Dokumentari i producentes Anna Di Lellio kushtuar instalacionit “Mendoj për ty” të kreatores Alketa Xhafa Mripa kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë u prezantua sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.
E pranishme në aktivitet, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se në dokumentar rrëfehet mizoria e ushtruar ndaj popullatës kosovare.
Jahjaga tha se instalacioni me 5000 fustanet e ekspozuara me 12 qershor të vitit 2015 do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e qytetarëve, si dhimbje e së kaluarës, por dhe forcë për ringritje.
“Me plagët e hapura të krimit gjetëm forcën për mbijetesë, shpresën për një të ardhme më të mirë, për t’u kapur më shumë tek e drejta e tyre për një jetë në paqe dhe drejtësi. Kujtimi i asaj dite, 12 qershorit, ditës më të shenjtë të Kosovës, dita e çlirimit, kur fusha e blertë e stadiumit të Prishtinës u mbulua nga 5000 fustane do të jetë gjithmonë i freskët jo vetëm në mendjen time por shumë qytetarëve të Kosovës. Ajo ditë përcolli shumë dhimbje, por mbi të gjitha përcolli shumë shpresë teksa u bëra dëshmitare e një solidariteti të pashoq, duke tejkaluar edhe kufijtë e Kosovës.
Thirrja bëri të thyhej heshtja për të luftuar stigmën, u bë i zëshëm krah përkushtimit për njohjen e këtij krimi dhe të një përbetimi shoqëror dhe institucional për ta dënuar atë njëherë e përgjithmonë dhe bërë ç’është e mundur për t’u garantuar të mbijetuarve një jetë në paqe dhe drejtësi shumë të merituar”, tha Jahjaga.
Nuk mund të ndryshohet e kaluara e viktimave seksuale të luftës, tha më tej Jahjaga, por shoqëria dhe institucionet mund të kontribuojnë që ajo të mos jetë përcaktuese për të ardhmen e tyre.
“Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e tyre por së bashku ne mund të garantojmë që e ardhmja e tyre të mos përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur që përjetuan. Që e ardhmja e fëmijëve të tyre dhe familjeve të tyre të mos përcaktohet nga ky krim në trupin e tyre”, tha Jahjaga në tiranë.
Presidentja shpjegoi dhe arsyet e rrugëtimit të këtij dokumentari në Tiranë.
“Shfaqja e këtij dokumentari në Tiranë është pjesë e mbështetjes së pakursyer të qytetarëve dhe institucioneve të Shqipërisë ndaj qytetarëve të Kosovës që nga kohët tona më të vështira ku shpresa për një të ardhme më të mirë dukej ende larg. Për shumë të mbijetuar dera e parë ku ata trokitën për ndihmë dhe mbështetje ishin kampet e shumta të ngritura në tërë Shqipërinë, shtëpitë e hapura në tërë vendin ku ata gjetën mbrojtje, dhembshuri dhe shpresën se nuk do të ishin të vetëm për tu përballur me mizoritë e luftës, të cilat sapo kishin shënjuar trupin e tyre. Do tu jemi përjetësisht mirënjohës që na qëndruat pranë dhe sot në paqe vazhdojmë të gjejmë mbështetjen e pakursyer për të gjitha proceset në të cilat po kalojmë si një shtet dhe shoqëri e re”, tha presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...
Ylli ndërprenë bashkëpunimin me tre lojtarë