Sonda Dawn në orbitën e trupit qiellor Ceres

20:52 | 4 Mars 2015
Arbresh.info

Anija hapsinore e NASA-s Dawn së shpejti do të mbërrijë pranë trupit qiellor Ceres. Kur të hyjë në orbitën e këtij trupi qiellor të akullt, që ka madhësinë e një planeti, sonda Dawn do të studiojë në se kanë ekzistuar apo jo ndonjëherë kushtet që bëjnë të mundur zhvillim e jetës.

Sonda hapsinore Dawn u lëshua nga Toka më shumë se shtatë vjet më parë për të eksploruar dy trupa jashtë-tokësorë të sistemit diellor.

“Është hera e parë në 57 vjet që një anije hapsinore do të jetë në orbitën e dy objekteve jashtëtokësore.”

Dy destinacionet janë Vesta dhe Ceres, dy objekte në brezin kryesor me asteroidë mes Marsit dhe Jupiterit.

Në qendrën e kontrollit, ekipi drejtues i fluturimit dërgon udhëzime çdo sekondë tek sonda Dawn, duke pilotuar çdo lëvizje të saj përfshi edhe fotografimet.

Ky është imazhi më i fundit dërguar në tokë gjatë afrimit të sondës pranë objektit Ceres. Shkencëtarët besojnë se trupi qiellor përbëhet nga shkëmbinj të mbuluar me akull.

Sapo anija të futet në orbitën e trupit Ceres në muajin mars, ajo do të fotografojë dhe ndërtojë një hartë gjithëpërfshirëse të kësaj bote të huaj.

Anija do të studiojë përbërjen e trupit Ceres për të parë evoluimin e sipërfaqes dhe nëse aty kanë ekzistuar kushte të favorshme për jetën, thotë Carol Raymond me ekipin drejtues të misionit.

“Një prej interesave në objekte si Ceres dhe asteroidë të tjerë të akullt në periferi të sistemit diellor është nëse objekte të tilla ndikuan tek planeti ynë. Asteroidët sollën shumë ujë ndaj ka një debat intensiv sot nëse asteroidë të lagësht si Ceres dhe të tjerë që ndodhen në periferinë e brezit të asteroidëve kanë qënë burimi kryesor i ujit në oqeanet tokësore.”  

Në fillim të misionit, sonda Dawn bëri një zbulim të papritur në trupin qiellor Vesta.

“Ekipi mendonte se ishte një trup i thatë. U habitëm kur pamë njolla të dukshme në sipërfaqe të tij që tregonin sasi të konsiderueshme uji brenda shkëmbinjve dhe ndoshta edhe në gjendje të lirë që mund të kishte rrjedhur në sipërfaqe në të kaluarën.” 

Zonja Raymond thotë se nëse uji në Tokë erdhi nga trupa me lagështi si Cerese, atëhere bashkë me ujin, mund të ketë ardhur edhe jeta.

Nëse Dawn gjen se mjedisi në Ceres mund jetë i favorshëm për jetën, ky zbulim mund të nxisë eksplorime të tjera me instrumente të përshtatshme për testimin e hipotezës.

Anija në këtë mision do të mbledhë informacione për Ceres deri në verën e vitit 2016. Pastaj ajo që mbetet përjetë në orbitën e këtij trupi qiellor. /VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme