Çlirimi i padefinuar

14:18 | 27 Janar 2016
Arbresh.info

Nga: Agron I. Sadiku

Prej qershorit të vitit 1999 shumë politikanë, intelektualë dhe shumë opinionistë kanë ndikuar në zhvendosjen e vëmendjes së popullatës së Kosovës nga fakte reale rreth çlirimit, duke i bindur se çlirimtarët e Kosovës janë “miqtë” tanë ndërkombëtarë e jo ushtarët e këtij populli.

Realisht nëse analizohet formulimi i këtyre frazave rreth çlirimit të Kosovës, detyrimisht ta imponojnë pyetjen: A thua NATO-ja është territor dhe ka qenë e pushtuar nga Serbia?

Nëse e shikojmë në mënyrë kronologjike këtë periudhë, trupat ushtarake të NATO-s dhe administrata e përkohshme e OKB-së kanë kryer punën që e kanë obligim – të ruajnë rendin botëror dhe t’i parandalojnë krizat humanitare që shkaktohen nga luftërat.

Kjo rrethanë e të vepruarit ndryshe nga këto dy organizata ndërkombëtare mund të ilustrohet edhe me këto fjalë: A ta falënderojmë policin që e ka kapur hajnin, kur ajo është puna e tij?!

Lansimi i idesë së çlirimit nga të huajt krijoi edhe pasoja të tjera, që mund ta përmendim heqjen dorë nga bashkimi kombëtar dhe Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Pasojat e atij atributi nuk po arrimë t’i tejkalojmë edhe 17 vjet pas luftës dhe ne po vazhdojmë të ndërtojmë politika, në bazën e këtij nocioni ”miqtë”, edhe pse këta ende vazhdojnë të na mbajnë si vendi më i izoluara në Evropë.

Me një fjalë populli i Kosovës përdori “Artin e të mundshmes” për të realizuar qëllimin, por servilët e ngatërruan qëllimin, e prishën objektivin dhe e minimizuan suksesin e popullit dhe mjetit të tyre – UÇK-në!

Si erdhi deri te intervenimi?

Populli i Kosovës ka qenë i pushtuar dhe i poshtëruar nga pushtuesi në vazhdimësi, që nga viti 1912 e deri në mes të qershorit 1999, me një përjashtim gjatë viteve 1941-1944.

Në fillim të viteve nëntëdhjeta u shkaktuan shumë ndryshime në glob, të cilat u reflektuan edhe në ish-Federatën Jugosllave.

RFSJ-ja si krijesë artificiale ku jetonin shumë armiq nën një kulm, shumë kombe filluan haptazi të japin shenjat e para të ngritjes së vetëdijes për shtet ndërtim kombëtar e jo multietnik.

Shqiptarët si pjesë përbërëse e kësaj krijese të kalbur e të cilët kishin pasur probleme që nga formimi i saj në vitin 1945, filluan të organizohen politikisht. Ky organizim, i cili u bazua mbi rrethanat e krijuara, shpalli pavarësinë e Kosovës bazuar në Kushtetutën e vitit 1974 të RFSJ-së.

Dhuna dhe terrori serb ndaj shqiptarëve, e cila në fillim të vitit 1998 zhduki një familje të tërë, shkaktoi revoltë popullore dhe organizatat ilegale të kohës e shfrytëzuan situatën për t’u organizuar më mirë, për të dalë publikisht në mbrojtje të popullit dhe kufijve të Kosovës.

Rezistenca e armatosur e UÇK-së në Kosovë u intensifikua dhe pastaj u bënë shumë masakrime të popullatës civile nga ana e forcave serbe, sidomos fëmijë, grave dhe pleqve. Edhe pse politika dhe forcat e sigurisë së Serbisë këtë dhunë të tepruar e arsyetonin me aktivitete për ta zhbërë UÇK-në.

Veprimet e regjimit të Millosheviqit shkelën shumë rregulla ndërkombëtare, duke shkaktuar krizë të madhe humanitare dhe krime të civilëve.

Kriza e shkaktuar nga Serbia gjatë pranverës së vitit 1999 në Kosovë nuk mund të tolerohej nga bashkësia ndërkombëtare, e sidomos nga NATO-ja, e cila e kishte edhe vitin jubilar të themelimit të saj. Lejimi i regjimit të Serbisë, për të shkaktuar luftëra dhe krizë humanitare me përmasa biblike – ku mbi 800.000 persona u përzunë nga shtëpitë e tyre – mund të llogaritej dhe si poshtërim i NATO-s. Këto dhe shumë rrethana të tjera ndikuan në ndërhyrjen ushtarake ndaj territorit të mbetur të RFSJ-së dhe kështu ndaloi përsëritjen e një Bosnje të dytë.

Me ketë ndërhyrje të NATO-s në RFJ, ajo mbrojti reputacionin e vet për çka edhe është themeluar. Sipas dokumenteve publike askund nuk thuhet se NATO-ja ndërhyri në RFJ për t’i çliruar shqiptarët apo Kosovën nga pushtimi serb.

Këtë tezë e vërteton edhe Rezoluta 1244 e OKB-së, e cila territorin e Kosovës ia merr Serbisë në administrim të përkohshëm, duke instaluar administratën e emëruar UNMIK.

Pastaj në vitet në vazhdim, UNMIK-u organizoi zgjedhje lokale dhe parlamentare, duke lejuar themelimin e organeve vetëqeverisëse të Kosovës, ku këto institucione në vitin 2008 e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe “sovran”. Kjo ishte pjesa se si dhe pse ndërhyri NATO-ja në Kosovë.

Agron I. Sadiku

Agron I. Sadiku

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme