Google ADS

Blinken: Ideja e Trumpit që SHBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën s’do të realizohet

20:08 | 8 Janar 2025
E.H

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se bota “nuk duhet të humbë shumë kohë” me atë që është duke e thënë presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, rreth Grenlandës.

Trumpi e bëri të qartë përsëri këtë javë se dëshiron që territori gjysmautonom i Danimarkës të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se nuk e hedh poshtë as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për ta arritur këtë.

“Neve na nevojitet Grenlanda për qëllime të sigurisë kombëtare”, tha Trump.

Megjithatë, sekretari në shkuarje i Shtetit tha se qëllimet e presidentit të ri amerikan me gjasë nuk janë asgjë më shumë se vetëm fjalë.

“Ideja e shprehur për Grenlandën nuk është e mirë, natyrisht”, tha Blinken gjatë një vizite në Paris.

“Mbase më e rëndësishme është, sigurisht, ideja se kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, ne mbase nuk duhet të humbim shumë kohë duke folur për këtë”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që forcat amerikane të vendosen kundër Danimarkës, e cila është aleate e SHBA-së në aleancën ushtarake të NATO-s.

Megjithatë, Barrot paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një periudhë turbulencash në të ardhmen.

“A mendon dikush se Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë Grenlandën? Përgjigja është ‘jo’”, tha ministri francez.

“Por, a mendojmë se po hyjmë në një periudhë ku ligji i më të fortit po kthehet? Përgjigja është ‘po’”, shtoi ai.

Barrot theksoi se Evropa duhet të bëhet më e fortë ushtarakisht dhe më konkurruese ekonomikisht e komercialist për t’iu përgjigjur kësaj situate.

“Duhet të shkojmë shumë më larg për ta ritheksuar se kush jemi dhe çfarë duam”, tha ai.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë se nuk beson se Shtetet e Bashkuara do ta përdorin fuqinë ushtarake ose ekonomike për ta marrë kontrollin mbi Grenlandën dhe i ka bërë thirrje SHBA-së të ketë sjellje më “respektuese ndaj popullit të Grenlandës”.

Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz theksoi të mërkurën se parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend, pavarësisht sa i fuqishëm është ai, duke reaguar ndaj komenteve të Donald Trumpit, pa e përmendur presidentin e zgjedhur me emër.

“Kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, tha Scholz./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme