Pas lajmit se Kosova, për herë të parë u fut në garë për çmimin “Oscar” me filmin “Shok”, një tjetër bashkëprodhim kosovar do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.
Filmi “Babai” i regjisorit Visar Morina, një projekt gjermano-kosovar, është përzgjedhur të shfaqet në kategorinë “Lola” në “Berlinale”. Në këtë film trajtohet një ndër dramat më të mëdha të shoqërisë kosovare, emigracioni dhe ndarja e familjeve, duke sjellë historinë e një 10-vjeçari, Norit, të interpretuar nga Val Maloku, i cili rrezikon gjithçka për t’u bashkuar me babain, Gëzimin, në Gjermani.
“Filmi do të shfaqet në një seksion të veçantë të Berlinales, që quhet ‘Lola at Berlinale’. Lola është çmimi më i madh gjerman i filmit. Filmi ‘Babai’ është përzgjedhur dhe pritet të nominohet. Ende nuk e dimë nëse do të nominohet, por jemi në pritje të nominimit për çmimin më të madh gjerman të filmit, që e ndan Akademia gjermane e Filmit”, tha Astrit Kabashi, aktor në rolin kryesor te “Babai”.
Për rolin e babait, aktori Astrit Kabashi sapo është shpërblyer edhe si aktori më i mirë në festivalin “Angers Film Festival” në Francë. Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku vlerëson se, sukseset e projekteve të fundit në festivale të rëndësishme ndërkombëtare po e çojnë Kosovën në një fazë tjetër të prodhimtarisë kinematografike.
“Filmi ‘Babai’ ka gati një vit që po udhëton nëpër festivale shumë të rëndësishme ndërkombëtare, duke sjellë çmime me shumë rëndësi për kinematografinë kosovare, bashkë me filmin ‘Shok’, i cili është nominuar për ‘Oscar’. Besoj se këto dy projekte, por edhe projekte të tjera që janë shfaqur dhe kanë fituar çmime vitin e kaluar, do t’i japin një tjetër faqe kinematografisë kosovare. Besoj se Kosova, në 5 vitet e ardhshme do të jetë ndër vendet më tërheqëse sa i përket prodhimtarisë dhe bërjes së filmave”, tha Arben Zharku, drejtor i QKK-së.
Zharku shtoi se, pas sukseseve të arritura, QQK-së i është rritur edhe buxheti me 50%, ndërsa janë planifikuar të realizohen rreth 50 projekte filmike./TCH
Zhduket një e mitur në Prishtinë
Një vit nga vrasja e Liridona Ademajt
Kosova me 5 grupmosha në arenën ndërkombëtare në basketboll
Anulohet aktiviteti për përurimin e Parkut të Ulpianës
Sulmi me granatë dore dëmton objektin e Komunës së Zveçanit ...
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...