“Bombat” që i lejon shteti në qendra të qyteteve

14:03 | 7 Shkurt 2016
Arbresh.info

Pikat e karburanteve nëpër territorin e Kosovës të cilat janë në afërsi të shtëpive të banuara po vazhdojnë të funksionojnë pavarësisht rrezikut që u kanoset qytetarëve. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk ekziston ndonjë rregullore që përcakton distancën e këtyre pompave.

Megjithatë, ankesat e qytetarëve po hasin në vesh të shurdhër. Institucionet Qendrore përkatësisht, Ministria e Tregtisë përveç se po i licencon këto pompa, ato edhe po u vazhdojnë licencat atyre. Hiç më pak nuk mund të thuhet për Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila i pais me dokumentet të cilat lejohen për licencim. Por kjo e fundit po thotë se dokumentacionin të cilin e marrin këto biznese varet nga situatat në teren dhe masat e ndërmarra parandaluese në dokumentacionin e bashkëngjitur para marrjes së vendimit në procedurat administrative. Pavarësisht se ato janë përskaj shtëpive të banuara.

Ishte rasti i fundit në qytetin e Podujevës, ku në pompën “Shqiponja Petrol”, shpërtheu një bombolë e gazit, si pasojë e të cilës iu djeg fytyra një punëtori dhe rrezikoi jetën e disa banorëve të shtëpive të cilat ndodhen përreth kësaj pompe.

Qytetarët po ndihen të shqe tësuar pasi që në afërsi të tyre gjenden tonelata të tëra benzini e nafte prej të cilave rrezikohet jeta e tyre në çdo moment.

Ndërkaq, kërkesa e qytetarëve ishte se ato nuk duhet të lejohen në afërsi të vendbanimeve. Bile për këtë ata kanë hedhur edhe dyshimet nëse janë këto pika karburanti të licencuara. Kjo pasi që sipas tyre në vendbanim nuk lejohen ato. Shqetësimi i tyre është që kjo mund të përsëritet gjë e cila mund të qonte në pasoja fatale.

Por nga ana e Ministrisë së Tregtisë, funksionimi i kësaj pompe është në rregull. Ajo e ka licencuar dhe ia ka vazhduar licencën, kësaj pompe edhe për dy vite.

Këtë e ka konfirmuar kryeinspektori në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë Lulzim Syla, i cili thotë se kësaj pompe iu është vazhduar licenca në gusht të vitit të kaluar dhe ka validitet edhe për dy vitet e ardhshme. Ai gjithashtu ka thënë se për KosovaPress se nuk e kupton se pse Ministria e Punëve të Brendshme po u lëshon dokumentet për licencim këtyre pompave.

 

“Nuk është e vetmja pompë, por është edhe në Gjakovë siç është rasti tek shkolla, domethënë ka edhe vende të tjera ku posedojnë licencë, domethënë ata kanë licencë”, tha Syla për KosovaPress.

Por Ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet një përgjigje elektronike fajin e ka hedhur tek Ministria e Tregtisë. Zyra për informim e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka thënë se Ministria e Tregtisë merret me licencim dhe sipas tyre këtë e bëjnë sipas ligjit.

“Për çështjen e licencave, ju mund të kontaktoni me Ministrinë e Tregtisë, aq sa ne e dimë ajo lëshon licencën për t’u angazhuar në këto aktivitete, kur është në p yetje nafta dhe derivatet e naftës. Ne besojmë se këtë e bëjnë në përputhje me ligjin.”

Megjithatë, kryeinspektori në Ministrinë e Tregtisë, Lulzim Syla ka insistuar se inspektorati nuk merret me këtë punë.

 

“Inspektorati i Ministrisë dhe Tregtisë nuk mundet me u marrë me këtë punë. Unë e ceka edhe njëherë, për mu licencu kjo pompë apo gjitha pompat e benzinës të cilat merren me tregtinë e derivateve me pakicë, duhet me pas kritere, dokumentacionin e sjellin këtu të cilat duhet me i marrë në Ministri të Punëve të Brendshme, në Komuna apo ku ta di unë. Tek atëherë licencohen. Ne nuk jemi përgjegjës se çka duhet me pas apo çka s’duhet, neve na intereson vetëm licenca”, tha Syla.

Këtë të fundit fajtor po e bënë edhe kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani. Ai shtoi se në fshatin Miradi të Epërme ndodhet një bombë atomike sepse ndodhen 5 deponi të ndërtuara në një vend.

 

“Ne kemi rastin edhe në fshatin Miradi të Epërme, ku janë 5 deponi të ndërtuara, ato deponi janë një bombë atomike, por gjithmonë përgjegjësia jetë tek Ministria e Tregtisë pse lejon të ndërtohen në aso lokacionesh që s’ja vlen të ndërtohet afër shkollave apo objekteve të tjera, ku ka lëvizje të mëdha, por dikush po i lëshon këto lej … Përgjegjësia është tek Ministria e Tregtisë që po i lëshon këto leje” tha ai.

Me gjithë rrezikun që u kanoset çdo ditë, qytetarët të cilët jetojnë përreth pompës “Shqiponja Petrol”, për KosovaPress rrëfyen momentin e shpërthimit.

 

“Po kemi qenë shumë të shqetësuar, shumë kemi qenë. …Po këtu. megjithëse punojmë këtu afër lokalit, po e sheh 50 metra është. Ka qenë një shpërthim shumë i madh, thjesht me thënë kështu një tronditje. I ka tronditë edhe këtu qytetarët…. Në këtë kohë me u shqetësu pa nevojë për një interes të biznesit të vogël është shqetësim. Pa marrë parasysh kushdo çoftë, unë apo kush, kjo duhet me u rregulluar në mënyrë institucionale”, tha Sfishta.

Sipas qytetarëv e të tjerë shpërthimi që ndodhi në këtë pompë mund të kishte pasoja të ndryshme.

 

“Normal që jemi shqetësu se kjo është pak e rrezikshme. Sidomos është në vend që nuk lejohet me kanë, është vendbanim. Shqetësuese ka qenë, masi jam frigësuar që po shpërthen edhe ka mujt me pas pasoja të ndryshme”, tha ai.

Ndërsa, Nebih Maloku, hallin e kishte tek nxënësit. Por sipas tij ishte ditë me fat për ta pasi që ishte ditë e shtunë që ndodhi shpërthimi.

 

”Kemi pas shqetësim. Fatbardhësisht ka qenë e shtunë e s’ka pas nxënës, as diçka se zakonisht në hapësirat që kalohet afër trotuarit janë nxënësit …… por prapë një punëtorë aty është i lënduar që ka qenë duke punuar, thonë që e ka gju 4-5 metra prej atij far shpërthimi. Tjerë s’po e di, shqetësim kemi pas të gjithë. Edhe lajmërime prej gjithkah kemi pas, na kanë lajmru që jemi tutë, a ka më rrezik. Kanë thënë që janë edhe 7-8 ton benzinë, është, s’po dim na, si dihet sasia”,tha Maloku.

Pompa të tilla gjinden edhe në Prishtinë, siç është në Lagjën Ulpiana “Ina Petrol”, po ashtu në Lagjën Ulpiana pompa “AL Petrol”, po ashtu një tjetër vend ku shiten derivate është edhe rrugës për në Germi, sapo të kalohet Shkolla e Mesme Teknike “28 Nëntori”.

Duke vazhduar kështu edhe më në qendër të Prishtinës në rrugën “Fehmi Agani” siç është “IP Petroll” e cila njëherë ishte në pronësi të “Ina Kroacisë”, dikur e “Kosova Petroll”.

Ndërkaq, në pjesën tjetër të qytetit, në Lakrishte në rrugën Tirana, është edhe “Bingo Benz”.10 dite më parë, në qytetin e Podujevës ndodhi një shpërthim në një pompë të benzinit gjatë të cilës mbeti i lënduar me djegie në fytyrë një punëtorë i “Shqiponja Petrol”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme