Pesë vajza që thurin

17:58 | 4 Mars 2015
Arbresh.info

Gazetari Ilir Ikonomi ka publikuar një fotografi të viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Aty ka sqaruar se fotoja është marrë prej koleksionit të amerikanëve Frank dhe Frances Carpenter.

Në shënimin e tij, ai thotë: “Kjo fotografi mahnitëse, e titulluar “Pesë vajza që thurin”, është marrë nga koleksioni i amerikanëve Frank dhe Frances Carpenter, që gjendet në Bibliotekën e Kongresit dhe mund të vizitohet online.

Duhet të jetë bërë në vitin 1920. Frank Carpenter ishte gjeograf dhe fotograf që shëtiste nëpër botë dhe shkruante tekste gjeografie. Frances ishte e bija. Frank Carpenter është autor i rreth 20 librave të përmbledhur në serialin Carpenter’s World Travels, të cilët u bënë mjaft popullorë mes viteve 1915-1930.

Fotoja ka kapur në një moment sinqeriteti 5 vajza shqiptare që thurin me shtiza në Shqipërinë e pas Luftës së Parë Botërore. Carpenter i ka fiksuar të pesta të përqendruara në punën e tyre, por edhe të vetëdijshme për të huajin përballë që po i fotografon. Ka shumë mundësi që ajo të jetë bërë gjatë udhëtimit të fotografit në Tepelenë.

Frank Carpenter shkoi atje bashkë me një mision ndihme të Kryqit të Kuq amerikan, pas një tërmeti që shkatërroi qytetin më 20 nëntor 1920 dhe që la 36 të vrarë. Është një foto e rrallë për nga kompozimi dhe informacioni mbi jetën e thjeshtë shqiptare që përcjell”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme