Një nga shkaqet pse një grua nuk mund të ngelë shtatzanë janë edhe të ashtuquajturat vezore policistike, të cilat janë një dukuri e shpeshtë te femrat, respektivisht pothuajse ҫdo e treta femër vuan nga ky sindrom. Vezoret policistike në fakt janë pasojë e një ҫrregullimi në prodhimin e hormoneve që e rregullojnë ciklin menstrual të gruas. Ky sindrom haset në periudhën reproduktive të femrës (nga mosha 15 deri në 44 vjetë). Sipas disa studimeve, gati 70% e grave as që e dijnë se e kanë këtë problem në vezore, organe këto të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e qelizave vezë, respektivisht për aftësinë e një gruaje që të ngelë shtatzanë. Andaj, ҫdo vonesë e ciklit menstrual që nuk është pasojë e shtatzanisë, duke filluar qysh nga puberteti, është indikacion që femra ta viziton gjinekologun dhe ta verifikon apo përjashton këtë sindrom.
Ky sindrom e ka marrë emrin “vezore policistike” (apo shumë cista), meqë vezoret janë të mbushura përplot me cista të vogla ujore që përmbajnë në vete qeliza të papjekura vezë të cilat nuk arrijnë të zhvillohen deri në atë fazë që gruaja të mund të ngelë shtatzanë. Shkaktari i vërtetë i kësaj patologjie në vezore nuk dihet, por besohet se kryesisht ka të bëjë me gjenetikë dhe me sëmundjen e sheqerit.
Simptomat kryesore të këtij problemi në vezore janë:
– Menstruacionet e parregullta të përcjellura me gjakderdhje të mëdha, kryesisht më të rralla se zakonisht, e madje ndonjëherë gruaja ka më pak se tetë cikle brenda vitit.
– Hirzutizmi apo qimet e shtuara në fytyrë dhe në trup, si pasojë e prodhimit të shtuar të hormonit mashkullor (testosteronit) te ky ҫrregullim në vezore.
– Vezoret e zmadhuara dhe të mbushura me shumë cista të imta, që zakonisht diagnostifikohen lehtë në ultrazë.
– Obeziteti apo shtimi në peshë që paraqitet te rreth 80% e femrave me këtë sindrom.
Megjithatë, falë metodave të avancuara në trajtimin e infertilitetit, edhe këto gra mund të ngelin shtatzanë, ashtu që pikë së pari duhet që të arrihet ovulacioni apo rritja dhe pjekja e qelizave vezë, meqë ky është problemi kryesor te gratë me vezore policistike. E për këtë tretman pacientet duhet t’iu drejtohen kryesisht gjinekologëve subspecialistë për infertilitet (sterilitet), meqë jo të gjithë gjinekologët kanë njohuri të mjaftueshme në këtë fushë.
Trajtimit për Menaxhimin e Sindromës Polikistike
Sindromi i vezoreve policistike asnjëherë nuk mund të mjekohet në tërësi, atëherë duhet të trajtohet në atë drejtim që të zvogëlohen simptomat e tij.
Dhe, meqë problemi kryesor te vezoret policistike shpesh është mbipesha, e cila pastaj mund të jetë edhe shkaktar i paraqitjes së diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, atëherë hapi i parë në trajtimin e kësaj patologjie është humbja në peshë përmes ecjes, vrapimit, ushtrimeve dhe ushqimit dietal. Kështu, me anën e këtyre metodave arrihet që të zvogëlohet sheqeri dhe shtypja e lartë në gjak, poҫese janë prezente te kjo sëmundje.
Kurse tretmani i mëtejmë varet nga prioritetet e pacientes, respektivisht nga fakti se a dëshiron gruaja të ngelë në atë moment shtatzanë, apo dëshiron vetëm t’i përmirëson simptomat apo komplikimet e mundshme të kësaj sëmundje.
Pra, nëse gruaja vetëm dëshiron ta rregullon ciklin e rrallë menstrual si dhe t’i largon aknet dhe qimet e tepërta në fytyrë apo në trup, atëherë preferohet të përdorë tableta kontraceptive (Diane 35, Yasmin etj.) ose progesteron, në baza mujore apo ҫdo 3-4 muaj. Këto barna, përveҫ që e rregullojnë ciklin menstrual, mund ta redukojnë edhe rrezikun e zhvillimit të kancerit të mitrës apo të kancerit endometrial, i cili mund të paraqitet si pasojë e menstruacioneve të rralla.
E poҫese gruaja me këtë sindrom dëshiron që sa më shpejt të ngelë shtatzanë, atëherë për këtë ekzistojnë një sërë barnash dhe injeksionesh në dispozicion. Qëllimi i kësaj terapie është zhvillimi i folikujve respektivisht i qelizave vezë, problem ky që më së shumti është i përfaqësuar te kjo sëmundje dhe që njëherit është edhe shkaktar i infertilitetit.
Hapi i parë dhe më i thjeshtë në këtë drejtim është administrimi i barnave Clomid, duke filluar nga ditët e para të ciklit menstrual. E poҫese këto barna nuk kanë efekt në zhvillimin e qelizave vezë, atëherë përdoren edhe barna tjera si Letrozole (Femara), Metformin, Gonadotropinet (në formë të injeksioneve) etj.
Për shkak se te gratë me këtë sëmundje qelizat vezë zhvillohen me vështirësi madje edhe me këtë terapi, atëherë shpesh preferohet që, për të arritur sa më shpejt te suksesi, të shkohet me procedura më të drejtpërdrejta si inseminimi intrauterin (IUI) apo edhe fertilizimi in vitro (IVF). Mjeku i cili merret me stimulimin e grave me këtë sindrom preferohet të jetë ekspert me përvojë në infertilitet dhe IVF, meqë, për shkak se këto gra kanë numër të madh të folikulave bazë në vezoret e tyre, atëherë shpesh ndodhë që duke e aplikua terapinë për stimulim apo për zhvillim të qelizave vezë, të fillojnë të rriten shumë folikuj përnjëherë, ashtu që ata vazhdojnë të zhvillohen pastaj në mënyrë të pakontrolluar duke u shëndërruar në cista të shumta të cilat mund ta rrezikojnë edhe jetën e pacientes. Andaj në këto raste duhet të zvogëlohet apo edhe të ndërpritet komplet terapia dhe gjendja e gruas të përcillet, ashtu që të mos vjen deri te i ashtuquajturi fenomeni i hiperstimulimit të vezoreve. Madje, poҫese gruas edhe gjatë stimulimit me Clomid apo me barna tjera i zhvillohen më shumë se katër folikuj, atëherë poashtu duhet t’i ndërpritet tretmani ashtu që të mos vjen deri te shtatzania e shumëfishtë, përveҫ në rastet kur gruaja hyn në IVF, meqë atëherë bëhet transfer i limituar i embrioneve.
Kurse, poҫese terapia mjekësore nuk ka sukses në arritjen e ovulacionit apo zhvillimin e qelizave vezë, atëherë te vezoret policistike mund të intervenohet edhe në mënyrë kirurgjike me laparoskopi, e cila më vonë mund të ketë efekt edhe në zhvillimin e ovulacionit spontan. Pra, me intervenim me laser në vezore policistike respektivisht përmes operacionit të ashtuquajtur laparoskopi, mund të përmirësohet ҫrregullimi hormonal dhe të vendoset funksionimi normal i vezoreve, por shpesh kjo metodë ka vetëm efekt afatshkurtër dhe pas pak viteve mund të rikthehet gjendja e mëhershme në vezore. Andaj pacientes që bëhet operacion i rekomandohet që të provon të ngelë shtatzanë sa më shpejt në vitin e parë pas operimit. Ky intervenim kirurgjik është përdorur përpara shumë më shpesh për trajtimin e kësaj sëmundje, kurse sot, me zhvillimin e terapisë së sofistikuar për stimulimin e vezoreve dhe provokimin e ovulacionit, kjo metodë operative shumë më pak aplikohet, meqë ndonjëherë mund të ҫon edhe deri te dëmtimi i vezoreve gjatë operacionit.
Duhet cekur se tretmani i sindromit të vezoreve policistike shpesh mund të ndryshon nga një grua te tjetra, meqë shpesh ndodhë që secili organizëm të reagon në mënyrë individuale ndaj terapisë së njejtë. Andaj, secila paciente duhet të trajtohet me protokolin më të përshtatshëm për organizmin e saj, gjë që jo rrallë paraqet sfidë të vërtetë edhe për profesionistët mjekësorë. Ndërsa, mjekët përgjegjës për trajtimin e vezoreve policistike apo PCOS, janë kryesisht gjinekologët dhe endokrinologët.
Megjithëse sindromi i vezoreve policistike paraqet një problem kompleks, asnjë grua me këtë sindrom nuk duhet ta humbë shpresën apo të frikësohet se do të ngelë pa fëmijë, edhe pse ndonjëherë shumë më me vështirësi. Sepse, sipas disa studimeve mjekësore, numri i fëmijëve te këto gra nuk ndryshon nga ato të cilat nuk e kanë këtë problem shëndetësor. Pra, pothuajse secila grua me këtë problem në vezore, së paku njëherë në jetë do të ngelë shtatzanë edhe pa ndihmën mjekësore. Porse, për ato që dëshirojnë ta planifikojnë me kohë familjen, atëherë nuk është mirë që të presin gjatë që shtatzania të ndodhë rastësisht, por që më herët ta kërkojnë ndihmën profesionale nga ekspertët për infertilitet.
Vlen të theksohet poashtu, se ky sindrom ndonjëherë përcillet me simptoma të shumta që e atakojnë jetën e përditshme të gruas, porse ndonjëherë mund të kalojë edhe pa asnjë simptom dhe pa i shkaktuar gruas asnjë problem në jetë./Arbresh.info/
Dr. Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Subspecialiste për infertilitet dhe IVF
Oda Ekonomike Amerikane takohet me Verman dhe Kasanofin, fla...
Gjykata e Nju Jorkut dënon Donald Trumpin
Krasniqi në Prishtinë: Ky përkushtim, dëshmi e fitores së PD...
Për tre vjet, numri i lejeve të dhëna në Kosovë për mbajtje ...
Protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës, protestuesit p...
Policia me plan operativ për ditën e zgjedhjeve