FBK del me një sqarim lidhur me projektin për palestrën multi-funksionale

18:30 | 6 Janar 2025
D.H

Federata e Basketbollit të Kosovës ka reaguar lidhur me projektin për palestrën multi-funksionale të cilën ata e kanë përgatitur së bashku me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Përmes një postimi në sajtin e tyre zyrtare FBK ka shprehur brengat e saja lidhur me kwtw projekt, shkruan Arbresh.info

“Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) shpreh brengë të thellë lidhur me hutinë e shpërfaqur ditëve të fundit në publik mbi projektin e palestrës multi-funksionale të cilin FBK e ka përgatitur me përkrahje dhe koordinim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe FIBA”.

“MKRS në janar të vitit 2024 ka ndarë mjetet e nevojshme për realizimin e projektit, ndërsa FBK ka koordinuar dizajnin final të palestrës dhe është pajtuar me Komunën e Prishtinës që lokacioni më i përshtatshëm për këtë qëllim është parcela përballë kampit zhvillimor dhe stadiumit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në Hajvali. Teksa FBK ka kryer detyrat e veta rreth kompletimit të projektit zbatues për palestrën, tash e sa kohë mbetet në pritje të marrjes së vendimit për ndarjen e lokacionit nga Komuna e Prishtinës për të vazhduar me procedurat e marrjes së pëlqimeve të nevojshme dhe procedurave për ndërtim”.

“Për hir të sqarimit, projekti i palestrës multifunksionale të sporteve me dorë është konceptuar si palestër që do të përmbushë nevojat e komunitetit për kapacitete stërvitore. Projekti është përgatitur nga FBK-së në dy forma, një nga të cilat është palestra si godinë individuale e pajisur me të gjitha stabilimentet dhe pajisjet e nevojshme për zhvillim të stërvitjeve dhe ndeshjeve, me kapacitet të ulëseve deri në 700 sish, ndërsa tjetra përveç godinës së palestrës parasheh edhe ndërtimin e një konvikti me mbi 50 shtretër, restaurantit dhe hapësirave për organizimin e trajnimeve teorike, e cila do të përmbushë nevojat e klubeve dhe federatave sportive për kampe stërvitore, si qendër për zhvillim të sportistëve kulminantë. Tipar kryesor i këtyre palestrave që do të ndërtohen anembanë Kosovës është mundësia e ndarjes së terrenit kryesor në tri terrene të basketbollit apo volejbollit njëkohësisht, pajisjet teknike kulminante, shtatë zhveshtoret e pajisura sipas standardeve evropiane, hapësirave të mjaftueshme teknike dhe të zyrave, salla e fitnesit dhe peshëngritjes, me çka do të kompletohet një projekt infrastrukturor që do t’i shërbejë zhvillimit dhe përpunimit të talentit lokal, por edhe organizimit të garave kombëtare e ndërkombëtare për grupmoshat e reja. Lokacioni i përzgjedhur është konsideruar si i përkryer për shkak të sinergjisë që krijohet mes kapaciteteve infrastrukturore sportive e hotelierike që veç janë zhvillim nën ombrellën e FFK dhe kapaciteteve të siguruara përmes zhvillimit të projektit të palestrës multi-funksionale dhe konviktit të saj, duke zhvilluar kësisoj një kompleks sportiv modern që përmbushë nevojat e sportistëve për përgatitje bazike dhe për organizimin e kampeve zhvillimore”.

“Projekti i palestrës multi-funksionale sportive, i cili ka për qëllim t’i shërbejë komunitetit të sportit si qendër stërvitore për të gjitha sportet me dorë dhe futsallit, është hartuar nga FBK dhe është përfshirë si pjesë integrale e programit afatgjatë zhvillimor të basketbollit në Kosovë. Sipas marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ky projekt do të realizohet në dhjetë lokacione në nëntë komuna të Kosovës (dy në Prishtinë dhe tetë në qendrat tjera) dhe ka për qëllim rritjen e kapaciteteve infrastrukturore sportive të vendit, me synimin kryesor identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj. Duhet sqaruar gjithashtu që ky projekt nuk është pjesë e programit qeveritar të Republikës së Kosovës për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, dhe është sajuar enkas për ngritje të kapaciteteve infrastrukturore zhvillimore të cilat aq shumë i mungojnë vendit tone”.

“FBK fton Komunën e Prishtinës të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vërë në dispozicion parcelën e paracaktuar bashkërisht, duke na mundësuar fillimin e implementimit të infrastrukturës më se të nevojshme fizike për zhvillimin e sportit tonë të zemrës duke i shërbyer kështu objektivave strategjike të sportit në Kosovë”, shkruhet në reagimin e gjatë të FBK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme