nuk u ndalëm asnjëherë. Rënia e Arbenit e Monit në demonstratën e 10 shkurtit 2007 kundër Planit të Ahtisaarit në ditët e sotme po merr kuptim si asnjëherë më parë.
Marrëveshjet rrënuese Mustafa – Thaçi
Më 25 gusht 2015 në Bruksel, Isa Mustafa nënshkroi marrëveshjen e parimeve për krijimin e “Zajednicës” në Kosovë. Mustafa nënshkroi praktikisht fillimin e krijimit të Republikës Serbe në Kosovë. Kështu kishte filluar edhe në Bosnjë. U nënshkrua ajo që e kishim paralajmëruar që në fillim të këtij procesi. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse rruga e negociatave me Serbinë si premisë do të prodhonte rezultatet në të njëjtin drejtim.
Një ditë më pas, më 26 gusht 2015, Hashim Thaçi nënshkroi sipas modelit qeveritar, në shkelje të Rezolutës së Kuvendit, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, me ç’rast është vërtetuar edhe shkencërisht se Kosova humb mbi tetëmijë hektarë tokë.
Kosova është vend i vogël dhe ne nuk kemi tokë për t’i falur askujt. Ne nuk i kemi borxh askujt. E kundërta vlen. Të gjitha shtetet fqinje na kanë borxh neve. Përgjatë historisë, përmes terrorit e gjenocidit, përmes shfarosjes e spastrimit etnik na kanë tkurrur në këto territore ku jetojmë sot ne shqiptarët.
Organizimi qytetar
Sot jemi të organizuar si kurrë më parë dhe nuk do të lejojmë që asnjë pëllëmbë tokë t’i falet askujt. Ne nuk do të lejojmë që Serbia të kthehet në Kosovë përmes “Zajednicës”.
Nëse kjo Qeveri antikushtetuese reziston në përpjekje që të implementojë projekte të Serbisë në Kosovë dhe të falë tokë të Kosovës, atëherë ne qytetarët nuk do të ndalemi asnjëherë derisa ta largojmë nga pushteti këtë Qeveri bashkë me këto marrëveshje të cilat e shkatërrojnë të tashmen dhe të ardhmen e kombit tonë.
Që nga 25 gushti ne nuk u ndalëm me protesta e aksione protestuese në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve, brenda institucioneve e në rrugë. Gjatë vjeshtës 2015, 205 mijë qytetarë të Kosovës nënshkruan kundër këtyre marrëveshjeve. Më 9 janar 2016 kjo Qeveri e mori përgjigjen e popullit. Ishte protesta më masive në Kosovën e pasluftës. Ne ua dhamë një shans: kërkuam që të tërhiqeshin nga nënshkrimet. Ata nuk dëgjuan. Tani nuk ka rrugë tjetër përveç largimit të tyre. Ata nuk largohen pa zërin e fuqishëm të qytetarëve.
Kauza jonë është e drejtë, tani është momenti që këtij vendi t’i kthehet shpresa e humbur, tani është momenti që vendit tonë t’i kthehet mundësia e një qeverisjeje ndryshe, tani është momenti që vendin tonë ta kthejmë në rrugën për çka luftuan e ranë dëshmorët.
Andaj është pikërisht tani koha që familjarët e dëshmorëve, veteranët e invalidë të luftërave tona çlirimtare, punëtorët e të gjithë ata që nuk kanë më shpresë për punë, të rinjtë e të rejat e paperspektivë, studentët e pensionistët, burra e gra, të gjithë së bashku këtu në Prishtinë, më 17 shkurt t’i tregojmë kësaj Qeverie kuislinge se ne nuk pranojmë të qeverisemi nga ta.
Ejani që të gjithë së bashku ta shënojmë fillimin e mbarë për popullin tonë dhe fundin e atyre që na nëpërkëmbin.
Autori është Anëtar i Këshillit të përgjithshëm
Lëvizja “Vetëvendosje”
Peci: Digjitalizimi do ta fuqizojë sektorin e bujqësisë
“Është një version më i mirë i Haalandit”, Van Der Vaart zbu...
Nagavci: Kemi buxhetuar pagat për punësimin e 500 asistentëv...
G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të trupave koreanov...
Balluku: Nga 1 janari do të ulet çmimi i energjisë elektrike
Xhaka para duelit me Liverpool-in: E di se si është të luash...