Google ADS

Amazon do të investojë 11 miliardë dollarë në infrastrukturën e inteligjencës artificiale

09:36 | 8 Janar 2025
Q L

Gjigandi amerikan i teknologjisë Amazon ka njoftuar planet për të investuar 11 miliardë dollarë në shtetin amerikan Georgia për të zgjeruar dhe përmirësuar infrastrukturën e inteligjencës artificiale të njësisë së saj ‘Amazon Web Services’ (AWS).

Amazon tha se kjo njësi ‘cloud’ planifikon të investojë 11 miliardë dollarë për të zgjeruar infrastrukturën e saj në Georgia për të mbështetur teknologjitë kompjuterike ‘cloud’ dhe inteligjencën artificiale. Investimi pritet të krijojë të paktën 550 vende të reja pune me aftësi të larta.

Amazon tha se inteligjenca artificiale produktive rrit kërkesën për infrastrukturë të avancuar të hapësirës ‘cloud’ për ruajtje të dhënash digjitale, si dhe theksoi se investimet e AWS-së do të mbështesin të ardhmen e inteligjencës artificiale në qendrat e të dhënave në Georgia.

“Qendrat e të dhënave AWS janë mjaft fleksibël për të drejtuar në mënyrë efikase njësitë e përpunimit grafik për ngarkesat tradicionale të punës ose inteligjencën artificiale dhe modelet e mësimit të makinerive”, tha Amazon, duke shtuar se kjo infrastrukturë moderne e inteligjencës artificiale do të forcojë pozicionin e shtetit Georgia si një qendër inovacioni.

Investimet e kompanisë Amazon në Georgia dhe punësimi që krijoi u vlerësuan, pasi kompania që nga viti 2010 ka investuar 18,5 miliardë dollarë në këtë shtet. Kompanitë e mëdha të teknologjisë po shpërndajnë burimet e tyre për të përmirësuar aftësitë e tyre në infrastrukturën e inteligjencës artificiale.

Javën e kaluar, gjiganti i teknologjisë Microsoft njoftoi se planifikon të investojë 80 miliardë dollarë në teknologjitë e inteligjencës artificiale në vitin 2025.

Të ngjashme