Luftën për liri që e bëri si ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e vazhdoi edhe përmes postit të deputetes, duke e vulosur kontributin e saj në dokumentin më të çmuar, Deklaratën e Pavarësisë.
Elheme Hetemi, ish-ushtarja e UÇK-së dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës, ka pasur fatin të jetë edhe nënshkruesja e pavarësisë, emocione dhe ndjenja që thotë se s’do i harroj kurrë.
Për Arbresh.info, Hetemi u rikthye 17 vjet pas për të na rrëfyer emocionet dhe kujtimet më të bukura nga kjo datë historike e vitit 2008.
“Për mua kanë qenë emocione ndoshta dyfish përjetime, ndjeshmëri më e lartë se tjerat, sepse veç sa dolëm nga lufta. Kam qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me gjitha ata bashkëluftëtarë me gjithë atë popull të stërvuajtur, kemi ndarë dëshirat, ëndrrat, sakrificat për realizimin e kësaj dite dhe në momente të caktuara e sheh e dinë që jo të gjithë arritën të përjetojnë këtë ditë, Pavarësinë e Kosovës, shumica e tyre as edhe lirinë e Kosovës”, tregon ajo.
Sipas saj, të gjithë ishin të përqendruar te festa që po ndodhte jashtë Kuvendit.
Detajet rreth ditës dhe orës së shpalljes së Pavarësisë, shumë deputetë, përfshirë Hetemin, nuk i dinin.
Por, si u njoftuan për seancën e shpalljes së Pavarësisë.
“Zakonisht, kjo shkon nëpër grupe parlamentare. Është lajmërua që do të ketë seancë të jashtëzakonshme, jo të gjitha detajet, por, që është në lidhje me shpalljen e pavarësisë po. Do të jetë një festë brenda Kuvendit dhe ne nuk kemi prit diçka tjetër përveç shpalljes së Pavarësisë, sepse në vetëdijen e të gjithëve pritej se do të ndodh, por nga frika se do të kemi pengesa nga faktori, apo mos besueshmëria brenda Republikës së Kosovës, na bënte që të kemi ato rezervat tona edhe në shprehjen e emocioneve e gëzimit gjithsesi pak me stres”, rrëfen me emocione ish-deputetja Hetemi.
Falënderuese dhe krenare pa fund për përjetimet e kësaj dite të shenjtë për popullin e Kosovës, ajo thotë se ndihet ndaj popullit të saj që ja fali këtë mundësi.
“Edhe atë ditë kam qenë dyfish krenare. Në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kam qenë dy herë krenare dhe dy herë e privilegjuar dhe shumë bashkëluftëtare të mi kanë qenë bashkë me mu por, jo të gjithë e kemi pas privilegjin edhe fatin me qenë nënshkrues të pavarësisë dhe jam shumë krenarë për këtë. Jam edhe falënderuese ndaj gjithë atyre që më kanë përkrah dhe ma kanë dhanë këtë privilegj që unë të jem nënshkruese e Pavarësisë së Kosovës”, shprehet ish-deputetja
17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Hetemi thotë se është e kënaqur me të arriturat e Kosovës, por nuk e fsheh faktin që ka pritjet i ka më të mëdha.
Hetemi tregon se më herët ishte e ftuar në seancat e jashtëzakonshme të Kuvendit të organizuara për festën e Pavarësisë, por tani jo.
Madje siç thotë ajo, nuk organizojnë diçka të veçantë për atë legjislaturë.
Ajo nuk harron pa përmendur ish-krerët e UCK-së, të cilët po gjykohen padrejtësisht në Hagë, ndër ta edhe ish- Presidenti Hashim Thaçi, i cili lexoi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
“Ajo çka është e dhimbshme dhe absurde pikërisht në këtë ditë është se pikërisht në këtë ditë, ata që shpallën dhe kontribuan deri në këtë ditë sot ndodhen në burgje për arsye, për neve, absurde dhe ta pajustifikueshme. Në këtë ditë të veçantë, uroj që festën tjetër, vitin tjetër ta festojmë bashkë me ta ku festa e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë do ta ketë kuptimin e plotë me ata që e shpallën dhe ata që kontribuan deri në ditën e shpalljes së Pavarësisë.”, thekson ajo.
Ajo ka një urim të veçantë për ditën e Pavarësisë së Kosovës për gjithë shqiptarët kudo që janë.
“Shfrytëzoj rastin tani që t’i uroj të gjithë shqiptarët edhe në Kosovë edhe kudo në botë që ndodhën 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë, sepse pikërisht liria e Kosovës dhe shpallja e Kosovës shtet i pavarur i ka bërë krenar të gjithë edhe ata që nuk kanë guxuar të deklarohen shqiptarë e janë mundu me i tjetërsua e ata shqiptarë përtej atlantikut janë ndjerë krenarë dhe sot e asaj dite e kudo deklarohen e krenohen se janë shqiptarë. Urime 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës. E gëzofshim me të arritura edhe më të mëdha dhe me lirinë e themeluesve të shtetit të Kosovës.”, uron ajo.
Ndryshe, Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi në prani të 109 deputetëve të Kuvendit.
Të parët që e nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: Presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe/Arbresh.info/Erolinda Gashi/
Dugolli: Pse po tjetërsohet prona e Universitetit të Prishti...
E tmerrshme në Vlorë: Nëna përplas disa herë në tokë beben p...
Ata kanë gjithmonë ide origjinale, shenjat më kreative të zo...
Parashikimi i Motit për Vikend
Çfarë ndryshimesh mund të ndjejnë qentë tek pronarët e tyre?
Si të largojmë frikën nga fluturimi me aeroplanë?