ZRRE: 4.5 % e energjisë humbet në veri të Mitrovicës

13:43 | 7 Prill 2015
Arbresh.info

Kanë kaluar më shumë se dhjetë muaj prej se ndodhi shpërthimi në Kosovën A, ndërsa institucionet përkatëse ende nuk kanë dijeni për atë se çfarë e shkaktoi shpërthimin dhe humbjen e jetës së dy punonjësve.

Kështu u tha në Mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, në të cilën u shqyrtua raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të Kosovës (ZRRE), shkruan KP.

Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit, ka pasur vërejtje për raportin, duke kërkuar nga përfaqësuesit e ZRRE që t’i dërgojnë Komisionit raport shtesë me të dhëna të detajuara rreth humbjeve komerciale, tarifave, mbledhjeve të bordit e tjera.

“Vështirësitë janë paraqitur në furnizimin edhe sa i përket vëllimit dhe sa i përket standardit, sepse obligimi i rregullatorit është që të rregullojë tregun dhe të sigurojë furnizimin e konsumatorëve me energji cilësore… Nuk kemi parë një strukturë të mbledhjeve, çështjeve me të cilat është preokupuar bordi gjatë vitit të kaluar, cilat çështje kanë qenë të përqendruara do të thotë nuk është trajtuar aktiviteti investues i operatorëve, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Këtu janë prezantuar por janë të përshkruara në aspektin fizik… Nuk e kemi me vlerë sa ka investuar KOSTT, sa ka investuar KEDS-i sa është plani i investimeve “, tha Mustafa.

Ai po ashtu kërkoi të dijë se sa janë humbjet komerciale të energjisë. Madje, sipas tij, nuk është korrekte që të paguajnë qytetarët në fatura humbjet komerciale, gjë që nuk u takon atyre.

Edhe anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Visar Ymeri, ka kërkuar të dijë se çfarë ka ndodhur në Kosovën A, ku për pasojë kanë humbur jetën dy persona.

“Unë e di që KEK  e ka bërë një hetim preliminar…Është e pakuptueshme edhe pas gjithë këtyre muajve që ne ende nuk kemi ndonjë raport zyrtar të asaj se çfarë ndodhi në termocentralin Kosova A dhe të kemi emrat e përgjegjësve që kanë të bëjnë me humbjen e këtyre dy njerëzve dhe për shkaktimin e këtyre humbjeve që po i ndodhin sistemit të energjisë në Kosovë”, tha Ymeri.

Merita Kostari, nga Zyra e Rregullatorit për Energji, tha se nuk ka informata se çka ka ndodhur në Kosovën A. për shkak se organet e hetuesisë nuk i kanë përfunduar hetimet.

“Se çka ka ndodhur në Kosova A, raporti zyrtar i organeve të hetuesisë ende nuk ka mbërritur tek ne… Organet e hetuesisë ende nuk e kanë kryer punën e vet. Objekti është i mbyllur, kjo është e fundit dhe për shkaqe të sigurisë që na kanë shpjeguar tash ende nuk ka filluar hetuesia të punojë. Sa i përket kësaj, edhe neve nuk na pëlqen përgjigjja për arsye se dy njerëz kanë humbur jetën. Pastaj, kjo ka ndikuar në tërë sistemimin jo vetëm në të hyrat e KEK-ut, po edhe në importet “, ka thënë Kostari.

Ndërkaq, Krenar Bujupi, po ashtu nga ZRRE , tha se operatorët e licencuar në ZRRE kanë ngecur në investime kapitale. Sipas tij, KOSTT ka bërë pagesa me avancë në disa projekte. Ndërsa për humbjet tha se 4 % e energjisë humbet në veri të Mitrovicës.

“Nga KEDS-i kemi diku rreth 3 milionë euro investime që nuk janë bërë për vitin 2014, ndërsa nga KOSTT-i kemi diku rreth… varet, sepse kanë bërë pak avance sepse për shkak të linjës së re dhe nëse avance i konsiderojnë që kanë me u përmbush atëherë të gjitha këto investime do të përmbushen. KEDS-i është duke paguar 4 % në humbje totale më shumë se që e lejojmë ne, po i bartin ato rreth gjatë këtij viti, i kanë bartur rreth 6 milionë euro…Humbjet në veri janë diku 4.5 % e të gjithë totalit të humbjeve”, tha Bujupi.

 

Komisioni vendosi që raportin e ZRRE-së ta procedojë në Kuvend.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme