Një shofer ka bërë masakër në lagjen e mirënjohur franceze të Nju Orlinsit në orët e para të ditës së Vitit të Ri, duke vrarë 10 persona. Ai hyri me makinë përmes turmës, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia, thanë autoritetet.
Mbi 35 persona u plagosën, pasi sulmi i së mërkurës e shndërroi Rrugën festive Bourbon në një kaos makabër. FBI-ja po e heton ngjarjen si një akt terrorist. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në organizimin dhe kryerjen e këtij sulmi.
Shoferi është identifikuar me emrin Shamsud-Din Bahar Jabbar, 42 vjeç, thanë për agjencinë e lajmeve Associated Press gjashtë zyrtarë të agjencive të zbatimit të ligjit, që folën në kushte anonimiteti.
Hetuesit po punonin për të mbledhur informacion shtesë në lidhje me prejardhjen e autorit dhe po hetonin edhe rreth një flamuri të zi të vendosur mbi automjet. Sipas një deklarate të FBI-së, flamuri është i grupit terrorist Shteti Islamik. Sipas FBI-së, i dyshuari Jabbar është shtetas amerikan nga Teksasi dhe po hetohen “lidhje të mundshme me organizata terroriste”.
Në një foto të qarkulluar për zyrtarët e zbatimit të ligjit shfaqet i dyshuari Jabbar me mjekër dhe i veshur me rroba kamuflazhi pranë kamionit, pasi u vra nga policia.
I dyshuari Jabbar u vra gjatë një shkpmbimi me armë zjarri me policinë pas sulmit, rreth orës 03:15 të mëngjesit në një zonë të mbushur me njerëz që po festonin ardhjen e Vitit të Ri, tha FBI-ja.
Hetuesit gjetën një pistoletë dhe një pushkë automatike të llojit AR pas shkëmbimit të zjarrit dhe po bënin kërkime në lagjen franceze për pajisje të mundshme shpërthyese, thanë zyrtarët e zbatimit të ligjit.
Agjentja e FBI-së, Alethea Duncan tha se zyrtarët po hetonin për të paktën një pajisje shpërthyese të improvizuar në vendngjarje.
Kryebashkiakja e Nju Orlinsit, LaToya Cantrell i përshkroi vrasjet si një “sulm terrorist”.
Kryeinspektorja e policisë së Nju Orlinsit, Anne Kirkpatrick tha se shoferi ishte “i vendosur për ta bërë masakrën dhe dëmin që shkaktoi”.
“Ishte një sjellje shumë e qëllimshme. Ky person po përpiqej të shtypte sa më shumë njerëz që të mundej”, tha zonja Kirkpatrick.
Pasi automjeti u ndal, shoferi doli dhe hapi zjarr ndaj oficerëve që afroheshin, tha policia. Oficerët iu përgjigjën zjarrit, duke e vrarë shoferin.
Dy policë u plagosën dhe janë në gjendje të qëndrueshme, njoftoi policia. Krahas tyre janë edhe 33 persona të tjerë të plagosur nga sulmi me automjet.
Zona ku ndodhi sulmi është një destinacion i preferuar për festimet e Vitit të Ri./voa/
Krasniqi: Numri 131 na bashkon në vizionin për një Kosovë ma...
Elmedin Rama kalon te skuadra çeke Pardubice
Vdes këmbësori që u godit nga vetura të dielën në Prizren
Ambasada e SHBA-së, thirrje për masa aktive në parandalimin ...
Abdixhiku: 124 është numri ynë, 9 shkurti është fitorja jonë
Emrat dhe mosha, kush janë 34 pengjet e listuar nga Hamasi q...