QKMF-ja më e madhe në Kosovë përurohet në Mitrovicë

17:33 | 6 Janar 2025
E.H

Është përuruar sot Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni” që është edhe Qendra më e madhe e mjekësisë familjare në Kosovë.

Në këtë përurim kanë marr pjesë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kandidati për kryeministër nga PDK dhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza si dhe humanisti Halil Kastrati, përcjell Arbresh.info.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi tha se kjo QKMF përfaqëson vizionin e PDK-së për një të ardhme më të mirë.

Postimi i plotë:

Me njerëz vullnetmirë dhe liderë të përkushtuar, përmirësimi i jetës së qytetarëve është i pashmangshëm. Dëshmi e kësaj sinergjie është Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni,” më e madhja në Kosovë, të cilën e përuruam sot në Mitrovicë – një objekt modern që do të ofrojë kujdes shëndetësor cilësor për qytetarët e kësaj komune. E kam përcjellë këtë projekt që nga fillimi e deri në përfundimin e tij dhe, thënë shkurt, jam i mahnitur me rezultatin final.

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit frymëzues mes kryetarit të komunës dhe kandidatit tonë për kryeministër, Bedri Hamza, dhe humanistit të madh, drejtuesit të shoqatës “Jetimat e Ballkanit,” Halil Kastrati. Nga ndërtimi i shtëpive për familjet në nevojë deri te kujdesi për të moshuarit, Halili dhe “Jetimat e Ballkanit” kanë krijuar një model solidariteti dhe humanizmi që na frymëzon të gjithëve.

Kjo QKMF përfaqëson vizionin tonë për një të ardhme më të mirë, ku secili qytetar ka qasje në shërbime shëndetësore cilësore dhe ka dinjitetin që meriton. Për Partinë Demokratike të Kosovës, investimet në shëndetësi janë më shumë se një prioritet – ato janë themeli i një Kosove më të zhvilluar. Së bashku, Kosova mundet ma mirë!/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme